Energjia për furrat e bukës, me 3 fasha. Balluku: sjell barazi në treg
2024-03-25 10:10:59

Furre buke pasticeri (bold news)

Furre buke pasticeri (bold news)

Çmimi i energjisë për furrat e bukës do të ndryshojë duke u vendosur në tre fasha. Për ata që nuk kanë aktivitet shtesë vlera qëndron 7.9 lek për kilovat dhe në 9 lek për ata që prodhojnë edhe ëmbëlsira. Në rast se biznesi ka shtuar edhe bar kafe vlera rritet në 12 lekë. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se ky hap sjell barazi në treg dhe është dakortësuar me të gjitha palët.

“Ky është një proces që ka zgjatur prej disa muajsh  dhe drejtuesit e OSHEE-së, por Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pasur një bisedë të hapur me përfaqësuesit e prodhimeve të brumit ta quajmë dhe furrat e bukës. Një çështje që është  e rëndësishme për ju, për tregun, për ekonominë e vendit, ndaj na është dashur të marrim pak kohë dhe të diskutojmë me njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhjen më të mirë. 

Sipas ministres, bëhet fjalë për 2600 subjekte që disa prej tyre vijojnë furra buke, disa janë kthyer furra buke dhe pastiçeri dhe disa në furra buke, pastiçeri dhe bar-kafe. 

“Në Shqipëri kemi më shumë se 2600 furra buke, apo jo? Duke pasur parasysh produktin që është i rëndësishëm për çdo familjar, ne na është dashur të jemi serioz dhe analitikë në qasjen që kemi tani e tutje për sa i përket zgjidhjes që do i jepet secilit, pasi do kemi tre komponentë që do zgjidhen nga secili biznes sigurisht duke përmbushur kriteret, të cilat tashmë i keni bashkëvendosurme ministrinë edhe me OSHEE-në. Sigurisht ky është një moment i rëndësishëm, prej shumë kohësh qeveria shqiptare dhe të gjithë ata kontributor të ekonomisë së vendit.”- u shpreh Balluku.

Zvkryeministrja Balluku (Foto Frekuenca)

Zvkryeministrja Balluku (Foto Frekuenca)

Kjo masë vjen pas një analize të thellë të bërë në treg ku kishte diferencime në tarifa kundrejt shërbimeve që kryenin.

“Ndodhemi në këtë tryeze pasi ka pasur abuzime edhe nga furrat e bukës dhe kemi pasur një rast konkret që ka marrë dënimin maksimal nga e gjithë struktura e kompanisë. Janë bërë të gjitha lëvizjet e duhura, nganjëherë edhe ne duhet që të marrim informacionin e duhur nga terreni, siç ndodhi me këtë rast, pasi ishte një abuzim i një punonjësi të OSHEE me furrat e bukës, dhe padyshim të zgjedhim njëherë e mirë këtë problematikë, e cila është e mbartur ndër vite. Po pse është e rëndësishme edhe për sektorin energjetik edhe për OSHEE-në, kjo është diçka që duhet saktësuar është sepse furrat e bukës konsumojnë rreth 66 milionë kilovat orë në vit. Është një nga konsumatorët më të rëndësishëm që ne kemi të lidhur në sistemin tonë dhe nga ana tjetër ka qenë gjithmonë një debat i hapur pa një zgjidhje permanente që sigurisht do të akomodonte edhe nevojën e shoqatës tuaj, por nga ana tjetër nuk do të dëmtohej edhe OSHEE-ja.”- tha Balluku.

Të gjitha ato biznese që prodhojnë vetëm bukë nuk do të kenë ndryshim në çmim, do të faturohen 7.6 lekë për çdo kilovat-orë të shpenzuar. Ato që operojnë si pastiçeri do të paguajnë 9.5 lekë dhe ndërkohë për furrat e bukës që janë edhe pasticeri edhe kafe bar do të trajtohen me 12 lekë kilovat-orë.

 “Ju e dini shumë mirë luftën e madhe që kemi bërë për të shëndoshur këtë sistem qoftë nga ana teknike, Operatorin e Shpërndarjes, qoftë nga ana e një shëndoshjeje financiare, e cila ka të bëjë me faturimin edhe me mbledhjen e të ardhurave. Ndaj i gjithë procesi është bërë duke treguar kujdes për të dy palët, edhe për furrat e bukës dhe biznesin, por edhe për OSHEE-në sepse 66 milionë kilovat orë në vit janë një shifër e rëndësishme e përkthyer në 500 milionë lekë për kompaninë. Ndaj me këtë kategorizim ne zgjidhim problemin njëherë e mirë por gjatë periudhës së kolaudimit do lëmë një kanal komunikimi mes palëve për të parë nëse me të vërtetë është zgjidhja e duhur sepse shpeshherë zgjidhjet që bëjmë në letra, qoftë së bashku me atë që ndodh në terren ka edhe mos rakordanca, kështu që ta shikojmë dhe këtë me shumë seriozitet.”

Sipas Ballukut, qëllimi nuk është për të penguar që një furrë buke të arrijë të zhvillohet edhe në pastiçeri dhe më vonë të zhvillohet edhe në një bar kafe.

“Pra duke ofruar edhe shërbime si në formë buke, edhe si pastiçeri edhe si bar kafe, sigurisht ne nuk do mbështesim rastet kur do kemi restorante, këtë duhet ta themi, megjithatë ne e kemi diskutuar me njëri- tjetrin, patjetër është diçka edhe për t’u parashikuar sepse ndoshta nesër një furrë buke që bën gatime tradicionale mund ta kthehej dhe në një restorant, nuk është parashikuar në këtë marrëveshje dhe këtë duhet ta themi qartë. Nëse do të duhet ndonjë fazë tjetër do ta diskutojmë gjithashtu.”- tha Zv,Kryeministrja.

OSHEE (Foto Linkedin)

OSHEE (Foto Linkedin)

Nëse do të ketë problematika gjatë implementimit të procesit, Balluku tha se shprehet e gatshme për tu ulur sërish në bisedime për ti dhënë zgjidhje.

“Ky është një proces që duhet ta bëjmë së bashku, padyshim që do jetë proces i gjatë siç ju thashë, që do ta nisim me gjithë dëshirën e mirë siç kemi dakordësuar megjithatë do të ketë një fazë kolaudimi, pra që do të duhet patjetër bashkëpunimi juaj, do të duhet që subjektet të cilat do përfshihen në kategoritë e ndryshme të jenë të mirëkuptueshëm. Unë jam përfshirë në çdo proces i cili prek biznesin shqiptar apo dhe investitorët e huaj padyshim por sidomos prek konsumatorin, kështu që e keni vëmendjen maksimale të Ministrisë së Infrastrukturës dhe qeverisë, është shqetësimi i kryeministrit gjithashtu. Unë do të ndjek gjithë procesin dhe nuk mbaron sot këtu ky proces dhe nuk jam këtu thjesht për të bërë këtë bisedë por jam për ta ndjekur megjithatë jam e sigurt nëse ju do jeni të fokusuar dhe do na qëndroni në krah, pra OSHEE do ju ketë ju në krah për të diskutuar gjithë problematikat që do të rrjedhin gjatë implementimit të procesit, unë jam e sigurt që do ta zgjidhim.”- tha Zv, Kryeministrja.

Sipas ministrisë janë 66 milionë kilovatorë në vit që shpenzohen nga furrat e bukës e përkthyer në vlerë 500 milionë lekë për kompaninë. Propozimi për fashat e reja do t’i dërgohet  Entin Rregullator të Energjisë për miratim.