Wendy, talenti i “X-Factor Albania”
2024-03-24 10:04:12

Uendi Zylaj, 18 vjeçarja që  preferon të mbajë emrin e artit Wendy, është  një këngëtare e re shumë e talentuar nga Shkodra, me perspektivë në fushën e muzikës. Pavarësisht moshës së re ajo është angazhuar  me muzikë që në moshën 8 vjeçare, kur nisi të studionte piano. Kanë qenë të shumta pjesëmarrjet e saj në koncerte e festivale për fëmijë në Shkodër, por për një publik më të gjerë ajo u njoh në spektaklin e talenteve të rinj “The voice kids 3”,  në moshën 12 vjeçare. Në atë koha Wendy  ishte me skuadrën e trajneres Arilena Ara, duke arritur me sukses deri në finale. Wendi  ka edhe  një bashkëpunim me Arilenën në albumin ‘PopArt’, si dhe  ka marrë pjesë edhe në koncertin recital të këngëtares në sheshin “Skënderbej”.

Wendy dhe Arilena në duet (Foto personale)

Wendy dhe Arilena në duet (Foto personale)

Së fundi ajo ishte një ndër konkurrentet e forta të spektaklit “ X- Factor Albania”, ku mes dymijë të rinjve arriti në 10 këngëtarët më të mirë me skuadrën e këngëtares  Elhaida Dani. Në intervistë për Radio Ejani, Wendi flet për  rrugëtimin e saj artistik, emocionet në “X-Factor Albania” si dhe projektet me këngën

CMG: Ti arrite deri në 6 finalistët e spektaklit “X-Factory”, një garë mjaft e fortë me mbi 2mijë konkurrentë. Si nisi ky konkurrim për ty?

Wendy: Fjala më  e mirë për t’u përshkruar “X-Factory” për mua ka qenë spontane. Përveç  provave, që jam munduar t’i bëj sa më mirë, gjithçka ka qenë spontane. Lindi si një dëshirë për të testuar dhe një herë veten, por ka qenë me të vërtetë një përvojë e pa harrueshme. Kam  përjetuar çdo emocion, si të lumtur, apo edhe kur kam qenë në stres, ndoshta e mërzitur diku, por jam kënaqur dhe e kam shijuar deri në fund.

CMG: Në fillim i kalove dymijë konkurrentët dhe duket sikur e kishe sigurinë brenda vetes që do arrije në netët ‘live’, por kur u përballe me 16 më të mirët, e ndjetë garën e  fortë mes njëri-tjetrit?

Wendy Foto personale

Wendy Foto personale

Wendy: Mund të them që të gjithë aty janë me këmbë në tokë. Kemi shkuar shumë mirë me njëri-tjetrin dhe nuk e kemi pasur ndjesinë që jemi rivalë. Ka qenë shoqëri e pastër, e sinqertë.

CMG: Cili ka qenë momenti që të ka bërë të ndjehesh e sigurtë në atë skenë?

Wendy: Duartrokitjet e publikut, të cilët thërrisnin emrin tim.

CMG: Të kujtohet performanca?

Wendy: Të gjitha,  edhe atëherë kur nuk e kam dhënë maksimumin tim, kanë qenë ato duartrokitje që më kanë dhënë shumë kurajo.

CMG: Ky nuk ka qenë kompeticioni i parë që  ke marrrë pjesë. Më herët ke marrë pjesë në talent show-n për fëmijë “The Voice Kids”, ku ke shkruar deri në finale.

Wendy: Po, unë kam qenë 12-13 vjeç dhe  ka qenë dhe eksperienca ime  e parë në një kompeticion, në një skenë aq të madhe. Në atë garë unë zgjodha si mentore këngëtaren Arilena Ara dhe mund të them se ditën e audicioneve më ka ndryshuar jeta. Sot jam në Label-in e saj, kam bërë bashkëpunime  me të, më ka mësuar të sillem me disiplinë, me përkushtim. Jam shumë falënderuese për Popin dhe Arilenën. Jam duke punuar për disa projekte të reja dhe shpresoj që të kenë sukses.

Wendy dhe artistet e rinj ne X- Factory 2024 (Foto personale)

Wendy dhe artistet e rinj në X- Factory 2024 (Foto personale)

Wendy në intervistë  për Radio Ejani

Wendy në intervistë  për Radio Ejani

CMG: Pas skenës së “The Voice kids”, u gjende në një skenë madhështore, në koncertin recital të këngëtares Arilena Ara, ku interpretove një duet me të, të këngës “Obsesion”. Si u ndjeve në atë koncert dhe skenë madhështore?

Wendy: Bashkëpunimi erdhi falë Arilenës, e cila më ftoi të bëja një duet me të. Kur e dëgjova demon e  këngës për herë të parë, ishte pikërisht ajo që doja për të bërë një këngë, ishte energjia që kisha imagjinuar. Kemi shkuar në Prishtinë për ta regjistruar te Mixey Music, që është një nga producentët më të mirë dhe të preferuar që kam. Regjistruam këngën atë ditë, pasi e kam dëgjuar gjithë ditën e gjithë natën, na pëlqeu shumë. Kjo është një nga këngët më të preferuar të albumit për të dyja ne.

CMG: Kjo këngë erdhi pas sa kohësh bashkëpunimi me Arilenën?

Wendy: Pas dy vitesh besoj.

CMG: Ka qenë Arilena Ara këngëtarja jote e preferuar që e vogël?

Wendy: Po normal sepse unë e kam ndjekur që kur ajo ka qenë në “X-Factor”, por dashuria ime e madhe për Arilenën si artiste ka qenë kur ajo publikoi këngën e saj të parë “Aeroplan”. Që në atë moment Arilena u bë idhulli im.

CMG: E më pas kur  e pe veten në një skenë me Arilenën, me një publik të madh në sheshin “Skënderbej”, i cili shijoi edhe performancën tuaj të veçantë. Mbaj mend që në atë koncert ke qenë me flokë jeshile, ke kërcyer shumë bukur bashkë me Arilenën. Çfarë mendoje në ato momente kur ishe para publikut?

Wendy: Edhe në dhomën time e imagjinoj, sikur kam një publik të madh në mbarë botën dhe unë që këndoj ‘live’. Atë natë ka qenë një publik mjaft i dashur.

CMG: Wendy, çfarë kujton nga fillimet e tua në muzikë?

(Foto personale)

Wendy në performancë(Foto personale)

Wendy: Në moshën 7 vjeçare unë nisa kurs privat pianoje. Në fillim nuk e kisha me shumë qejf, por doja të mësoja një instrument dhe pianoja më dukej instrumenti më i përshtatshëm për  një vajzë të vogël si unë. Sa fillova të shkoja në javët e para, më tha mësuesja, se kisha zë për të kënduar, por unë kam pasur shumë turp të këndoja përpara të tjerëve. Para mësueses këndoja ndërsa para babit, kisha turp të këndoja. Fillova të merrja pjesë në fillim në disa festivale në teatrin “Migjeni” në Shkodër, më vonë mora pjesë në “The Voice”, bashkëpunimi me Arilenën, tek “X-Factory, dhe në vijim  do merrem me projektet e mia.

CMG: Por në fillim nuk ka qenë vetëm pianoja, një tjetër pasion i yti ka qenë edhe kërcimi…

Wendy: Unë kam patur qejf që e vogël për të kërcyer, por ka qenë dilema, të vazhdoja për piano apo për balet, dhe vendosa për piano.

CMG:  Cilët janë kompozitorët e tu të preferuar dhe që i luaje më së shumti në piano?

Wendy: Nuk kam patur ndonjë kompozitor të preferuar, por partiturë të preferuar që kam luajtur më shumë ka qenë “Ballade Pour Adeline” apo “River Flows in you”, kanë qenë shumë emocionuese për mua. Ndërsa nga kompozitorët e preferuar, më shumë më pëlqen Mozzarti.

CMG: Në të ardhmen si e sheh veten, në muzikën pop, apo do merresh edhe me muzikën klasike?

Wendy: Prej meje duhet të prisni çdo gjë,  sepse unë eksperimentoj shumë. Nuk kam frikë të provoj apo të rrezikoj, pra nuk mund të jap një përgjigje fikse. Sigurisht që më shumë jam tek muzika pop, por kjo nuk do të thotë që s’do i prek rrymat e tjera.

Wendy (Foto personale)

Wendy (Foto personale)

CMG: Po pianon vazhdon ende ta praktikosh?

Wendy: Për momenti jo, sepse kam qenë e fokusuar vetëm në “X-Factory” dhe kam qenë gjithë ditën me prova dhe  nuk kam patur kohë të ulem.

CMG: Në të ardhmen si e sheh veten, do interpretosh në skenë, duke luajtur edhe në piano?

Wendy: Një artist është më i kompletuar, kur luan edhe në një instrument. Edhe në talent show kam performuar duke luajtur në piano. Po, e shoh veten në të ardhmen edhe duke luajtur në piano.

CMG: Do doje ndonjë bashkëpunim në të ardhmen dhe me kë?

Wendy: Më pëlqen shumë Elinel, ka energji, ka tekste shumë të mira, dhe besoj se do përshtatemi shumë mirë në këngë.

CMG: Çfarë dëgjon më tepër dhe çfarë i përshtatet më shumë ngjyrës së vokalit tënd?

Wendy: Ngjyrës së vokalit tim i shkojnë më shumë këngët e rrymave R&B, Pop, por unë i dëgjoj të gjitha zhanret, madje edhe ato të vjetrat, këngë shumë të njohura, ose grupe që nuk janë shumë të dëgjuar, si grupi “The Killers”, etj. Gjithashtu dëgjoj edhe këngë të reja nga të gjitha rrymat muzikore.

CMG: Duke qenë se  studion për një degë që nuk ka lidhje me muzikën, mendon që do vazhdosh paralelisht me të dyja profesionet?

Wendy: Unë studioj për Teknikë Dentare- Laborante. Momentalisht nuk jam e sigurt nëse do e ushtroj si profesion në të ardhmen, por t’i mbaroj një herë studimet, më pas të shohim.

CMG: Është bukur që t’i bësh njerëzit të buzëqeshin bukur.

Arilena Ara, Yang Zerka dhe Wendy (Foto personale)

Arilena Ara, Yang Zerka dhe Wendy (Foto personale)

Wendy dhe Niki në X-Factory

Wendy: E vërtetë. (Qesh)

CMG: Synimet e tua për këtë vit, por edhe për të ardhmen, cilat janë?

Wendy: Synimet e mia janë shumë shumë të mëdha, por më duket sikur nuk më plotësohen po t’i  them.

CMG: Le të shpresojmë që gjithçka do të realizohet, cilat janë ato?

Wendy: Po e  them në vija të përgjithshme. Dua që të kem sukses me projektet e mia, si dhe do bëj muzikë që komentohet dhe përqafohet nga publiku.

CMG: E mendon të ardhmen artistike në Shqipëri, apo edhe përtej kufijve?

Wendy: Si fillim po mendoj që të ndërtoj themelet artistike këtu në vendin tim.

CMG: Të uroj shumë suksese dhe të të shohim në skena të mëdha, aty ku ke dëshirën të shpalosësh ëndrrat e tua.

Intervistoi: Sava Lena