Noel Pjetri me grupin (Foto personale)
Këngatari nga Dukagjini Noel Pjetri interpreton këngë të muzikës folklorike të trevës së veriut. Ai që në moshë të vogël ka qenë i pasionuar pas melosit popullor, traditë që e ka trashëguar nga familja. Noeli vitet e fundit është bërë i njohur për publikun me disa prej interpretimeve të tij, duke e ruajtur të pastër këngën e mirëfilltë shqiptare. Ka qenë pjesëmarrës në aktivitete muzikore, dhe së fundi në Festivalin Folklorik e Gjirokastrës, ku bashkë me grupin e Dukagjinit përcollën për artashësit këngët folklorike të trevës së tyre. Në një intervistë për Radio Ejani Noel Pjetri tregon për fillimet e tij në interpretimin e këngëve folklorike, produksionet muzikore që ka sjellë për publikun si dhe projektet.
CMG: Si lindi pasioni tek ti për të interpretuar këngët folklorike?
Noel Pjetri: Mua më kanë pëlqyer gjithmonë këngët folklorike, kam krijuar dhe interpretuar disa prej tyre.
CMG: Këtë traditë e ke të trashëguar nga familja?
Noel Pjetri: Këtë traditë e kam trashëguar nga familja ime, pavarësisht se nuk kam patur ndonjë familjar që ka qenë shumë i njohur. Këngët e trevës sonë i ka përcjellë shumë mirë gjyshi im. Kështu që unë po e trashëgoj këtë traditë tani.
CMG: Kur ke nisur t’i këndosh këngët folklorike?
Noel Pjetri duke i rënë ciftelisë (Foto personale)
Noel Pjetri: Unë kam nisur të këndoj që në moshë të vogël dhe pse nuk jam shfaqur shumë në publik. Këto tre vitet e fundit jam bërë i njohur me këngët e mia për publikun e gjerë.
CMG: Cila ka qenë kënga e parë që ke publikuar dhe si është pritur nga artdashësit?
Noel Pjetri: Kënga ime e parë titullohet “Përshëndetje çdo shqiptari”, me motive kurbeti. Kjo këngë është pritur shumë mirë nga njerëzit që më njohin, por dhe publiku i gjerë.
CMG: Sa këngë ke të publikuara në YouTube, dhe a je i kënaqur me ecurinë e tyre?
Noel Pjetri: Kam publikuar katër këngë dhe jam shumë i kënaqur me shikimet në YouTube.
CMG: Ke realizuar bashkëpunime me këngëtarë të tjerë?
Noel Pjetri: Kam realizuar një bashkëpunim me këngëtarin Novi Prendi. Kjo këngë ka ecur shumë mire, duke marrë 1 milion shikime në kanalin YouTube për vetëm dy muaj.
CMG: Pse është pëlqyer më tepër kjo këngë nga të tjerat?
Noel Pjetri: Kjo është një këngë e veçantë, sepse i kemi kënduar një figure shumë të madhe të Dukagjinit, siç ka qenë Dod Tahiri, por dhe bashkëpunimi me Novi Prendin, i cili është një këngëtar i suksesshëm dhe i njohur për publikun. Jemi munduar të realizojmë diçka të bukur dhe kënga është pritur shumë mirë.
CMG: Mendon se kjo është nga këngët më të bukura tuajat?
Noel Pjetri duke interpretuar në skenë (Foto personale)
Noel Pjetri: Kjo është ndër më të bukurat, sepse dallon nga klikimet dhe ecurinë që ka pasur deri tani në tregun muzikor.
CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?
Noel Pjetri: Kam disa tekstshkrues të këngëve të mia, siç është Fran Kodra, Agim Synaj që ka shkruar tekstin e këngës së parë. Ndërsa për muzikën kam bashkëpunuar me Pjetër Kolën, orkestrues Mario Marku dhe Luan Dagistani.
CMG: Ke sjellë vetëm krijimtari të re në tregun muzikor?
Noel Pjetri: Kënga që ka ecur shumë është këngë e risjellë, është një këngë e kënduar më përpara, por ne e kemi risjellë duke patur shumë sukses.
CMG: Si je ndjerë kur ke veshur kostumin tradicional të trevës suaj?
Noel Pjetri: Kostumi popullor tradicional është i bukur dhe unë ndjehem krenar sepse është një veshje tradicionale shqiptare.
CMG: Kostumin popullor e ke veshur vetëm gjatë realizimit të videoklipeve, apo dhe në evente muzikore?
Noel Pjetri: Kostumin popullor e kam veshur kur kam realizuar këngën e parë, por dhe në aktivitete të ndryshme, kur kam marrë pjesë në Teatrin Migjeni në një event që realizohet njëherë në vit “Nata tradicionale e trevës së Dukagjinit”. Gjithashtu kam marrë pjesë dhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ku jam paraqitur në skenë me kostumin popullor.
CMG: Si je ndjerë për herë të parë në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës?
Noel Pjetri gjatë një aktiviteti muzikor (Foto personale)
Noel Pjetri: Ka qenë hera e parë që mora pjesë me grupin e trevës së Dukagjinit. Normal që është emocion i veçantë, sepse atje organizohet një gjë e madhe, ku festivali i Gjirokastrës është një festival i njohur mbarëkombëtar.
CMG: Ke marrë pjesë në evente muzikore dhe jashtë vendit?
Noel Pjetri: Kam patur disa ftesa nga miqtë e mi, por deri tani nuk kam marrë pjesë.
CMG: Si ndjehesh që në një moshë të re e ruan kaq bukur këngën folklorike të trevës suaj?
Noel Pjetri: Unë jam krenar që në kohët moderne të ruash traditën dhe zakonet e të parëve tanë, dhe mundohem t’i përcjell ngapak.
CMG: Përveç këngës a luan në ndonjë instrument muzikor?
Noel Pjetri: Unë luaj në çiftelli, dhe këtë instrument e kam mësuar në një moshë madhore.
CMG: Mendon se të rinjtë i dëgjojnë dhe pëlqejnë këngët folklorike?
Noel Pjetri: Mendoj se këngët folklorike pëlqehen shumë nga rinia. Këtë gjë e shikoj nëpër rrjetet sociale, që e duan shumë muzikën folklorike. Kjo është një gjë e mirë, sepse dhe ne na ndihmojnë dhe na japin përkrahje dhe dashuri për të kënduar më shumë. Kur i pëlqejnë njerëzit dhe ne angazhohemi më shumë për të krijuar diçka të re.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Noel Pjetri me grupin e Dukagjinit në Festivalin Folklorik (Foto personale)
Noel Pjetri: Kam një këngë të re në bashkëpunim me kolegun tim Daniel Përgjoka, me motive kurbeti. Tekstin e kësaj kënge e ka shkruar Gjovalin Dushaj, muzika nga Pjetër Kola dhe orkestrimi Mario Marku. Kjo këngë besoj se do të jetë gati në fund të këtij muaji.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe dashamirësit e këngëve tuaja.
Noel Pjetri: Përshëndes dëgjuesit tuaj dhe gjithë shqiptarët kudo që janë.
Intervistoi: Gazmend Agaj