Foto nga instagrami
(Foto nga operafestalbania)
Nis javën e ardhshme Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja” në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Zërat e rinj operistikë nga e gjithë bota do të ngjiten në festivalin më të madh shqiptar, kushtuar muzikës klasike. Edicioni i 20-të do të zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 mars. Ky festival kontribuon në promovimin e imazhit të Shqipërisë, kulturës dhe artit shqiptar nëpër botë. Juria e festivalit përbëhet nga personalitete të rëndësishëm të operas botërore, drejtorë të teatrove evropiane, menaxherë dhe agjenci artistësh dhe këngëtarë lirikë, një mënyrë e mirë kjo për promovimin e arritjeve të këtij festivali në arenën ndërkombëtare.
Në festival konkurojnë këngëtarë të rinj lirikë nga e gjithë bota, nga mosha 20 vjeç deri në 34 vjeç. Edicioni i 20 i Festivalit do të zhvillohet në tri netë me rradhë, ku në natën e parë talentet e reja të operas do të interpretojnë në skenën e TKOB përballë jurisë ndërkombëtare, pa praninë e kamerave. Dy netët e fundit do të transmetohen drejtpërdrejt në Televizionin Kombëtar “Top Channel” që është edhe media partner e këtij festivali.
Iva Tico (Foto nga NRGradio)
Në Teatrin e Operas dhe Baletit do të ngjiten yjet e rinj të skenës operistike shqiptare dhe asaj botërore, të cilët do të interpretojnë ariet e përzgjedhura bashkë me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në një prononcim për mediat, zëdhënësja për shtyp e festivalit, Iva Tiço ka theksuar: “Tashmë jemi në edicionin e 20-të, kjo tregon një qëndrueshmëri, një punë vit pas viti, një publik që e mbështet, një publik besnik. Kur fillojnë e vijnë biografitë e këngëtarëve, janë miqtë tanë të parët që interesohen për datat dhe për biletat, të cilët janë në shitje. Ne jemi konservatorë në ndërtimin e festivalit “Marie Kraja”, janë 16 këngëtarë nga të gjithë kontinentet. Këtë vit është bërë një punë e mirë me përzgjedhje, ka CV që unë i kam parë nivelin e artistëve, dhe është fat për ne që t’i kemi në skenën e Teatrit të Operas. Në natën e parë këngëtarët konkurojnë përpara jurisë në qetësi të plotë, pa kamera, pra është një natë teknike, ku merren praktikisht shumica e vendimeve për natën finale. Më pas është nata e parë gjysmëfinale, e cila është në transmetim në Top Channel ditën e enjte, ku këndojnë 16 këngëtarët.
Ajo që është më e bukur dhe që njerëzit mezi e presin është një traditë e nisur vitin e shkuar, është që për t’i shoqëruar në duete, janë këngëtarët më të njohur pop shqiptarë. Vjet ishte një eksperiencë shumë e bukur, të shihje kombinim e zërave, të këngërëve të muzikës pop dhe zërave operistikë”
Zana Çela -Presidente e Festivalit Operistik -Marie Kraja (Foto nga operafestalbania)
Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja” u themelua në vitin 1999, nga Shoqata “Kulturë – Media – Art”, me synimin të promovojë dhe zhvillojë talentet e reja në fushën e artit operistik, duke mbledhur këngëtarë nga vende të ndryshme të botës, në një konkurs të standardeve artistike ndërkombëtare, e duke u rritur vit pas viti artistikisht.
Në këtë edicion të 20-të në natën e dueteve do të interpretojnë edhe artistë shqiptarë si Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Kamela Islamaj, Venera Lumani, Lind Islami, Era Rusi, Kejsi Tola, Enxhi Nasufi, të cilët do shoqërojnë artistët e rinj lirikë që janë në konkurrim. Këtë vit, rikthehet Australia në konkurim, nga Korea do të ketë shumë pjesëmarrës, si dhe nga Italia, Spanja etj. Sot në botë artistët operistikë e quajnë arritje nëse agjentët e tyre, arrijnë që t’i prezantojnë këngëtarët e tyre pranë drejtorërve të teatrove të operas, prandaj ky festival është shumë i rëndësishëm për karrierën e tyre artistike. Drejtor i festivalit është Klejvis Saliaj, me në krye ideatoren dhe presidenten e festivalit Zana Çela.
Sava Lena