Hope Justman përfundoi udhëtimin e saj të 24-t në "Shudao" në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore
Hope Justman, një amerikane 81-vjeçare, përfundoi udhëtimin e saj të 24-t në "Shudao" në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore ku ndodhet një sistem i lashtë rrugor me një histori prej më shumë se 2 mijë vjeçare. "E vetmja mënyrë për ta parë atë është të ecësh", - tha ajo.
I shtrirë në mbi 1000 km, "Shudao" - ose rrugët e Mbretërisë Shu - gjarpëron nëpër male të thyer dhe përrenj të trazuar, duke lidhur provincën e sotme Sichuan me rrafshnaltën veriore Guanzhong, dikur zemra e Kinës së lashtë.
Lidhja e Justman me sistemin e lashtë rrugor mund të gjurmohet në ditët e saj të kolegjit. Si pjesë e një kursi për letërsinë dhe artin kinez, ajo vizitoi një ekspozitë në Boston, ku një pikturë me titullin “Udhëtimi i Perandorit Minghuang në Sichuan”, tërhoqi vëmendjen e saj të plotë.
Pjesa e "Shudao"-s në Jiange të distriktit Guangyuan të provincës Sichuan / foto nga CFP
Malet e larta, pemët e gjelbëruara, përrenjtë malorë dhe rrugët dredha-dredha e bënin atë pikturë të thellë dhe të mrekullueshme, me një ndjenjë misteri.
"Më intrigoi veçanërisht rruga me dërrasa që rrethonte kreshtat malore në sfond",- tha ajo, duke shtuar se kur zbuloi se rruga ekzistonte në të vërtetë, ajo e dinte se duhej të shkonte në Kinë për ta gjetur atë.
Në vitin 1997, pasi lexoi pothuajse çdo libër në anglisht për udhëtimet në Kinë, më në fund gjeti "Shudao"-n me ndihmën e udhërrëfyesve vendas. “Ishte një rrugë e vjetër, dinjitoze dhe e bukur, ashtu si në pikturë”, - tha ajo.
Që atëherë, ajo ka bërë një pelegrinazh pothuajse vjetor në "Shudao", duke ecur deri tani më shumë se 400 km.
Justman jo vetëm që ndau fotot që bëri në sistemin e lashtë rrugor me miqtë dhe familjen në qytetin e saj të lindjes, Filadelfia, por gjithashtu krijoi një faqe interneti dhe shkroi një libër mbi të. Në vitin 2015, shoqja e saj xhiroi një dokumentar për "Shudao"-n dhe e ngarkoi atë në “YouTube”, duke tërhequr njerëz me të njëjtin pasion, që kërkuan të bashkoheshin me Justman.
Të premten e kaluar, Justman solli disa miq në seksionin Cuiyunlang të “Shudao”-s, në kontenë Jian'ge, qytetin Guangyuan. Qiparisat e lashtë përgjatë këtij seksioni kanë një moshë mesatare prej 1050 vjetësh, me pemën më të vjetër që daton afërsisht 2300 vjet më parë.
Aktualisht, seksioni Cuiyunlang ka 7,803 pemë të lashta, 7,778 prej të cilave janë qiparisa. Ai është bërë grupi më i gjerë dhe më i populluar i pemëve të lashta që rreshtojnë një shteg të krijuar nga njeriu, me ekzistencën më të gjatë të regjistruar.
"Unë mund të isha duke ecur në dinastinë Tang (618-907), kështu që mendoj se kam udhëtuar pas në kohë. Dhe kjo ishte tërheqja më e madhe për mua. Njerëzit e lashtë që kalonin para atyre pemëve, ashtu si dhe unë kaloj përmes të njëjtave pemë. Është vërtet e mahnitshme”, - tha ajo.
Ajo që gjithashtu mahnit Justman është se tradita e mbjelljes dhe mbrojtjes së qiparisit është përcjellë brez pas brezi.
Nga kohët e lashta në kohët moderne, populli kinez ka mbajtur gjithmonë të dhëna për mbrojtjen e pemëve të lashta. Sot ka një kod QR në çdo pemë të lashtë, i cili mund të skanohet për të ditur statusin e rritjes dhe moshën e saj.
"Janë të ruajtura bukur. Mendoj se kinezët i duan pemët e vjetra, madje edhe në qytete, çdo pemë e vjetër ruhet mirë. Edhe një pemë në mes të autostradës nuk e presin",- tha ajo.
Në vitin 2015, Justman mbolli një fidan në seksionin Cuiyunlang. Këtë vit, ajo dhe miqtë e saj mbollën dy të tjerë dhe premtuan se do të takoheshin përsëri aty vitin e ardhshëm.
"Unë jam amerikane. Por qiparisat që kam mbjellë më bëjnë të ndiej se një pjesë e imja ka mbetur ende në këtë vend të lashtë dhe jam shumë e lumtur",- tha ajo.