Egla Xhemalaj në finalen e konkursit ndërkombëtar të poezisë "Mili Dueli"
2024-03-22 15:21:06

Egla Xhemalaj ( foto personale)

Egla Xhemalaj ( foto personale)

Egla Xhemalaj ka studiuar për Gjuhë-Letërsisë  shqipe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Ajo është në proces përfundimit të masterit të dytë në drejtimin Teori dhe Kritikë Letrare si dhe është fituese e disa konkurseve letrare, në prozë dhe poezi. Është vlerësuar në workshopin "Sabbat", organizuar nga shkrimtari Agron Tufa, si një nga talentet më premtuese në horizontin poetik shqiptar. Krijimet e saj janë botuar në revista dhe gazeta letrare si: "Illz", "Gazeta Exlibris", "Republika e Librave" etj. Poezitë e saj janë përzgjedhur në antologjinë e poetëve " Poezi dhe Ajër". Shkrimet e Eglës në prozë e poezi janë interpretuar në hapësirën dedikuar poetëve të rinj në "Radio Club FM".  Ajo ka punuar në suplementet e kulturës në "Gazeta shqiptare", që prej vitit 2016, ndërsa aktualisht është gazetare kulture në "Syri TV", ku  drejton emisionin "Odeon", një hapësirë dedikuar zërave të artit dhe kulturës në Shqipëri.   Egla ka qenë pjesë e jurisë së Festivalit të Pavarur të Filmit "Idromeno", për të vlerësuar prurjet e kinematografisë shqiptare dhe botërore. 

Egla është pjesë e finales së Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë "Mili Dueli", ku garon me krijuesit më të mirë të poezisë botërore. 

Egla Xhemalaj ( foto personale)

Egla Xhemalaj ( foto personale)

CMG: Egla kur ka nisur marrëdhënia juaj me poezinë?

Egla Xhemalaj: Ka nisur herët, shumë herët. Kur isha ende një fëmijë dhe sapo hidhja hapat e vegjël të parë drejt shkollës. Unë jam rritur në një familje plot me dashuri dhe mbi të gjitha letërsi të mirë për të cilën si pikë kryesore referimi, kisha gjyshin tim. U rrita me personazhe, të cilët të nxisnin botën e ëndrrave. Kur shkova në klasë të parë dhe më pyetën, se çfarë kisha dëshirë të bëhesha kur të rritesha, përgjigja imë ishte: ‘Kur të rritem dua të bëhem si gjyshi im’. Fillova të shkruaja qysh në klasë të parë, ndieja një energji që më buronte së brendshmi, e kultivuar kjo edhe prej leximeve të shumta. Megjithatë rreth klasës së katërt dhe të pestë  nisa të shkruaj disi më seriozisht dhe mund të kem qenë 14-vjeç kur kam shkruar poezinë e parë të mirëfilltë. Kujtoj që ka qenë një poezi ndjesore, siç mund të ishte për një fëmijë. Ajo poezi ka rrënjosur tek mua kujtime shumë të bukura të asaj kohe. E më pas shkrimi ka vijuar si një proces që më ka dhënë fuqi. E shihja veten të bashkëlidhur me shkrimin.

CMG: Përmendët marrëdhënien me gjyshin tuaj dhe na kuriozon se si është raporti juaj?

Egla Xhemalaj: Ne bashkë ndajmë çdo mendim dhe opinion për letërsinë. Është busulla ime që më orineton për çdo hap që bëj dhe shpesh e kap veten me dëshirën për të marrë këshilla prej tij, sepse i ndjej shumë të nevojshme. Arrij të shoh tek ai një shembull tepër të mirë që më është dashur, fillimisht mua vetë për ta ndjekur e më pas edhe të tjerët. Këshillat e tij më të shpeshta janë  rreth të qenit më objektive kur bëhet fjala për librat. Ai është kritik shumë i mirë dhe ka një mendim shumë të ftohtë. Më ndjek shpesh në intervistat e mia dhe më këshillon të jem tepër emocionale dhe të përdor një gjuhë të thjeshtë me publikun.

Egla Xhemalaj ne intervsite me Inva Mulen( foto personale)

Egla Xhemalaj ne intervsite me Inva Mulen( foto personale)

CMG: Kujt i dedikohen poezitë e tua?

Egla Xhemalaj: Poezitë e mia përthithen nga të gjithë. Letërsia, poezia ka nisur tek unë shumë herët dhe fillimisht kam nisur me prozë e më pas poezi. Shpesh kam pasur brenda meje edhe dilema nëse duhet apo jo të shkruaj, por mesa duket triumfoi ëndrra ime. Vetë unë mendoj se kam lexuesit e mi shumë të nderuar të cilët më ndjekin, po ashtu me shumë vëmëndje dhe kritikë të duhur edhe pedagogët e filologjikut, të cilët nuk kanë rreshtur së më këshilluari, udhëzuari dhe ndihmuar në këtë rrugëtim. Do doja të përmendja një nga profesorët që mua më ka dhënë shumë, profesori Agron Tufa. Kujtoj që ai më ka orientuar si duhet në rrugën e shkrimit sepse shpesh kisha dilema, ka mjaftuar vetëm një fjali e tij ku më ka thënë: ‘Ti duhet të kesh shumë besim në vete pasi ke tepër talent’. Bisedat e tjera me miq për poezinë, mënyrën e të shkruarit dhe çdo gjë tjetër janë përjetime të përditshme të miat. Mendoj se kam lexues të mire. Unë ende nuk e kam botuar një libër timin, por nuk kam rreshtur së lexuari edhe në rrjete sociale edhe në fletë të bardha.

CMG: A jeni gati për të publikuar një libër?

Egla Xhemalaj: Shpesh më pyesin për këtë pjesë, por të jem e sinqertë po pres një tjetër moment dhe shpresoj që të jetë shumë shpejt. Materialet i kam të gjitha gati, por po pres një moment që të jetë i përshtatshëm në të gjitha rrethanat, por edhe dilemat e mia. E kam kaluar këtë fazë edhe me publikimet, unë shpesh publikohem edhe në platforma të tjera mediatike ose jo. Ajo që do doja të kishte edhe më tepër është që të rinjtë të mbështeten më tepër.

Egla Xhemalaj ( foto personale)

Egla Xhemalaj ( foto personale)

CMG: Si u bëtë ju pjesë e konkursit ndërkombëtar të poezisë "Mili Dueli"?

Egla Xhemalaj: Ishte krej e papritur për mua, ftesa më ka ardhur nga organizatori dhe më ka bërë të ditur se po zhvillohej një konkurs me poezi. Konkursi është ndërkombëtar dhe është online. Kjo është një garë shumë e bukur me poetë nga e gjithë bota. Më pas ne kemi edhe një person, që  do të jetë mentori ynë. Për mua është edhe Sara Isufi, shqiptare që punon dhe vepron jashtë vendit. Për mua ka qenë një moment shumë i rëndësishëm sepse më ka rritur edhe më shumë profesionalisht për mënyrën se si e kam konceptuar këtë periudhë. Çdo gjë ka qenë shumë korrekte dhe profesionale me zëra dhe letra tepër të rëndësishëm të letërsisë shqipe ndër vite.

CMG: Çfarë është poezia për ju?

Egla Xhemalaj: Për mua është mënyrë e vërtetë ekzistence, pa të mbase nuk do t’i shihja me kaq dritë ditët e mia. Është një mënyrë për t’u arratisur nga realiteti ku  jetoj. Duket sikur këto kohë sjellin kaos dhe vetëm poezia të shëron shpirtin.

Intervistoi  Megi Latifi