Skema Kombëtare në bujqësi 2024-mbështetje reale për fermerët
2024-03-22 10:23:13

Fermerët e mbështetur nga Skema (Foto realitetipost.net)

Fermerët e mbështetur nga Skema (Foto realitetipost.net)

Më 27 mars 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hap aplikimet për fermerët në Skemën Kombëtare të mbështetjes së tyre për këtë vit. Përparësi e qeverisë këtë vit janë ata fermerë që do të bashkohen, për të prodhuar të njëjtin produkt.

Bashkimi i fermereve në bujqësi dhe zhvillim rural nuk nënkupton bashkim pronash, por bashkim interesash dhe prodhimi, sepse vetëm kështu mund të rritet shkalla e ekonomisë së vogël rurale në Shqipëri, automatizimi i prodhimit dhe të synohet i njëjti treg.

Regjistrimi me NIPT, pra me numër fiskal identifikimi për fermerin është kusht, për të përfituar ndihmë shtetërore. Sot janë 97 mijë fermerë të regjistruar me NIPT, në krahasim me vetëm 4 mijë NIPT-e fermerësh në vitin 2023.

Qeveria synon të aplikojnë rreth 70 mijë fermerë, ose 77 përqind e numrit total të fermerëve të formalizuar. Çdo vit skemat e mbështetjes kanë nxitur formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë sonë bujqësore dhe të prodhimit bujqësor. Me Skemën Kombëtare 2024, bujqësia në serra mbështetet në vlerën 200 mijë lekë ose 1,920 euro për ha, për sipërfaqe 1 deri në 5 hektarë.

Prodhimet e fermerëve (Foto NOA)

Prodhimet e fermerëve (Foto NOA)

Për herë të parë këtë vit, janë eliminuar tavanet e aplikimit. Fermerët me sipërfaqe më të mëdha se 5 hektarë, do të përfitojnë 50 përqind të masës së financimit, për çdo hektar mbi 5 hektarët.  Aplikuesit në grupimet e bashkimit të fermerëve, do të përfitojnë të parët, çka nënkupton se qeveria synon të ndihmojë dhe të nxisë bashkimin e fermerëve, për të realizuar ekonomi të shkallës në prodhimin bujqësor.

Skema vijon të mbështesë me financim të drejtpërdrejtë naftën për fermerin, çka minimizon kostot e fermerëve për punimet e mekanizuara në fermë. Këtë vit, nafta do të shpërndahet nëpërmjet pagesës në lekë për ha, në llogarinë bankare të çdo fermeri fitues, e përllogaritur në bazë të normativave të konsumit të naftës, për sipërfaqe më të mëdha se 1 ha.

Kjo do të realizohet gjatë gjithë vitit, duke synuar edhe formalizim më të lartë të fermerëve në këtë Skemë. Fermerët me sipërfaqe më të mëdha se 10 hektarë, do të përfitojnë 50 përqind të masës së financimit për çdo hektar mbi 10 hektarët.

Me Skemën Kombëtare 2024, fermat me lopë mbështeten në vlerën 10 mijë lekë ose 96 euro për krerë, për tufa me 10 deri në 50 krerë lopë, ndërsa për çdo krerë mbi 50 lopë, jepet 50 përqind e financimit, duke nxitur më shumë rritjen e tufave dhe realizimin e një ekonomie shkalle. Fermat me dele dhe dhi mbështeten në vlerën 1200 lekë ose 11.5 euro për krerë, për tufa me 50 deri në 300 krerë. Jepet 50 përqind e financimit për çdo dele e dhi mbi 300 krerë.

Rikthehet mbështetja për sektorin e bimëve aromatike dhe medicinale, një sektor i rëndësishëm në eksportet tona bujqësore, me 30 mijë lekë ose 288 euro për ha, për 1 deri në 10 hektarë sipërfaqe. Sërisht, fermerët që kultivojnë sipërfaqe më të mëdha se 10 hektarë, do të përfitojnë 50 përqind të masës së financimit për çdo hektar mbi këtë sipërfaqe. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës  komenton Skemën Kombëtare të mbështetjes në bujqësi

Agim Rrapaj Kryetar i KASH në intervistë për CMG

Agim Rrapaj Kryetar i KASH në intervistë për CMG

CMG: Skema Kombëtare e mbështetjes në bujqësi nis aplikimet më datën 27 mars 2024, me tetë masa për nxitjen e prodhimit të fermerëve. Janë ato të duhurat, në gjykimin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, institucionit që ju përfaqësoni?

Agim Rrapaj: Po, janë masat e duhura. Të teta këto masa kanë nevojë për mbështetje. Kanë nevojë për subvencion.

Fermerët që punojnë në këta sektorë që do të mbështeten, e kanë të dosmosdoshme ndihmën me subvencion shtetëror, nisur nga shumë arësye.

Arësyeja kryesore janë faktorët objektivë, si rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe në tregun vendas të lëndëve të para, etj., të cilët kanë ndikuar në rritjen e kostos së produkteve për fermerin. Kemi njëkohësisht edhe faktorët subjektivë, që janë të pranishëm në prodhimin bujqësor.

Kështu që është domosdoshmëri që në momente të caktuara dhe në vlera të caktuara të zinxhirit të vlerës së ushqimit, të ndërhyhet me subvencion nga Shteti.

Këtë qëllim kanë të tetë masat e Skemës së Mbështetjes Kombëtare nga fondet e Buxhetit të Shtetit. Janë pesë sektorë kryesorë të bujqësisë dhe prodhimit tonë rural, që nuk munden që me kostot e tyre, të realizojnë një prodhim me një çmim të përshtatshëm për konsumatorin.

     

Agim Rrapaj Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (Foto CMG)

Agim Rrapaj Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (Foto CMG)

CMG: Ndërkohë, kemi vënë re që qeveria, me drejtuesit e saj të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, është e angazhuar në të gjitha rrethet e vendit, për ta prezantuar dhe diskutuar këtë Skemë Kombëtare, në mënyrë që aplikimet të jenë sa më të shumta. Besoj edhe struktura juaj, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar është e angazhuar, me anëtarët dhe me produktet e saj të informimit, si Gazetën e Agrobiznesit, në promovimin e Skemës. Si e gjykoni, pjesëmarrja e fermerëve në Skemë do të jetë akoma dhe më e lartë, se sa në vitin e kaluar?  

Agim Rrapaj: Unë gjykoj dhe shpresoj që pjesëmarrja të jetë më e lartë nga ajo e vitit të kaluar, për arësye se Skema këtë vit ka disa lehtësi.

Këto lehtësi e bëjnë të mundur edhe rritjen e numrit të aplikuesve, për arësye se edhe vetë fermerët që i plotësojnë kushtet janë shtuar tashmë. Kanë shkuar në mbi 100 mijë fermerët-subjekte, që mund të aplikojnë tek Skema Kombëtare dhe mund të shpallen fitues.

Vitin e kaluar kishim rreth 65 mijë fermerë fitues. Këtë vit, Ministria parashikon që të ketë rreth 70 mijë fermerë aplikues dhe fitues.

Mendimi ynë si Këshill i Agrobiznesit Shqiptar, është që këtë vit është i mundshëm të rritet numri i aplikimeve, për arësye se Skema është e thjeshtë, por edhe sektorët që mbështeten, janë sektorë me një pjesëmarrje të gjerë të fermerëve, si bujqësia, blegtoria, bimët mjekësore dhe aromatike. Njëkohësisht kemi edhe sektorin e çertifikimeve të këtyre subjekteve dhe pikërisht fermat organike.

Të gjitha këto së bashku bëjnë atë që fermerët të jenë të interesuar, në sektorët që përmendëm.

Njëkohësisht, një arësye tjetër e madhe, që ne u bëjmë thirrje të aplikojnë sa më shumë, është fakti që qeveria ka premtuar, që në ndryshimet në fondet buxhetore në periudhën në vijim, do të rrisë edhe masën e subvencionit si shumë totale. Kështu që ekzistojnë premisat që ata fermerë që do të aplikojnë, të jenë edhe fitues.     

Mbështetja e fermerëve (Foto Revista Monitor)

Mbështetja e fermerëve (Foto Revista Monitor)

CMG: Sa i ndihmon eksportet tona bujqësore kjo Skemë e mbështetjes nga shteti? A i përparëson Skema Kombëtare me fonde dhe sektorë eksportet bujqësore të Shqipërisë? Po eksportet tona bujqësore për në Kinë si po ecin? Në tërësi, tregtia e produkteve bujqësore me këtë vend të madh, si ka evoluar?

Agim Rrapaj: Kjo Skemë mbështetjeje natyrisht që ka në vëmendje rritjen e eksporteve bujqësore.

Ka në vëmendje rritjen e cilësisë së prodhimit bujqësor dhe shtimin e eksporteve, për arësye se në këtë Skemë realisht janë të mbështetura bimet mjekësore dhe aromatike të Shqipërisë, që kryesisht shkojnë për eksport, në një vlerë rreth 65 milionë euro në vit eksporte.

Po kështu, Skema ka në qendër të vëmendjes çertifikimin e produkteve organike, përmes Çertifikates Global GAP në rradhë të parë dhe çertifikatave të tjera.

Duke pasur në vëmendje subvencione për këto masa, kjo tregon se qeveria po synon rritjen e cilësisë së prodhimit tonë bujqësor e blegtoral. Dhe rritja e cilësise hap më shumë tregje me vlerë të lartë, për eksportet tona bujqësore dhe të zhvillimit rural.

Qeveria ka objektivin që në vitin 2030 të arrijmë nivelin e 1 miliardë euro eksporte bujqësore. Për vitin 2023, eksportet tona bujqësore arritën shifrën e 570 milionë eurove dhe mendoj se po ecim në mënyrë normale, në rritje në vlerë. Në sasi të eksporteve ka disa luhatje, por në vlerë rritja është e vazhdueshme.

Marrëdhëniet tregtare me Kinën unë i shoh marrëdhënie të qëndrueshme, për arësye edhe të kontributit që jep një komunitet i rëndësishëm kinez, që është në Shqipëri. Ky komunitet është një urë lidhëse mes të dy vendeve tona. Ai punon prej vitesh tashmë këtu dhe funksionon në mënyrë normale. Ai ka ngritur biznese të shumta. Shkëmbehet eksperienca mes të dyja vendeve.

Unë mendoj se marrëdhëniet me Kinën janë të rëndësishme për ekonominë tonë bujqësore në veçanti, për arësye se janë të mirënjohura. Mes të dyja vendeve ka një shkëmbim afatgjatë dhe trajnimi për produktet bujqësore kineze është më i lehtë, se sa për produktet e vendeve të tjera.

Ne si Këshill i Agrobiznesit Shqiptar besojmë se marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Kinën do të shtohen, në mënyrë që të fitojmë reciprokisht. Gjykoj se edhe eksportet shqiptare në Kinë kanë pësuar rritje, por edhe importet nga Kina vazhdojnë normalisht.    

Skema Kombëtare në bujqësi 2024 (Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural)

Skema Kombëtare në bujqësi 2024 (Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural)

CMG: Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka prezantuar në publik për vërejtje dhe sugjerime, Strategjine Kombëtare të Zhvillimit të Agroturizmit. Në gjykimin tuaj, a e mbështet Skema Kombetare 2024 këtë sektor relativisht të ri, por me shumë perspektivë dhe premtues për zhvillimin tonë rural dhe zinxhirin ushqimor në vend?

Agim Rrapaj: Sektori i agroturizmit është një sektor kompleks dhe ndodhet në fillimet e tij. Skema Kombetare 2024 nuk e mbështet direkt këtë sektor, por i jep një ndihmesë indirekte.

Ndihma indirekte janë produktet më cilësore që Skema mbështet, çertifikimi Global GAP, çertifikimi i produkteve organike, mbështetja e fermave organike, etj.

Të tëra këto masa së bashku, bëjnë atë që në bujtinat tona, në objektet tona të përshtatura për agroturizmin, të kemi produktet tona tradicionale, me një cilësi shumë të mirë.

Ky është impakti i parë që jep për agroturizmin Skema Kombëtare. Ndërsa në nivel të shërbimeve të agroturizmit dhe hallkave të tij, kjo Skemë nuk ka mbështetje, për arësye se qeveria shqiptare sapo ka hedhur për diskutim publik Strategjinë kombëtare për agroturizmin deri në vitin 2030.

Ne shpresojmë që pas miratimit të kësaj Strategjie, të kemi edhe një mbështetje direkte për agroturizmin, nga Skema Kombëtare në bujqësi dhe zhvillim rural.

Besoj se agroturizmi do të marrë një mbështetje edhe nga fondet IPARD III të Bashkimit Evropian, që janë për momentin fonde në pritje, por besoj se shumë shpejt edhe këto fonde do të disbursohen, në mënyrë të tillë që të kemi sa më shumë fonde edhe në këtë sektor.

Agroturizmi tek ne është një sektor në rritje dhe me mjaft perspektivë për vendin tonë.          

 Intervistoi  Fatos Çoçoli