“Nuk duhet t’i takoni kurrë heronjtë tuaj, pasi mund t'ju zhgënjejnë”, thotë një shprehje e vjetër në Perëndim. Por, për fat të mirë, Wang Hedi nuk u rrit në Perëndim. Ai u rrit në Leshan, në provincën kineze Sichuan. Rreth 15 vjet më parë, kur ishte nxënës filloreje, ai shfletoi një revistë basketbolli dhe lexoi historinë e një njeriu që do të bëhej një legjendë sportive, LeBron James.
Ashtu si Wang James lindi në një qytet të vogël, në Akron, Ohio. I rritur nga një nënë beqare, ai sfidoi shanset duke arritur me shpejtësi famën, nga suksesi në shkollën e mesme deri në hyrjen në NBA në moshën 18-vjeçare, përpara se të kurorëzohej “mbret” i basketbollit.
Historia e triumfit të James e emocionoi së tepërmi Wang, i cili filloi të gjurmonte karrierën e heroit të tij të sapogjetur, vetëm për t'u frymëzuar më tej nga mënyra e patrembur në të cilën luajti James.
foto: ChinaDaily
“Mënyra e fuqishme dhe agresive se si James e përplas topin në koshin e basketbollit është mahnitëse dhe vërtet emocionuese”,- thotë Wang.
Ky fans i përkushtuar, njësoj si idhulli i tij, u rrit dhe kapërceu kufijtë e qytetit të tij, duke u shndërruar në një nga talentet më të njohura dhe tërheqëse në Kinë.
Wang përjetoi ëndrrën e tij të fëmijërisë, kur mori pjesë në lojën e të famshmëve të NBA-së All-Star në stadiumin “Lucas Oil”, në Indianapolis, më 16 shkurt, duke shënuar 18 pikë në vetëm 21 minuta, duke vendosur një rekord të ri për pikët më të larta të shënuara nga një personazh i famshëm kinez.
Ai u takua dhe me heroin e tij, LeBron James, duke shkëmbyer fillimisht një shtrëngim duarsh, një përqafim dhe më pas arriti të merrte autografin aq të kërkuar të mbretit të basketbollit.
“Ky ishte padyshim udhëtimi i ëndrrave të mia”,- deklaroi Wang gjatë një sesion fotografik në Pekin.
foto: ChinaDaily
Paraqitja e 25-vjeçarit në fushën e NBA-së, duke kaluar nga një lojtar zëvendësues në golashënuesin e dytë më të mirë për “Team Shannon” – i emëruar sipas trajnerit legjendar të NFL-së Shannon Sharpe – kënaqi një sërë tifozësh të basketbollit kinez, veçanërisht kur ai realizoi një goditje spektakolare me katër pikë për të mbyllur performancën e tij yjore.
“Wang me të vërtetë u dallua në lojë. Ai u bë lojtari i gjashtë më i mirë i lojës”,- tha Su Qun, komentatori i basketbollit të “Tencent Sports”.
Edhe pse nuk është shumë i aftë me anglishten, Wang e sheh basketbollin si një mjet komunikimi kulturor.
“Team Shannon” përbëhej nga të famshëm dhe yje të sportit që përfshinin përkrahësin e linjës NFL, Micah Parsons, YouTuber-in kanadez dhe prezantuesin televiziv Lilly Singh, aktorin amerikan Quincy Isaiah dhe reperin portorikan Anuel AA.
“Në takimin e parë të ekipit në dhomat e zhveshjes, anglishtfolësit u njohën shpejt. Ata kënduan këngë që nuk i kisha dëgjuar dhe me pengesën gjuhësore, nuk mund të bashkohesha në bisedë, gjë që fillimisht më bëri të ndihem pak i rezervuar. Megjithatë, kur dolëm në fushë për nxehje, komunikimi u përmirësua me pasimin e topit dhe duke përdorur gjeste basketbolli me ta. Pasi shënova gjatë ndeshjes, shkëmbeva përplasje duarsh dhe goditje në gjoks me shokët e skuadrës dhe filluam të lidheshim”,- kujton Wang.
Pasioni i Wang për sportin filloi në shkollën fillore, kur ai merrte pjesë në stërvitje basketbolli çdo të enjte. Fillimisht, Wang u regjistrua në klasën e badmintonit, duke u ushtruar në fushën e shkollës me mësuesin.
foto: ChinaDaily
“Zona ku ne ushtroheshim për badminton ishte afër fushës së basketbollit dhe dyshe badminton mund të luhen vetëm me katër persona.
E pashë basketbollin, i cili është pesë me pesë dhe më i gjallë. U tërhoqa menjëherë dhe nisa të luaja basketboll”,- thotë ai.
Që nga ai moment, loja u bë pjesë e rregullt e jetës së tij shkollore. “Atëherë, unë konsiderohesha si mjaft i aftë në mesin e lojtarëve në rrethin tim. Shokët e skuadrës ishin të gatshëm të më kalonin topin, duke u mbështetur tek unë për të shënuar dhe unë gjithmonë do ta imagjinoja veten si një yll basketbolli”,- thotë Wang.
Sportet konkurruese kërkojnë vendosmëri, një ndjenjë besimi dhe një mentalitet fitues. Besimi i tij në fushë është shtrirë përtej kufijve dhe në jetën e tij të përditshme. Kur ishte student në Kolegjin e Sichuan Jugperëndimor të Aviacionit Civil, Wang zhvilloi një interes për kulturën hip-hop. Duke marrë pjesë aktive në konkurset dhe shfaqjet e talenteve të shkollës, ai tërhoqi vëmendjen e mësuesve, duke e çuar në një sesion fotografik për kopertinën e revistës së shkollës.
Në vitin 2017, në moshën 18-vjeçare, ai udhëtoi i vetëm në Changsha, në provincën Hunan, për të marrë pjesë në një “talent show” si pjesëmarrës amator dhe ishte i vetmi që nuk ishte kontraktuar nga një kompani. Pavarësisht se nuk kishte përvojë të mëparshme të performancës profesionale, besimi dhe guximi i tij, kombinuar me komunikimin e hapur dhe natyrën e tij shprehëse, tërhoqi vëmendjen e gjyqtarëve. Kështu ai fitoi mundësinë për t'u bërë protagonisti kryesor në serialin televiziv “Meteor Garden” në vitin 2018. Kjo do të ishte mundësia e tij e madhe.
Në verën e vitit 2022, u transmetua drama e fantazisë në internet “Love Between Fairy and Devil”, ku Wang luante protagonistin kryesor. Seriali u bë shpejt viral falë efekteve speciale të ekzekutuara mirë, zhvillimeve inovore të personazheve dhe portretizimit të dashurisë të karakterizuar nga pavarësia dhe respekti i ndërsjellë.
foto: ChinaDaily
Wang fitoi shumë fansa, duke grumbulluar mbi 20 milionë ndjekës në platformën kineze të mediave sociale “Sina Weibo”.
Në botën imagjinare të dramës së fantazisë, personazhi i Wang-ut, Dongfang Qingcang, është një forcë e natyrës, i karakterizuar nga vetmia dhe qetësia. Ai heq dorë nga aftësia e tij për të përjetuar lumturinë dhe dashurinë në kërkim të forcës.
Ndërsa, në realitet, Wang është gjithmonë i rrethuar nga miq, duke u argëtuar e krijuar gjallëri.
Ai nuk ngurron të thotë: “Adhuroj gjithçka për veten time”. Ai krijon lehtësisht miqësi të reja në çdo “reality show” ku merr pjesë.
“Më duket më tërheqës vetëbesimi dhe qëndrimi i tij i qetë se të qenit i bukur. Në vend që t'i nënshtrohet dyshimit për veten dhe të ndalet në gjëra negative, ai thjesht ndjek me guxim atë që dëshiron. Këtë aspiroj të arrij dhe unë”,- thotë Su Gege, një fanse e Wang.
Wang u rrit në një familje të dashur me prindërit e tij që drejtonin një restorant. Gjatë çdo pushimi dimëror dhe veror të fëmijërisë së tij, ai ndihmonte prindërit në përgatitjen e ushqimit në restorantin e tyre. Pasi fitoi famë, sa herë që kthehet në Leshan, ai ende mund të gjendet duke ndihmuar në kuzhinë.
Dy vite më parë ai u bë një personazh i famshëm shumë i kërkuar, por nuk e konsideron këtë si një pikë kthese. “Nuk i shikoj punët e bëra tani si pikë kyçe në karrierën time të aktrimit, por e marr si sfidë për rritje çdo projekt që marr përsipër”,- thotë ai.
Gjatë kthimit të fundit në Leshan, ai u bashkua me miqtë e fëmijërisë. Ai vazhdon të zbatojë parimet e miqësisë që nga fëmijëria për të bërë miq të rinj sot. “Nuk përpiqem t'i lexoj njerëzit ose t'u bëj lajka. Ka shumë rëndësi t’i trajtosh të tjerët me sinqeritetet; nuk është aq e komplikuar”,- thotë Wang.