Nga Pafajësia në Pafajësi nga Julian Bulku (Foto nga instagrami)
Artisti Julian Bulku propozon për skenën shqiptare një performancë ndryshe. “Nga Pafajësia në pafajësi” do të shfaqet më 18, 19 dhe 20 prill në Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli” në kryeqytet. Performanca e artistit Julian Bulku ndërthur elemente të baletit modern, shoqëruar nga skenar i lexuar dhe i performuar gjatë shfaqjes, me muzikë dhe teatër. Teksti dhe performanca bashkojnë në mënyrë artistike dhe abstrakte kulturën shqiptare dhe realitetin e përditshëm të kryeqytetit, të pasuruara me grimca nga jeta e protagonistit, duke përfshirë frikërat, mendimet, përvojat, dhe nostalgjitë e tij si njeri dhe si artist. Emigrimi është një nëntekst i shfaqjes, jo vetëm si një realitet normal për thuajse të gjithë shqiptarët, por edhe sepse ky largim nga vendi përkon edhe me dëbimin nga 'Edeni' i pafajësisë apo dhe i fëmijërisë. Kthimi në pafajësi lidhet me zhvillimin shpirtëror të artistit, por dhe me kthimin në vendlindje, pasi kjo është performanca e parë e balerinit, pas kthimit nga emigrimi në Europë.
Artisti Julian Bulku (Foto nga instagrami)
Në këtë shfaqje, skenari origjinal përfshinpoezi shqiptare dhe përkthime të vargjeve nga poetë të zgjedhur botërore, si edhe pjesë nga legjendat shqiptare si ajo e Rozafës. Kështu, trajtohen në mënyrë implicite traditat gjinore në kulturën shqiptare, por edhe në jetën apo mendimet e protagonistit. Temat kryesore të performancës përfshijnë zhvillimin e jetës, nga pafajësia e një fëmije deri tek përpjekjet e një artisti për të njohur veten, dhe për të arritur shpirtërisht dhe artistikisht atë që ai kërkon në vendin e tij.
Julian Bulku (Foto instagrami)
Performanca mbetet në thelb shqiptare dhe mund të interpretohet edhe si një vepër dedikuar vendlindjes. Në këtë kuadër, elemente të folklorit shqiptar, si fustanella dhe qeleshja, apo edhe elemente të përzgjedhura të valleve shqiptare, të cilat balerini i zotëron në mënyrë profesionale, do të përdoren jo vetëm si elemente estetikë, por edhe si një shpalosje e bukurisë së trashëgimisë kulturore shqiptare. Muzika e përzgjedhur është gjithashtu e kompozuar tërësisht nga artistë vendas. Këto elementë kanë rëndësi të veçantë pasi shfaqja projektohet të vihet në skena të ndryshme ndërkombëtare, ku prezantimi i kulturës shqiptare në mënyrë kaq githëpërfshirëse, pasi ajo përfshin balet, valle, veshje popullore, muzikë dhe letërsi shqiptare, si edhe trajtimi njëkohësisht modern dhe tradicional i dhuron një vlerë edhe më të madhe kësaj performance.
“Nga Pafajësia në Pafajësi” do të ketë protagonist artistin Julian Bulku dhe të ftuar Gean Arbana, Nermin Strazimiri, Eva Muhameti, Panagiata Styliamori, Laura Dramalli, Sier Vaso dhe të tjerë. Drejtor Artistik i performances “Nga Pafajësia në Pafajësi” është vetë artisti Julian Bulku, me regji nga Inis Gjoni, shkruar nga Kleitia Vaso dhe Jora Vaso. Vepra vjen me leximin e aktorëve Rajmonda Bulku, Bujar Asqeriu, Erli Bineri, Gean Arbana dhe Julian Bulku. Muzika është realizuar Alban Laro, me kostumografi dhe skenografi nga Meri Meraj, piktor Bledar Gramo dhe fotografi është Lauren Bekteshi.
Sava Lena