Autoportret- foto Guri Madhi Web
Guri Madhi është një artist i mirënjohur në panteonin e pikturës shqiptare. I talentuar, i lindur me një shpirt krijues e fantazi të ndezur, me prirje drejt arteve moderne, Guri Madhi është autori i mbi 400 veprave, të realizuara në rreth 30 vjet. Ai u lind në Korçë më 15 maj të vitit 1921 dhe u largua nga jeta në vitin 1988 në Budapest.
Pas përfundimit të shkollës fillore, Guri Madhi ndoqi për dy vite shkollën e mesme italiane në Korçë, që kishte për bazë vizatimin. Pas vitit të dytë, kjo shkollë u mbyll dhe ai u detyrua të ndërpriste studimet e të fillonte punë në kinematë e qytetit të tij. Pas përfundimit të luftës çlirimtare, ku edhe mori pjesë, ai filloi punë si piktor në Shtëpinë e Kulturës dhe më pas si ndihmës-skenograf në Teatrin e Korçës, ku skenograf punonte një nga piktorët më të njohur shqiptarë të asaj periudhe, Vangjush Mio. Në ato vite, shumë të rinj artistë ndoqën studimet e larta në ish – Bashkimit Sovjetik. Të njëjtin fat pati edhe piktori Guri Madhi. Që nga viti 1950 ai fillon studimet në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) dhe i përfundon në 1956 me rezultate të shkëlqyera. Kjo konsiderohet edhe si periudha e parë në krijimtarinë e piktorit, ku ai dallohet për prirjet impresioniste. Njerëzit më të dashur të tij, nëna, babai, gruaja, mbeten ndër portretet më të dashura të realizuara nga artisti.
Portret i piktorit Abdurrahim Buza - foto Guri Madhi Web
Tema e tij e diplomës së vitit 1956 “Bajram Curri në shpellën e Dragobise“ tregon Heroin Kombëtar, Bajram Curri në stilin tipik të impresionistëve rusë. Më pas ai do të kthehej në Shqipëri, ku do të fillonte punën si pedagog në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë.
Nëse sot kemi një Universitet të Arteve, ku vit pas viti përgatiten dhe inkurajohen artistë të rinj për të vazhduar rrugën e tyre në art, kjo falë edhe të një personaliteti të rëndësishëm të botës së artit të viteve ’60 në vendin tonë, artistit Guri Madhi. Ai është një nga tre pedagogët që themeluan Institutin e lartë të Arteve figurative (sot Akademia e Arteve). Por peripecitë ndoqën fatin e tij të jetës dhe të artistit.
Malesori - foto Gruri Madhi Web
Nusja - foto Grui Madhi Web
Piktori Guri Madhi ka patur një jetë të vështirë si shumë artistë të tjerë. Janë veprat e tij, që flasin qartë për tendencat apo dëshirat e tij për të punuar një pikturë jashtë kornizave. Kuptohet që pikturat e realizuara prej tij rreth viteve’60, nuk mund të ekspozoheshin. Për fat ato janë të ruajtura në studion e tij dhe trashëgohen nga familjarët, megjithëse fatkeqësisht një pjesë e tyre edhe janë zhdukur. Të gjitha këto vepra, edhe për arsye të temperamentit të tij, i shkaktuan artistit disa probleme. Pikturat e kësaj faze janë një dëshmi tjetër e përpjekjeve të tij për të bërë diçka ndryshe në artin e atyre viteve. Pikturat e kësaj periudha i kanë të shfaqura hapur dhe qartazi ndikimet surrealiste që karakterizojnë fazën e dytë të artistit.
Me raporte aspak miqësore me parimet realizmit socialist, ai pikturon, rrezikon dhe largohet nga profesioni. Nga viti 1961 deri në vitin 1971, ai punon në ndërmarrjen Artistike të Tiranës dhe vetëm pas 10 vitesh, me shumë përpjekje arriti të kthehej mes artistësh. Dhjetë vitet në distancë në fakt nuk e kishin penguar artistin që ta zhvillonte veten si piktor. Gjatë këtyre viteve ai ndryshon stilin, duke shkuar drejt impresionizmit e sidomos fovizmit, pra duke mos hequr dorë nga dëshira për prirje drejt artit modern, pavarësisht pengesa që ngriheshin para tij.
Shpella e Dragobise- foto Guri Madhi Web
Dy heronj, C. Topulli, M. Grameno - foto Guri Madhi web
Mbas vitit 1974 ka pasur një periudhë më të qetë për Guri Madhin. Në atë periudhë me sa duket kjo qetësi ndikoi tek ai që të ndërtonte stilin e vet. Tashmë ai udhëhiqet nga piktura ekspresioniste dhe abstrakte. Në vitin 1987 me shumë përpjekje ia del të hapë një ekspozitë e cila kaloi në disa faza seleksionimi, ku piktorit i kërkohej vazhdimisht të ndryshonte, të hiqte apo të shtonte diçka.
Pati individë e struktura ta caktuara, të cilat kundërshtuan hapjen e ekspozitës, pasi nuk i konsideruan si vepra të realizmit socialist. Kjo bëri që të mblidheshin komisionet e larta shtetëror të asaj kohe dhe pas shumë mbledhjesh, kjo histori zgjati mbi një muaj, më së fundi u hap drita jeshile, ekspozita u vendos që të hapej për një publik të gjerë. Ekspozita ia arriti qëllimit të saj, qëndroi rreth një muaj e hapur dhe shërbeu si një lloj sinjali për artin shqiptar.
Skenderbeu - foto Guri Madhi web
Kthimi i Skenderbeut me fitore - foto Guri madhi Web
Tabllotë me temë historike, ku ai pikturon heronj, si: Skënderbeu, luftëtarë shqiptarë, beteja të luftës çlirimtare, por edhe tema lirike, si: portrete grash, vajzash, apo kompozime lirike, dëshmojnë për një piktor të mrekullueshëm dhe impresionues.
Punë të tilla si: “Portreti i Skënderbeut”, “Para pushkatimit”, “Kur nuk shkoj në stadium”, “Portreti i Aidës”, “Kthimi i fitores së Skënderbeut në Krujë”, etj., pavarësisht se nuk njihen nga publiku, pasi fatkeqësisht ose u kritikuan, ose nuk u ekspozuan dhe humbën, ose u varën në zyra qëndrore të pushtetit, dëshmojnë talentin e jashtëzakonshmë të piktorit dhe paepshmërinë e tij.
Idriz Seferi - foto Guri Madhi WEB
Pas betejes- foto Guri Madhi Web
Drejt vitete të fundit të jetës ai u largohej gjithmonë e më shumë rregullave strikte. Edhe kur nuk mund t’i shfaqte veprat e tij në ekspozita, ai ishte në gjendje të pikturonte sipas dëshirave dhe frymezimit të tij. Me një jetë të trazuar, plot privime dhe mes sfidave të lirisë krijuese, Guri Madhi ngelet edhe sot tërheqës, i pakontestueshëm për nga vlerat, modern, me nuanca të fovizmit, ekspresionizmit e simbolizmit.
Gruaja e piktorit - foto Guri Madhi- WEB
Gruaja e piktorit me veshje tradicionale- foto Guri Madhi Web
Nëna e piktorit - foto Guri Madhi Web
Për veprimtarinë e tij në artet figurative, Guri Madhi nderohet nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhrin “Naim Frashëri” – shkalla e parë në vitin 1972. Galeria e Arteve në Korçë sot mban emrin e tij, në nder të birit të saj piktor. Po kështu rrugë në Tiranë dhe Korçë mbajnë emrin e tij. Ndërkohë që vepra e Guri Madhit është pjesë e Enciklopedive të rëndësishme botërore.
Me artin e tij ky artist pasuroi jo vetëm krijimtarinë e tij, por edhe artin shqiptar në përgjithësi. Në to arriti të tregojë para publikut shpirtin, ndjesinë, frymëzimin e një artisti, i cili ka ditur t’a sjellë historinë shqiptare të luftës dhe aktualitetit përmes veprave dinjitoze të një mjeshtërie të rrallë.
Me artin e tij, Guri Madhi preku momente të rëndësishme për vendin tonë, të cilat mbeten si dëshmi e një arti të angazhuar, krijuar nga një artist patriot.
Neritana Kraja
Valbona - foto Guri Madhi web
Kostandini dhe Doruntina - foto Gruri madhi Web
Duke pritur per ndeshjen e futbollit- foto Guri Madhi Web