Poeti Horgito Hoxha (Foto personale)
Horgito Hoxha është një poet i ri nga Devolli i Korçës. Ai që në moshën 12 vjeçare ka nisur të shkruaj poezitë e tij të para dhe tani numërohen 1000 krijime, disa prej të cilave janë përfshirë në librin e parë të tij me poezi “Zhurmë ëndrrash”. Horgito ka kryer studimet në shkollën profesionale për hoteleri-turizëm dhe aktualisht studion për regji filmi dhe televizioni në Universitetin e Arteve. Libri i tij i parë me poezi është pritur mjaft mirë nga kritika letrare dhe lexuesit. Horgito thotë se së shpejti do të botojë poezi të tjera, por dhe një libër me tregime dhe roman. Në një intervistë për Radio Ejani Horgito tregon pasionin për poezinë, filmin dhe televizionin, si dhe projektet e reja në fushën e letërsisë.
Horgito Hoxha ne interviste per CMG
CMG: Si ka lindur pasioni për të shkruar poezi?
Horgito Hoxha: Pasioni për të shkruar poezi ka lindur në moshën 12 vjeçare. Në shkollën time 9-vjeçare bëhej një konkurs çdo vit, që një nxënës për çdo klasë që kishte pasion për të shkruar, poezia e tij botohej në gazetën e shkollës Feniks. Unë shkrova një poezi për Shqipërinë, më shumë të kërkuar sesa të frymëzuar dhe poezia ime ishte më e mira e klasës që u botua në gazetën e shkollës. Këtu lindi dhe frymëzimi im për të shkruar poezi.
CMG: Pas këtij suksesi me poezinë e parë vijove të shkruash poezi të tjera?
Horgito Hoxha: Pasi doli kjo poezi në gazetë, unë fillova të lexoja poezi, për të ditur se çfarë ishte bota e poezisë. Fillimisht kam lexuar Dritëro Agollin, dhe ëndrrat e para të çdo fëmije ndryshojnë, por një ëndërr e imja që të bëhesha si Dritëro Agolli vazhdon edhe sot. Duke patur këtë ëndërr vazhdova të shkruaj poezi kryesisht për nënën dhe për çdo gjë që ka lidhje me fshatin dhe jetën baritore më shumë. Kështu që krijova disa dorëshkrime me poezi të ndryshme.
CMG: Ke lindur dhe je rritur në Devoll, që është dhe vendlindja e Dritëro Agollit. Besoj se kjo lidhje e përforcon më shumë dëshirën për t’u bërë si ai?
Horgito Hoxha: Ne jemi të dy nga Devolli, siç dhe Dritëroi thoshte se atje balta është më e ëmbël se mjalta, ndërsa unë them që dhe gurët atje flasin me figura letrare. Kështu që kjo lidhje e jona besoj se ka funksionuar. Unë shkruaj në stilin e Dritëroit dhe besoj që poezia ime dhe ajo e Dritëro Agollit të jenë në të njëjtën lartësi një ditë.
CMG: Si kanë reaguar miqtë kur lexonin poezitë e tua të publikuara në rrjetet sociale?.
Horgito Hoxha: Fillimisht poezitë i kam shkruar nëpër fletore, letra dhe kapakë librash, dhe ja tregoja vetëm njerëzve të afërt, familjes ose shokëve. Më pas kur fillova të postoja ndonjë poezi që më pëlqente më shumë, disa profesionistë të poezisë më thanë që poezia ime mund të vlejë. Nga reagimet e mira që mora, kur fillova të postoja poezi, mendova që ishte një rrugë e mirë për t’u bërë i njohur disi me poezinë time.
Libri Zhurme Endrrash, Horgito Hoxha (Foto personale)
CMG: Si erdhi dëshira që poezitë e tua të botoheshin në një libër?
Horgito Hoxha: Dëshira për të patur një libër të parë erdhi kur isha në shkollën e mesme. Duke lexuar shume libra me poezi, mendova që dhe unë të kisha librin tim. Mblodha të gjitha dorëshkrimet dhe kur fillova t’i numëroj ato ishin mbi 1000. Mendoj që ishte momenti më i vështirë i imi kur fillova t’i ndaja poezitë, sepse ishte si të ndaje shpirtin fije-fije, që të vendosje se një poezi vlente për t’u botuar dhe një tjetër ishte më pak e bukur. Kështu që zgjodha afërsisht 100 poezitë e mia, dhe vendosa t’i çoja në një shtëpi botuese, për t’i redaktuar dhe botuar në një libër të parë.
CMG: Çfarë temash ke trajtuar në poezitë e librit të parë?
Horgito Hoxha: Poezitë e mia në librin “Zhurmë ëndrrash” janë të shkruara nga mosha 12 vjeçare deri në 20 vjeçare, dhe 70 për qind e tyre janë poezi të moshës së fëmijërisë që kanë lidhje me jetën e fshatit, sidomos me jetën e gruas. Për mua figura e gruas është shumë e rëndësishme, por dhe figura e nënës domosdo. Disa poezi janë të shkruara për vdekjen, jo për atë që vdekja është. Unë mendoj që ne kemi një jetë dhe një vdekje, por këto janë në një mënyrë akronike të vendosura përballë njëra-tjetrës, pasi jeta të jepet njëherë dhe vdekja njëherë, por vdekja është e pafundme. Unë i kam shkruar në këtë aspekt poezitë për vdekjen.
CMG: Cilat kanë qenë përshtypjet e lexuesve për librin e parë me poezi?
Horgito Hoxha: Kur e botova librin nuk e mendova që do kishte kaq shumë kërkesa për ta lexuar atë. Sapo e postova në rrjetet e mia sociale, pata shumë kërkesa për ta lexuar librin, dhe e kam dorëzuar te një pjesë e mirë e rrethit tim miqësor. Ata kanë patur reagime shumë të mira, duke e shpërndarë në rrjetet e tyre sociale dhe duke më dhënë kënaqsinë që unë prisja që ata ta merrnin, dhe ata vërtetë e kishin marrë.
CMG: Pse zgjodhe si titull të librit “Zhurmë ëndrrash”?
Horgito Hoxha: Këtë titull unë e kam zgjedhur pa vendosur që do të botoja librin. Kam shkruar një poezi etyd “Zhurmë ëndrrash” dhe me këtë poezi kam marrë çmimin e parë në Konkursin e Poezisë Mbarëkombëtare në Kosovë. Kështu që vendosa që dhe libri im të ishte “Zhurmë ëndrrash”, pasi dhe poezitë janë ajo zhurma e ëndrrave të para të çdo njeriu.
Horgito duke shkruar nje autograf (Foto personale)
CMG: Si erdhi bashkëpunimi me shtëpinë botuese “Media Print” dhe redaktoren e librit Katjusha Pogaçe?
Horgito Hoxha: Kjo ishte një ndër shtëpitë botuese që unë çova librin për ta botuar dhe e pranuan. Tek kjo shtëpi botuese gjeta ngrohtësi dhe një profesionalizëm të madh. Lidhjen me Katjushën e krijoi shtëpia botuese dhe gjej rastin ta falenderoj atë, sepse ishte një profesioniste e vërtetë, që ka bërë një punë shumë të mirë me poezinë time. Një vlerësim i madh i Katjushës, që unë kam vendosur ta them kudo, është që Katjusha nuk e redaktoi librin, duke ndryshuar vetë, por tha që poezia është shpirtërore dhe unë jap sugjerimet.
CMG: Ke studiuar në shkollë profesionale për hoteleri – turizëm dhe tashme vijon studimet e larta për regji filmi dhe televizioni. Cila është lidhja që ke gjetur midis këtyre të dyjave?
Horgito Hoxha: Në shkollën e mesme hoteleri-turizëm unë kam kryer degë të përgjithshme, që është shërbim hoteli dhe në përfundim të shkollës kam dalë menaxher i mesëm. Me këtë shkollë kam patur mundësinë të shfaq pasionin tim për poezinë dhe letërsinë, duke qenë i përfshirë në të gjitha aktivitetet letrare që kjo shkollë organizonte. Lidhjen që kam bërë midis shkollës së arteve dhe asaj të hoteleri-turizmit ishte që dhe në hoteleri-turizëm merreshim me menaxhimin dhe krijimin e pjatës kryesore, ndërsa në art merremi me menaxhimin dhe krijimin e produktit filmik.
CMG: Ka qenë kinemaja dhe televizioni një pasion tjetër i juaji në fëmijëri?
Horgito Hoxha: Pasioni im për regjinë e filmit ka lindur nga regjisori i madh Dhimitër Anagnosti. Ky pasion nuk ka lindur që në fëmijëri, por në një moshë më të rritur, kur fillova të shikoja filmat shqiptarë dhe t’i kuptoja ato. Ishte një pasion që mendova se do të ishte e vështirë për ta arritur, por duke konkuruar në Universitetin e Arteve, fitova konkursin dhe tani studioj për regji filmi dhe televizioni.
CMG: Ke në plan së afërmi për të botuar ndonjë libër tjetër?
Horgito Hoxha: Kam shumë dorëshkrime për poezi, pasi poezinë unë e shkruaj kudo, në kafe dhe në rrugë. Kam disa tregime, kryesisht me tema nga jeta shoqërore dhe disa prej tyre i kam botuar në revista online. Momentalisht po shkruaj një roman me temën aktuale, që çdo familje po e kalon, atë të barazisë gjinore.
CMG: Mendon se duhet të ketë një seleksionim të atyre që shkruajnë poezi?
Horgito Hoxha: Në Shqipëri rëndom ndodh që kritika e artit apo poezisë e bëjnë ata që mbase dhe vetë nuk shkruajnë poezi. Unë mendoj që sot tregu i poezisë ka shumë libra me poezi dhe shumë poetë që shkruajnë, por mendoj se jo të gjithë shkruajnë bukur. Më e keqja është që shumica prej tyre vjedhin metaforat dhe i shkruajnë në emrin e tyre.
Poeti nga Devolli Horgito Hoxha (Foto personale)
CMG: Cili është momenti i ditës kur frymëzohesh për të shkruar?
Horgito Hoxha: Momenti i ditës që unë krijoj më shumë është koha e darkës, kur kam mbaruar shkollën dhe punën dhe gjej qetësinë time për të shkruar në letër.
CMG: Pse e kufizuat librin e parë me 100 poezi, duke ditur se ke gati 1000 të tilla në dorëshkrime?
Horgito Hoxha: Unë zgjodha afërsisht 100 poezi, sepse nuk doja të nxirrja një sasi të madhe poezish në librin e parë, që dhe lexuesit të mos mërziteshin, pasi sot shumë pak lexojnë, dhe një libër me 200 poezi mund t’ju dukej i mërzitshëm.
CMG: Si e shikon të ardhmen në drejtimin e regjisë së filmit dhe televizionit?
Horgito Hoxha: Unë nuk e kam menduar kurrë që të largohem nga Shqipëria. Mendoj se Shqipëria do të futet në BE dhe ne studentët e regjisë së filmit mund ta shfaqim talentin tonë në Shqipëri dhe t’i bëjmë filmat tona këtu.
CMG: Sa të ka mbështetur familja në rrugën e shkollimit, por dhe të poezisë?
Horgito Hoxha: Familja na ka përkrahur shumë në rrugën e shkollimit të tre ne fëmijëve. Unë kam një motër dhe një vëlla, pasi vetë prindërit tanë nuk janë me arsim të lartë dhe dëshira e tyre më e madhe ka qenë që ne të ishim me arsim të lartë dhe të bëheshim dikushi në jetë. Në fushën e poezisë më kanë përkrahur, ndonëse ata nuk janë profesionistë.
CMG: Cili do të jetë libri i ardhshëm?
Horgito Hoxha: Mendoj që edhe botimi i dytë të jetë përsëri me poezi. Ndërsa botimi i tretë të jetë me tregime, dhe romanin do ta le për më vonë,
Intervistoi: Gazmend Agaj