Foto nga ChinaDaily
Më 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit, e cila binte në ditën e pestë të muajit të parë hënor, ndërsa kinezët po kremtonin Festën e Pranverës, dizajnuesi nga Shangai, Huang Weilai nuk vuri gjumë në sy prej një mesazhi të marrë nga marka italiane e modës “Miu Miu”, e cila donte të ftonte nënën e tij, 70-vjeçaren Qin Huilan, për të sfiluar në Javën e Modës në Paris për shfaqjen e koleksionit vjeshtë-dimër 2024.
“Isha shumë i emocionuar dhe nuk mund ta besoja. Kam vite që ndjek lajmet e modës dhe e di që përzgjedhja e modeleve për shfaqjet e pasarelave është shumë e rëndësishme. Jam shumë krenar që nëna ime, një grua rreth të 70-tave, ishte e ftuar”,- thotë 34-vjeçari.
Qin ndau të njëjtat emocione si i biri. E lindur dhe e rritur në Liuzhou, në rajonin autonom Guangxi Zhuang, ajo është një mjeke në pension. Pasi pranoi ftesën, ajo u nis për në Paris më 2 mars.
“70-vjeçarja kishte veshur një pallto të gjatë gri me zbukurime argjendi, një palë doreza të mëdha, një shall të zi, një çantë të vogël lëkure ngjyrë kafe dhe një palë këpuë “Mary Janes” me majë. Huilanit nuk ia ndanin sytë, ndërsa sfilonte në pasarelë.
Por ajo ecte si një profesioniste”,- thuhet në një artikull në internet të revistës amerikane “People” më 5 mars.
Qin ndau emocionet e saj në një postim në “Instagram” më pas. “Kush do ta kishte menduar se në moshën 70-vjeçare do të ecja në paraselë” Ja, pra, ky është Parisi! Kjo është pasarela e “Miu Miu””,- shkroi ajo, ndërsa postoi foto nga sfilata në “Xiaohongshu”(Shiao hon shu), një platformë e mediave sociale e njohur në Kinë, e ngjashme me “Instagram”-in.
Foto nga ChinaDaily
Qin thotë se i pëlqen “Miu Miu” dhe “Prada” dhe filloi të shikonte performancat e tyre në pasarelë në vitin 2006.
“Kur provova veshjen time, ekipi i “Miu Miu” vendosi të bënte disa ndryshime. Fillimisht ishte një pallto e thjeshtë gri, por ata donin që të dukej më shumë si rrobat e mia, “stil Qin” siç thonë ata. Kështu që qëndrova për dy orë ndërsa ata qepnin zbukurime të bukura me dorë”,- thotë ajo.
Njoftimi i markës në lidhje me koleksionin vjeshtë-dimër 2024 thotë: “Gjestet spontane shprehin momente të ndryshme në jetë - ato bashkëjetojnë brenda veshjeve, ashtu si secili prej nesh mbajmë kujtime të përvojës sonë. Vajzëria është një fjalë që mund ta rivlerësojmë, nga një emër gjinor poshtërues, i lidhur me moshën, në një idiomë universale që shpreh forcën e rebelimit, një frymë lirie dhe individualiteti, një atribut i një tërësie më të pasur”.
Pensionistja me flokë gri u bë shumë shpejt virale, me ndjekësit e saj në rritje drastike. Sot, Qin ka mbi 33.000 ndjekës në “Xiaohongshu” dhe mbi 16.000 ndjekës në “Instagram”.
Të mahnitur nga prania e saj mbresëlënëse në pasarelë, fansat vlerësuan historinë e saj frymëzuese dhe mesazhin që ajo dha, se të qenit afër 71-vjetorit ishte një fillim i ri.
“Ajo nuk nervozohet kurrë para kamerës dhe ndihet rehat, duke u shfaqur me veshje të bukura. Edhe pse kishte shumë njerëz në event, ajo e pëlqeu të qenit në qendër të vëmendjes, duke ecur plot vetëbesim. Ne ishim të mahnitur nga komentet dhe pëlqimet. Morëm gjithashtu plot email-e dhe mesazhe, përfshirë nga të afërmit dhe miq në Liuzhou”,- thotë djali i saj, Huang.
Udhëtimi në Paris nuk ishte i lehtë për Qin. Ajo është e përkatësisë etnike Zhuang dhe flet vetëm dialektin e kësaj pakice.
Plani fillestar ishte që Huang të udhëtonte në Paris me nënën e tij, por ai nuk mundi ta bënte këtë, pasi viza iu vonua.
“Isha shumë i shqetësuar për të. Ajo nuk mund të flasë anglisht dhe mund të komunikojë vetëm përmes aplikacioneve të përkthimit.
Për shkak të ndryshimit të kohës, pothuajse nuk flija dhe e ndihmova të përballej me disa emergjenca”,- thotë Huang, duke shtuar se nëna e tij nuk dinte të porosiste ushqim në ditën e parë në Paris, sepse nuk dinte të fliste anglisht dhe se gjithashtu humbi në hotelin e saj.
Foto nga ChinaDaily
Qin arriti ta përballonte sfidën e përgatitjeve pavarësisht itinerarit intensiv, duke përdorur një aplikacion përkthimi për të kapërcyer pengesën gjuhësore. Ajo është krenare që ka ndërmarrë veprime për të vërtetuar se mosha nuk është pengesë.
“Dua të inkurajoj të gjithë ata që janë të hutuar në një moment të caktuar të jetës, që mos të heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre. Para se të mbushja 70 vjeç, isha fokusuar në kujdesin për pacientët e mi si mjeke. Kush do ta kishte menduar se në moshën 70-vjeçare do të sfiloja në pasarelë?”,- thotë pensionistja modele.
Qin shkruan për ndjenjat dhe jetën e saj në postimet në rrjetet sociale. Në një prej tyre ajo thotë: “Pas daljes në pension, nuk kisha çfarë të bëja veçse të haja tre vakte në ditë. Pasi prindërit e mi ndërruan jetë, isha në depresion dhe ndieja se nuk kisha më me kë të flisja”.
Rreth dy vjet më parë, ajo dhe burri i saj u shpërngulën nga Liuzhou për të jetuar me djalin e tyre në Shangai. Meqenëse djali i saj e ndihmoi të regjistrohej në llogaritë e mediave sociale dhe e mësoi se si të postonte dhe të komunikonte në ato platforma, Qin ka ndarë jetën e saj të përditshme, veçanërisht stilin e saj personal, i cili tërhoqi vëmendjen e entuziastëve të modës dhe bëri që ajo të shfaqej në revista dhe evente të modës. E gjithë kjo duket se ka hapur derën e një bote të re, thotë mjekja e kthyer në “influencer”, e cila është e lumtur që njerëz nga e gjithë bota i kanë lënë komente, pëlqime dhe se i vlerësojnë veshjet e saj.
Foto nga ChinaDaily
“Shpresoj që më shumë njerëz të më shohin mua, një grua 70-vjeçare nga Kina, që i pëlqen të veshë “Miu Miu” dhe “Prada””,- shkruan ajo në një postim.
Huang thotë ai thjesht donte që e ëma të argëtohej me rrjetet sociale. Ai e shëtiste dhe i bënte foto dhe ajo nisi t’i pëlqente këto platforma.
Postimet e Qin shpesh e shfaqin atë me veshje me ngjyra të ndezura, taka të larta dhe aksesorë që bien në sy. Siç thotë ajo, gjatë karrierës dhjetëvjeçare si mjeke, ajo ka mbajtur vetëm një përparëse të bardhë çdo ditë.
Por, gjithsesi parapëlqen ta kombinojë të bardhën me ngjyra të ndryshme. Nuk mungojnë as stilimet e flokëve në modele të ndryshme.
“Burri im dikur bëri një udhëtim pune në Shangai gjatë viteve 1980. Ai më bleu shumë fustane. Kur i vishja ato në vendlindjen time, reagimet e njerëzve ishin të ndryshme. Në ditët e sotme, estetika e bukurisë është krejt e ndryshme dhe e larmishme. Më vjen mirë që mund të vesh çfarë të dua dhe të ndjek të bukurën në moshën 70-vjeçare”,- thotë Qin.