Maçokët kushërinj (Foto nga instagrami i Teatrit Metropol)
Momente gjatë shfaqjes Maçokët kushërinj (Foto nga instagrami i Teatrit Metropol)
Fabula e Ezopit “Maçokët kushërinj” tregon për dy maçokë, njëri që jeton në qytet dhe tjetri në fshat. Maçoku i qytetit, i mësuar me jetën e shpejtë dhe të bollshme nga koshat e mbeturinave takon maçokun e fshatit, i cili jetonte një jetë të thjeshtë por të lumtur me gjueti minjsh e freski natyre. Ato shkëmbejnë përvojat e tyre dhe kuptojnë se lumturia nuk vjen nga pasuria apo bollëku i jetës, por nga paqja dhe kënqësia me atë që ke afër.
Kjo shfaqje për fëmijë “Maçokët kushërinj” erdhi në Teatrin Metropol si premierë më 16 mars. Gjithashtu shfaqja do të vijojë të vihet në skenë për fëmijët e kryqytetit çdo të shtunë e të dielë në orën 11.00 në Teatrin Metropol. Bazuar në fabulën e Ezopit, vepra vjen me përkthim dhe përshtatje nga Roerd Toçe, me regji të Joana Omeraj, as.regjisore Sara Koçi, interpretojnë Edvin Mustafa dhe Roerd Toçe, koreografia nga Erdet Miraka, formulimi muzikor nga Amri Hasanlliu dhe kostumografia nga Frenci Gjerasi.
Në intervistë për Radio Ejani, përkthyesi dhe aktori Roerd Toçe, na tregon më tepër për këtë shfaqje:
CMG: Ju jeni përkthyes i shfaqjes për fëmijë “Maçokët kushërinj”, por njëkohësisht edhe interpretues. Çfarë ju tërhoqi tek kjo fabulë e Ezopit dhe a ka pasur ndryshime nga origjinali?
Roerd Toçe: Duke qenë se “Maçokët kushërinj” është një vepër bazuar në fabulën e Ezopit, unë e dramatizova, e ndava në dialog dhe e ndryshova disi thelbin e veprës, duke e bërë më vepruese skenike. Kjo gjë i pëlqeu regjisores së shfaqjes Joana Omeraj, gjithashtu edhe Edvin Mustafës, aktorit tjetër, sepse ne të tre punojmë bashkë në Teatrin Metropol, kështu vendosëm që ta vinim në skenë dhe t’i jepim jetë.
Aktori Roerd Toçe (Foto nga instagrami)
CMG: Si e kanë pritur fëmijët shfaqjen “Maçokët kushërinj”?
Roerd Toçe: Ajo që na tërhoqi tek kjo shfaqje dhe na u duk e këndshme është se si dy maçokët zgjedhin të krijojnë jetën e tyre, në bazë të eksperiencave që kalojnë gjatë veprës, apo gjatë shfaqjes. Kjo shfaqje ndahet në dy paralele skenikisht edhe fizikisht, që do të thotë se një herë prezantohet maçoku i qytetit dhe një herë prezantohet maçoku i fshatit, ku më pas bashkohen në mes. Shfaqja është interaktive, ky është një detaj kyç që duhet thënë.
Ne e ftojmë publikun fëmijë që ata të veprojnë me ne, të këndojnë, të kërcejnë dhe të flasë me ne. Kjo gjë na bëri shumë të lumtur. Në shfaqjen e parë në premierë të shtunën dhe të djelën salla ishte plot dhe u prit shumë mirë, madje kishte edhe njerëz që kishin mbetur jashtë. Na vjen keq për këtë, por na vjen edhe mirë njëkohësisht që shfaqja ka kërkesa, pasi kur salla është plot është gëzim për ne. Kur është publiku fëmijë, janë më të sinqertë dhe më të lumtur, kjo na bën të kuptojmë ne të rriturve se si e përjetojnë ata të drejtën dhe të gabuarën, duke qenë se kjo vepër ja jep atë ngacmim. Kjo është ajo çfarë ne kemi përjetuar nga kjo vepër, nga kjo shfaqje si unë, por edhe Joana e Edvini. Jemi shumë të lumtur me përshtypjet e para dhe shpresojmë që edhe në vijimshmëri të ketë të njëjtin impakt si në premierën dhe të vazhdojë të ketë shumë kërkesa për tu dhënë kjo shfaqje.
Intervistoi: Sava Lena