Shqipëria së shpejti në SEPA
2024-03-19 14:45:41

Takimi i SEPA-s (Foto Banka e Shqipërisë)

Takimi i SEPA-s (Foto Banka e Shqipërisë)

Në fund të shkurtit 2024, Banka e Shqipërisë, banka qendrore e vendit dhe Ministria e Financave organizuan në mjediset e Bankës së Shqipërisë Ministerialin: ''Ballkani Perëndimor drejt Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA)”, me pjesëmarrjen e guvernatorëve të bankave qendrore dhe ministrave të financave të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Të 27 shtetet e Bashkimit Evropian kanë një sistem të tyre unik, të quajtur “Single European Payment Area -SEPA, në shqip, Zona e Vetme Europiane e Pagesave)”. Ky sistem ka nisur funksionimin në vitin 2008 dhe është plotësuar në vitin 2016.

Integrimi i pagesave, i realizuar nga SEPA, ka kontribuar në efiçiencën dhe ka përmirësuar konkurrencën e ekonomisë evropiane në tërësi, duke u dhënë qytetarëve të Bashkimit Evropian me qindra milionë euro përfitim në tarifa më të ulura të pagesave ndërkufitare, gjatë viteve të funksionimit të tij.

Si pjesë e Planit të Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian, që të bëhet pjesë e sistemit unik evropian të pagesave.

Kjo do të thotë tarifa shumë më të ulëta për dhjetëra mijëra emigrantë që dërgojnë paratë e tyre në atdhe përmes kanaleve bankare, por tarifa shumë më të ulta edhe për dhjetëra mijëra sipërmarrës importues dhe eksportues. Sipas një studimi të Bankës sonë qendrore, vetëm në vitin e parë të hyrjes së Shqipërisë në sistemin SEPA, qytetarët tanë do të kenë një përfitim prej 20 milionë euro në tarifa më të ulura.

Ministri Ervin Mete dhe Guvernatori i BSH Gent Sejko (Foto Banka e Shqipërisë)

Ministri Ervin Mete dhe Guvernatori i BSH Gent Sejko (Foto Banka e Shqipërisë)

Falë këtij sistemi të vetëm të pagesave në euro (SEPA), qytetarët mund të bëjnë pagesa në euro pa para fizike, nëpërmjet transferimit të kredisë dhe kartës së debitit që kanë, kudo në Bashkimin Evropian, njëlloj sikur të ishin në vendin e tyre.

Vendi ynë mbi 90 përqind të 1.4 miliardë eurove të dërgesave nga emigrantët i merr nga vendet e Bashkimit Evropian dhe 70 përqind të tregtisë(import-eksport) e zhvillon po me vendet e Bashkimit Evropian.

Futja e Shqipërisë në SEPA do të ndihmojë disa sektorë tanë strategjikë, si turizmi dhe eksportet me BE, ndërkohë që pritet të ndikojë edhe në formalizimin e parave të dërgesave të emigrantëve.

Banka e Shqipërisë ka kohë që po punon për integrimin e pagesave tona në SEPA. Ajo e ka nisur punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave të BE-së që prej vitit 2021, kur Shqipëria u bë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Banka e Shqipërisë po punon edhe për gjetjen e një zgjidhjeje për pagesat e shpejta (instant payment), të cilat janë një mundësi alternative për pagesat elektronike, ndërsa sigurojnë pagesa përgjatë 24 orëve në çdo ditë të javës, me kosto më të ulëta se instrumenti alternativ, kartat e kreditit apo të debitit.

Për këtë qëllim, banka jonë qendrore po punon me bankat qendrore të sistemit evropian, si atë të Italisë, por edhe me Bankën Qendrore Evropiane.

Guvernatori i BSH Sejko (Foto Albanian Post)

Guvernatori i BSH Sejko (Foto Albanian Post)

Në fjalën e tij në Ministerialin ''Ballkani Perëndimor drejt Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA)”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko theksoi se”Falë pjesëmarrjes së vendeve tona në Tregun Unik të Pagesave në Euro, i njohur ndryshe si SEPA, po vendosim themele të sigurta për përshpejtimin e shkëmbimeve në planin ekonomik, me vendet e rajonit dhe me ato të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian na ka ofruar mundësinë historike për të hyrë në tregun evropian shumë para ardhjes së momentit final të anëtarësimit të plotë në të, ndaj duhet të përfitojmë maksimalisht nga kjo mundësi.

Banka e Shqipërisë e sheh SEPA-n si katalizator për të forcuar integrimin financiar me vendet e BE-së. Nga këndvështrimi i një banke qendrore, një sistem pagesash bashkëkohor, konkurrues dhe i besueshëm kontribuon në arritjen e një tregu të pagesave më efektiv dhe më produktiv, duke sjellë përfitime për të gjithë popullatën.

Banka e Shqipërisë ka intensifikuar përpjekjet për finalizimin e procesit të aplikimit për anëtarësim në SEPA. Ajo ka hartuar një plan veprimi, i cili do të ndahet gjithashtu me institucionet përkatëse të qeverisë të përfshira në këtë proces. Në të njëjtën kohë, kemi ndërmarrë veprime për vendosjen e urave të komunikimit me Këshillin Evropian të Pagesave me qëllim trajtimin e çdo nevoje gjatë këtij procesi.

Banka e Shqipërisë (Foto Revista Monitor)

Banka e Shqipërisë (Foto Revista Monitor)

Dëshiroj të theksoj se anëtarësimi në SEPA është bërë tashmë prioritet kombëtar për ne; dhe në këtë drejtim kemi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për të përshpejtuar maksimalisht procesin. Bazuar në përvojat e tjera, koordinimi dhe bashkërendimi i përpjekjeve janë vendimtare për arritjen e një procesi aplikimi të shpejtë dhe efikas brenda afateve kohore të përcaktuara.

Nisur nga rëndësia që ka për Shqipërinë aderimi në SEPA, jemi plotësisht të angazhuar për ta finalizuar procesin e aplikimit brenda muajit qershor 2024. Ky afat mund të konsiderohet shumë ambicioz, por duke pasur mbështetjen dhe ndihmën e plotë të Bankës Botërore dhe të Komisionit Evropian, kemi bindjen se do të jetë një objektiv i arritshëm”.    

Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA jo vetëm që do të shënojë një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda vendeve të Bashkimit Evropian.

Zbatimi me sukses i këtij sistemi, do të na krijojë kushtet për integrimin tonë në sistemin evropian TIPS, por mund të shërbejë edhe si një zgjidhje dhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, futja, integrimi në SEPA përbën një objektiv të rëndësishëm edhe të qeverisë sonë, në axhendën e saj të integrimit evropian.

Fatos Çoçoli