Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia të SHBA-së u krijua si nismë e një grupi atdhetarësh e intelektualësh shqiptarë, të cilëve në vitet që do të pasonin, iu bashkuan qindra bashkatdhetarë të tjerë, me banim në Filadelfia e shtetet e tjera të Amerikës, por dhe në Kanada, disa shtete te Europës dhe në Shqipëri. Kjo shoqatë erdhi duke u rritur e mbështetur çdo vit, duke shtuar veprimtaritë e saj, Tashmë “Bijtë e Shqipes” nuk është vetëm një emër i bukur, por një organizëm në funksion të bashkësisë shqiptare në Filadelfia. Nëpërmjet punës së madhe gjatë tërë këtyre viteve, ajo është bërë e njohur në të gjithë diasporën shqiptare. Në një intervistë për Radio Ejani, kryetari i kësaj shoqate Dritan Matraku tregon për veprimtarinë dhe aktivitetet e shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Bijtë e Shqipes Filadelfia. (Foto personale)
CMG: Përshëndetje Dritan dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.
Dritan Matraku: Përshëndetje dhe faleminderit që më dhatë mundësinë për këtë intervistë. Shikoj që në emisionin tuaj ju krijoni ura lidhëse kudo me shqiptarët anaembanë botës.
CMG: Flasim rreth shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ku jeni kryetar. Si u krijua kjo shoqatë dhe cilat janë aktivitetet që organizoni?
Dritan Matraku: Shoqata mbarëshqiptare social-kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia ka 22 vjet që është krijuar. Gjithashtu shkolla shqipe “Gjuha jonë” ka 20 vjetorin, aty vijnë fëmijët e emigrantëve dhe mësojnë gjuhën shqipe, kulturën, traditën dhe vlerat shqiptare dhe bazuar në moshën e tyre mësojnë edhe për historinë e vendit tonë.
Kjo shoqatë ka si mision të mbajë lidhje të gjatë me atdheun dhe dashurinë të ndezur për atdheun tonë të dashur, të bashkojë shqiptarët në Filadelfia dhe në zonat përreth, të mbajë gjallë dhe të ngrejë lart gjuhën shqipe, kulturën dhe traditën shqiptare këtu në mesin e komunitetit tonë shqiptar në Filadelfia. Unë kam gati 10 vjet si kryetar i këshillit drejtues të shoqatës, ku për shumë vite isha nënkryetar. Në zgjedhjet që u bënë vitin e kaluar u zgjodha kryetar.
Jam me fat për anëtarët e bordit që kam, sepse kudo që të jesh asgjë nuk bëhet vetëm. Dua t’i falenderoj të gjithë anëtarët e bordit për punën e tyre, për mbarëvajtjen e shoqatës dhe për udhëheqjen e veprimtarive. Shoqata është një ndër zërat kryesorë për komunitetin shqiptar në Filadelfia.
CMG: Ka kjo shoqatë degë të saj në shtete të tjera të SHBA-ve?
Gjatë një aktiviteti të shoqatës (Foto personale)
Dritan Matraku: Qendra e shoqatës është në Filadelfia, por ne kemi anëtarë nga shumë shtete të Amerikës, si dhe nga Italia, Gjermania dhe Greqia. Sigurisht kemi anëtarë të shoqatës edhe nga Shqipëria. Kjo shoqatë është ndër më funksionalet dhe të konsoliduarat në botë, sepse janë krijuar dhe shoqata të tjera shpeshherë, por kanë mbaruar së ekzistuari. Shoqata jonë është shumë aktive, ne bëjmë 30 deri në 40 aktivitete çdo vit, data historike, promovim librash, piknik dhe aktivitete me fëmijët e shkollës. Në shkollën shqipe këtu kanë qenë me qindra fëmijë dhe shumë nga ata sot janë bërë me fëmijë, dhe po i sjellin fëmijët e tyre në shkollat shqipe.
CMG: Ky është vërtetë një kontribut i çmuar për mësimin e gjuhës shqipe fëmijëve të emigrantëve.
Dritan Matraku: Kjo është ndër pikat kryesore të misionit të shoqatës, për të ruajtur gjuhën dhe traditën, por dhe për të mbajtur gjallë identitetin tonë kombëtar dhe për ta transmetuar ndër brezat e ardhshëm. Ne jemi në proces për të lëvizur në një godinë të re të madhe, që ka shumë potencial. Shpresojmë që vitin e ri shkollor në shtator ta fillojmë te kjo godinë. Aty do të ketë shumë mundësi të tjera, dhe pastaj do fokusohemi në tërheqjen e brezit të ri. Janë ata që duhet ta marrin në dorë dhe ta kryejnë detyrën e drejtuesve të shoqatës, sepse ata kanë vizion të ri dhe energji të reja.
CMG: Cilat janë disa nga aktivitetet vjetore që organizoni përmes kësaj shoqate në Filadelfia?
Dritan Matraku: Ka plot aktivitete, por po përmend disa prej tyre. Vitin e kaluar më 4 qershor u bë mbyllja e shkollës, Kemi organizuar dhe piknikun veror, që është i hapur për gjithë komunitetin dhe më 1 shtator ishte fillimi shkollës. Gjithashtu kemi organizuar veprimtari përkujtimore për shkrimtarin Naum Prifti. Kishim të ftuar poetin, shkrimtarin, përkthyesin dhe diplomatin Gjekë Marinaj, që është i njohur në të gjithë botën dhe i vlerësuar në shumë shtete. Kemi organizuar dhe promovimin e librit të Visar Zhitit, si dhe festuam festat e 7-8 marsit.
Pas një aktivitet për fëmijë të shoqatës Bijtë e Shqipes (Foto personale)
CMG: Keni vite që jetoni me familjen në SHBA, por si kanë qenë këto vite në emigrim?
Dritan Matraku: Mendoj se kudo që të shkosh fillimi është i vështirë, sepse ti shkon në një botë të panjohur dhe kur nuk njeh gjuhën gjërat bëhen më të vështira. Mbase si unë ka shumë emigrantë dhe gjithësecili ka sukseset dhe arritjet e tyre, por jam i lumtur se më shumë se çdo gjë tjetër arritjet e mia janë për familjen time. Kam një familje të mrekullueshme, dhe ajo është arritja më e madhe për mua. Jam i lumtur sepse me të vërtetë po jetoj ëndrrën amerikane. Mbase ëndrra amerikane është me punë, por unë po e jetoj dhe shijoj këtë ëndërr, sepse kudo që të shkosh pa punë asgjë nuk arrihet.
CMG: Cili ka qenë angazhimi juaj profesional gjatë këtyre viteve në SHBA?
Dritan Matraku: Unë kam mbaruar studimet në Shqipëri për mjek veteriner. Ndërkohë që në SHBA mbarova kolegjin për terapi për problemet e frymëmarrjes. Kam gati 20 vite që punoj në spitalin e fëmijëve në Filadelfia, që është një ndër spitalet më të mirë në gjithë SHBA-në dhe në botë. Aty kemi pacientë nga shumë shtete të botës.
CMG: Si i mbani lidhjet me vendlindjen, a vini shpesh në Shqipëri?
Dritan Matraku: Sigurisht që vij shpesh në Shqipëri, sepse aty kam pothuajse të gjithë familjen time. Kam nënën, vëllain, motrat dhe vij çdo vit aty për të kaluar pushimet. Kur ju tregoj kolegëve te puna fotot nga Shqipëria mbeten të mahnitur sepse vendi jonë është i bukur. Bota digjitale është në kulmin e vet, të krijon të gjitha mundësitë për të patur lidhje me vendlindjen. Kështu që kam lidhje të vazhdueshme jo vetëm me familjen dhe shoqërinë, por dhe shumë të njohur të tjerë. Kur vij aty me bashkëshorten dhe fëmijët, shëtisim në vende të ndryshme të Shqipërisë, që dhe ata ta njohin Shqipërinë, traditën dhe kulturën. Kjo është gjë e mirë, sepse ata i ndihmon për t’i mbajtur gjatë këto lidhje, aq më tepër dhe gjuhën shqipe. Dy fëmijët e mi e flasin shumë mirë gjuhën shqipe.
Një organizim i shoqatës Bijtë e Shqipes Filadelfia (Foto personale)
CMG: Çfarë ju mungon më tepër nga vendlindja ?
Dritan Matraku: Shqipëria është rregulluar dhe ndjehemi shumë mirë sepse shikojmë që janë bërë shumë ndryshime. Unë jam ndër ata nostalgjikët, që më mungon çdo gjë nga vendi im. Më mungon sigurisht familja, vendi, natyra e bukur shqiptare dhe njerëzit. Mbase nga mënyra sesi u rrita, sepse unë gjithmonë kam jetuar me shoqëri, shkollën e mesme e kam kryer në Shkodër dhe universitetin në Tiranë. Mua më mungon gjithçka nga vendi im.
CMG: Cilat do të jenë aktivitetet e shoqatës “Bijtë e shqipes” gjatë këtij viti?
Dritan Matraku: Në muajin prill kemi në plan të bëjmë një promovim librash, ku mendojmë të ftojmë krijueset e reja që janë këtu brenda komunitetit tonë. Ndërkohë që në maj kemi 20 vjetorin e shkollës shqipe dhe do të festojmë këtë përvjetor. Pikësynimi ynë është të mbarojmë rinovimin e godinës së re dhe shpresojmë që kjo punë të bëhet në muajin shtator.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Aktivitet i shoqatës Bijtë e Shqipes (Foto personale)
Dritan Matraku: Do t’i uroja të gjithë shqiptarët kudo që janë në radhë të parë shëndet dhe lumturi në jetë dhe familjet e tyre. Qofshin të bashkuar dhe të mos harrojnë nga kemi ardhur, të mbajmë gjallë gjuhën, traditën dhe identitetin tonë kombëtar.
Intervistoi: Gazmend Agaj