Vitrina e librit: tituj , përkujtime dhe vlerësime
2024-03-18 11:41:19

Gjatë këtyre ditëve plot ngjarje të bukura kushtuar librit u zhvilluan në vend. Vlerësime, çmime, panaire, takime përkujtimore, në një mars pranvere ku ngjarjet artistike ndoqën njëra- tjetrën.

Ismail kadare - Foto ATSH

Ismail kadare - Foto ATSH

Shkrimtari Ismail Kadare sërish kandidat për çmimin e madh ndërkombëtar The Booker 2024

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është sërish kandidat për çmimin e madh Ndërkombëtar The Booker 2024, me librin “Kur sunduesit grinden”.

Kjo vepër përbën një përsiatje magjepsëse mbi Rusinë Sovjetike, strukturat e pushtetit dhe një epokë shkrimtarësh të mëdhenj. Vepra është përkthyer në anglisht  nga John Hodgson dhe është përfshirë në listën e gjatë të International Booker 2024.

Përfshirja në nivelet më të larta të vlerësimit botëror përbën një ngjarje të rëndësishme për botën letrare shqiptare.

Martin camaj - Foto  Almanrt

Martin camaj - Foto  Almanrt

32 vjet nga ndarja nga jeta e Martin Camajt

Qendra Ndërkombëtare e Librit në Tiranë ka kujtuar 32-vjetorin e ndarjes nga jeta të Martin Camajt, duke e cilësuar si ndër poetët dhe shkrimtarët më të rëndësishëm të letrave shqipe. Në veprën e tij ai krijoi një përfytyrim të kulturës e traditës shqiptare si një palimpset.

Martin Camaj vlerësohet gjithashtu si studiues i Buzukut dhe Bogdanit, si hartues i fjalorit të plotësuar me shpjegime të Kristoforidhit, autor gramatikash të shqipes dhe antologjish letrare. Ai qendron në krye të atyre krijuesve që i zgjodhi me dije parimet krijuese që duhej të ndiqte në krijimtari dhe nuk shkoi për rastësi tek zgjedhjet e veta estetike”, shkruhet në faqen e rrjeteve sociale të kësaj qendre. 

shkrimtarët e rinj në lajpcig foto ilustruese/ foto DW

shkrimtarët e rinj në lajpcig foto ilustruese/ foto DW

Shkrimtarët e rinj në Lajpcig

Shkrimtarët e rinj, Suad Arilla, Brajan Sukaj, Dionis Prifti dhe Flogerta Krypi, do të jenë të pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig të Gjermanisë. Tema e këtij edicioni është: Kush lexon akoma?

Një program i mbushur me aktivitete dhe diskutime mbi librin shqip në kontekste më të gjëra hapësirash dhe letërsinë bashkëkohore shqipe, traditën, gjuhën, përkthimin, do të jetë përgjatë 21-24 marsit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, për të shoqëruar këtë ngjarje të madhe të librit botëror.

Panairi i librit - foto QKLL

Panairi i pranverës

Libra dhe ngjyra të bukura vere, kanë mbushur hapësirën e Bulevardit Dëshmorët e Kombit në Tiranë, gjatë ditës së 14 marsit, kur një valë e madhe qytetarësh festuan Ditën e Verës.

Ishte një festë e librit tepër mbresëlënëse, ku u gërshetuan së bashku arti dhe kultura. Panairi përcolli përgjatë gjithë ditës, një hapësirë me botime të reja nga shtëpitë botuese shqiptare, si dhe një program aktivitetesh dedikuar autorëve dhe librave të ndryshëm.

Romani i Gabriel Garsia markez- foto Shtepia Botuese Dituria

Romani i Gabriel Garsia markez- foto Shtepia Botuese Dituria

Vjen në shqip romani i fundit Markez

Është botuar në shqip romani i fundit i shkrimtarit Gabriel Garcia Markez, “Shihemi në gusht”. Ky roman i pabotuar ndonjëherë, pasi kjo ishte dëshira e shkrimtarit para vdekjes, më në fund e gjeti rrugën e botimit. Botimi në shqip përkon me botimin e tij anekënd botës. Romani vjen edhe në shqip me përkthimin e Mira Meksit. Kujtojmë se të drejtat ekskluzive për Gabriel Garcia Markez në shqip i ka shtëpia botuese Onufri.

“Shihemi në Gusht” rrëfen në mënyrë mjeshtërore historinë e gruaje të martuar, e cila çdo vit kur viziton varrin e së ëmës lë atje një tufë me gladiola dhe kërkon një dashuri sa për një natë. Sipas shqipërueses Meksi, “romani sjell ngjyrat dhe aromat e Karaibeve”.

Perkujtohet shkrimtari Naum Prifti - foto ATSH

Perkujtohet shkrimtari Naum Prifti - foto ATSH

Shkrimtari Naum Prifti nderohet nga Akademia e shkencave

Akademia e Shkencave nderoi në 92 vjetorin e lindjes, shkrimtarin Naum Prifti ku organizoi konferencën shkencore me titull: “Naum Prifti, mjeshtër i prozës së shkurtër”. Në këtë aktivitet morën pjesë akademikë, kërkues shkencorë, pedagogë dhe studentë të fakulteit të letërsisë, kineastë, miq të autorit, etj. Të pranishme ishin edhe vajzat e shkrimtarit.

Në takim, gjatë diskutimeve nga të pranishmit, Naum Prifti u vlerësua si mjeshtër i prozës së shkurtër, si novelist, tregimtar, dramaturg, skenarist, kritik letrar, fabulist, qëmtues i folklorit, shkrimtar i dashur i letërsisë për fëmijë dhe mjeshtër i shqipërimit.

Pas një krijimtarie afro 70-vjeçare, shkrimtari Naum Prifti ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për shumë vite shërbeu si sekretar i Federatës Vatra dhe redaktor i gazetës Dielli.

Përkujtohet poeti Ndoc Gjetja në 80 vjetorin e lindjes

U përkujtua në Lezhë, me rastin e 80 Vjetorit të lindjes, poeti Ndoc Gjetja. Në 80-vjetorin e lindjes së tij, u organizua një veprimtari përkujtimore, ku merrnin pjesë studiues, shkrimtarë e bashkëpuntorë të poetit. “Ndoci për të gjithë ne është një kujtim i bukur, është pjesë e trashëgimisë. Një portret, një figurë e çmuar”, tha shkrimtari Preç Zogaj.

Poeti Ndoc Gjetja, që u nda nga jeta 14 vite më parë në moshën 66-vjeçare, është autor i disa vëllimeve poetike. Në poezitë e tij lëviz jeta, natyra,  dashuria njerëzore dhe dritë-hijet e kohës. Interesant është fakti që mbi varrin e tij, janë shkruar vargje, shkëputur nga poezia “Epitaf për veten”, shkruar kur ishte gjallë.

Neritana Kraja