Rishikimi i Buxhetit të shtetit, ekspertët vlerësojnë ndërhyrjen e qeverisë
2024-03-18 11:27:28

Pa mbushur dy muaj nga hyrja në fuqi e buxhetit 2024, qeveria ka rishikuar me akt normativ draftin më të rëndësishëm të financave publike. Ministri i Financave Ervin Mete ka deklaruar pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se  ky ndryshim vjen pas ecurisë pozitive të ekonomisë, por dhe riorganizimit te disa ministrive. Synohet të ndihmohet sektori fason, me Instrumentin e Garancisë së re Shtetërore prej 4 miliardë lekësh, në mënyrë që ky sektor të përballojë efektet e goditjeve, të përmirësojë proceset teknologjike dhe të rrisë më tej produktivitetin. Për eksperten e ekonomisë Teuta Nunaj ky rishikim i shpejtë ka qenë domosdoshmëri për shkak të riorganizimit të disa ministrive.

“Ristrukturimi i ministrive dhe krijimi i ministrive të reja, e sjellin në domosdoshmëri rishikimin e buxhetit pasi këto ministri nuk mund të funksionojnë nëse nuk kanë paraprakisht një buxhet të miratuar. Ndaj në këtë rast ky rishikim i shpejtë në kohë, por i nevojshëm për shkak të zhvillimeve ishte një nevojë që nuk mund të shmangej dhe nuk mund të lihen këto institucione të sapo krijuara, të reja pa buxhet, pasi i bie t’i lësh pa punë pa të ardhura dhe pa realizim të funksioneve të tyre.”

Buxheti i shtetit 2024 (Foto Revista Monitor)

Buxheti i shtetit 2024 (Foto Revista Monitor)

Të ardhurat janë projektuar në rritje për pjesën e mbetur të këtij viti, ndërsa janë rishikuar edhe shpenzimet. Për televizionin Abc News, ekspertja Nunaj analizon shifrat e borxhit publik.

“Nëse do analizojmë borxhin publik, vetë buxheti i vitit 2024, kishte si objektiv qendror të qeverisë uljen e borxhit publik nën masën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Edhe pse është kjo pjesa e 60%, pasi është një masë e cila njihet në ekonomi që mundëson që ta kesh ekonominë ose tregun nën kontroll, nënkuptohet ta kesh në gjendje të menaxhosh zhvillimet ekonomike, të kesh ekonomi të qëndrueshme, dhe të kesh një ekonomi që ta prespektivosh në aspektin e zhvillimit të saj. Ndaj gjithmonë ekonomitë sidomos në vendet në zhvillim e kanë këtë target. Këtë minimum e kanë këtë target tavan që duhet ta kenë në mënyrë që të kenë qëndrueshmëri ekonomike. Rritja e borxhit publik sidomos në dekadën e fundit e solli ekonominë shqiptare, pasi kjo kishte dhe paqëndrueshmëritë  e veta për shkak të krizave që kaluan, por realizimi i këtij objektivi që në 2023 është një lajm i mirë për ekonominë. Edhe nëse ekonomia shqiptare apo qeveria shqiptare do të dalë në një treg blerjesh qoftë në tregun e brendshëm apo të jashtëm, blen një borxh të ri ose për të marrë një hua në këtë rast do të ishte më e avantazhuar”.

Ekspertja Teuta Nunaj (Foto Wordpres.com)

Ekspertja Teuta Nunaj (Foto Wordpres.com)

Parametrat makroekonomike sipas ekspertes Nunaj kanë ruajtuar qëndrueshmërinë ekonomike.

“Kjo në këtë rast përbën një lajm të mirë se institucionet kanë funksionuar në këtë pjesë, duke mbajtur nën kontroll zhvillimin e ekonomisë. Kontrolli jo në kuptimin e fjalës, ata të japin leje për çfarë do bëhet, por në kuptimin e parametrave makroekonomikë për të ruajtur një qëndrueshmëri të ekonomisë. Ndaj ulja e nivelit të borxhit është një lajm i mirë. Këtu duhet të kemi në konsideratë që krahas punës që kanë bërë institucionet financiare, një element ka qenë dhe kursi i këmbimit, i cili e ka favorizuar qeverinë shqiptare, duke paguar norma interesi në lekë më të ulëta, pikërisht për faktin sepse blerja e euros në treg ka një vlerë më të ulët.”

Sipas ekspertes, qeveria duke e mbajtur borxhin në nivel të mund të dali sërish në tregjet ndërkombëtare për të blerë kredi të reja me normë më të ulët interesi, pasi siguria është më e madhe.

“Qeveria e ka vendosur që në muajin nëntor, pasi të dhënat e dhjetorit dalin dhe më vonë siç po dalin tani në muajit shkurt dhe nëse ne do ruajmë këto nivele borxhi do ruajmë këtë qëndrueshmëri të ekonomisë dhe kjo ekonomi do bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj dhe ata vendas, për kryerjen e investimeve. Nëse në rastin e qeverisë i jep mundësi në këtë rast duke mbajtur borxhin në nivel të mund të dali sërish në tregjet ndërkombëtare për të blerë kredi të reja me normë më të ulët interesi, pasi siguria është më e madhe, duke mbyllur njëkohësisht dhe kreditë e vjetra, pasi mund të lindë nevoja për një borxh të ri, vetëm për faktin se kemi një borxh publik edhe më të ulët. Në këtë rast është një element favorizues edhe për qeverinë.”- tha Nunaj.

Ekspertja analizon edhe pritshmëritë për të ardhurat në buxhet.

Ministri Ervin Mete   (Foto AbcNews)

Ministri Ervin Mete   (Foto AbcNews)

“Duhet të kemi diçka në konsideratë, dy elementë, që janë bazë. Gjithmonë ekonomitë në çdo vit do kenë të ardhura plus ose rritje plus sepse janë ekonomi në zhvillim, si ai fëmija që rritet çdo vit 1, 2, 3 apo 5 cm, ndaj çdo vit do kemi këto të ardhura historike. Elementi i dytë në këtë rast për vitin 2023 ishte për faktin që ne kishim rritje të të ardhurave publike për tre elementë bazë, që janë të ardhurat nga tatim fitimi. Ndaj pagave, pra ndaj tatimit mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin mbi kompanitë dhe TVSH, gjithmonë me rritjen e çmimeve të produkteve do të thotë nëse një produkt ka një çmim më të lartë, ka një tatim më të lartë mbi vlerën e shtuar , pagat nëse janë më të larta, qytetari paguan një tatim mbi të ardhurat më të lartë. “

Efekti, sipas ekspertes është zinxhir.

“Nëse kompanitë kanë fitime më të larta, tatimi i fitimit është edhe më i lartë. Të tre këta zëra kanë qenë gjatë vitit 2023 dhe në fund nuk habitemi që kemi të ardhura më të larta, por do themi e kemi më të madhe se 2023 edhe për faktin se në mes të vitit kalendarik dhe njëkohësisht vitit financiar që ishte 2023 pati një rritje të ardhurash në sektorin e administratës publike dhe kjo çoi në rritjen e të ardhurave publike  në zërin e tatimit mbi të ardhurat. Nëse këto do ishin brenda parashikimeve kjo rritje pagash do ishte parashikuar para 2023, pra në bilancin e 2023 nuk do ishin risi, por do ishin zhvillime brenda parashikimeve. Fakti që ndodhi ka një planifikim, ndodhi brenda 2023 dhe ishte brenda risisë ose arsyes që janë më të larta në krahasim me një vit më të parë.”- shprehet ekspertja.

Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2023 është renditur e dyta në rajon, pas Serbisë dhe një kontribut të madh ka dhënë sektori i turizmit. Ekspertja theksoi se përgjatë këtij viti, turizmi dhe bujqësia duhet të kenë vëmendje të shtuar pasi kontribuojnë në rritjen e të ardhurave në Buxhetin e shtetit.