Ditët e fundit mediat perëndimore kanë spekulluar me deklarata si; investitorët e huaj po largohen, klima e biznesit në Kinë është përkeqësuar, Kina s'është më e përshtatshme për investime të huaja, duke vënë në dyshim perspektivën e zhvillimit të ekonomisë kineze. Po sa e vërtetë është kjo?
A po largohen investitorët nga Kina?
Vitin e kaluar u krijuan mbi 53700 ndërmarrje të huaja në Kinë, shifër kjo 39.7% më e lartë se një vit më parë. Ndërkohë, Kina shfrytëzoi 1133 miliardë juanë (mbi 157.5 miliardë dollarë amerikanë) investime të huaja, shifër kjo 8% më e ulët se viti 2022.
Sipas analistëve, rritja e numrit të ndërmarrjeve të huaja të reja, shpreh qartazi besimin e biznesit ndërkombëtar për tregun kinez. Ndërsa ulja e vëllimit të investimeve të shfrytëzuara, është rezultat i ndikimeve të faktorëve të jashtëm si kriza gjeopolitike, pasojë e COVID-19.
Gjatë kontrollit të epidemisë së COVID-19, lëvizjet ndërkufitare të njerëzve u kufizuan. Por realizimi i një projekti të huaj është një proces i gjatë, që kërkon negociata për detajet e kontratës, krijimin e kompanisë, ndërtimin e fabrikave etj... Ky proces mund të zgjasë më shumë se një vit. Gjithashtu, disa vende të huaja, në kuadër të nxitjes së industrive dhe kapitaleve të veta, kanë aplikuar masa kufizimi për investimet në Kinë, gjë që ka ndikuar në vendimmarrjen e investitorëve ndërkombëtarë.
Ndërkohë, në terma globalë, të dhënat nga Konferenca e OKB-së mbi Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) tregojnë se vitin e kaluar, pavarësisht se nga rigjallërimi i vështirë i ekonomisë, ndikimit të paqëndrueshmërisë dhe nivelit të lartë të normës së interesit, vëllimi i përgjithshëm i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në botë shënoi një rritje. Por nëse këtu s'do përfshiheshin vëllimet e bëra në disa vende tranziti, kjo shifër është 18% më e ulët se viti 2022.
Foto:VCG
Ndaj, pavarësisht faktorëve të tillë të pafavorshëm, Kina ka arritur të mbrojë nivelin e tërheqjes së investimeve. Në vitin 2020, vëllimi vjetor i investimeve të huaja në Kinë, i kaloi një trilion juanë. Në dy vitet në vijim, kjo shifër ruajti rritjen. Vitin e kaluar, edhe pse me një ulje prej 8%, prapë qëndroi mbi nivelin prej një trilion juanësh.
Gjatë këtij procesi, struktura e investimeve është përmirësuar në vazhdimësi. Vitin e kaluar, industritë e teknologjisë së lartë thithën mbi 423 miliardë juanë investime të huaja. Kjo shifër përbën rreth 37.3% të vëllimit total të investimeve të huaja vjetore. Vivian Jian - përgjegjëse e degës së kompanisë "Deloitte" në Kinë, shprehet se gjatë komunikimit me klientët e tyre në botë, e ndjen se Kina, si një treg gjigant i painjorueshëm dhe motor i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë globale, mbetet ende një ndër destinacionet më të pëlqyera të investitorëve ndërkombëtare.
A po përkeqësohet klima e biznesit në Kinë?
Si është klima e biznesit në Kinë? Sipërmarrjet e huaja që bëjnë biznes këtu, kanë shumë për të treguar.
Foto:VCG
Sipas "Raportit Kërkimor për Klimën e Biznesit 2023" të botuar nga Këshilli i Kinës për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare, vlerësimi i përgjithshëm i klimës së biznesit në Kinë vitin e kaluar nga kompanitë e huaja të anketuara ishte 4.36 (nga 5 pikë të plota), dhe gati 90% e të anketuarve e vlerësuan atë me "të kënaqshëm".
Ndërsa, "Raporti mbi Klimën e Biznesit të Kinës" i botuar pak kohë më parë nga Këshilli i Tregtisë i Kinës në ShBA, zbulon se gjendja financiare e kompanive të anketuara amerikane në Kinë është përmirësuar vitin e kaluar. Ato janë më optimiste për të ardhmen e biznesit të tyre, në dy vitet në vazhdim. Gjithashtu, 50% e kompanive të intervistuara, e renditën Kinën ndër tre destinacionet kryesore të investimeve.
Faktikisht, vitet e fundit, Kina ka punuar shumë për të optimizuar klimën e biznesit.
Në raportin e punës së qeverisë, që u shqyrtua dhe u miratua në sesionin vjetor të organit suprem ligjvënës, Asambleja Kombëtare Popullore, që sapo u mbyll në Pekin, theksohet garantimi i pjesëmarrjes së barabartë të ndërmarrjeve me investime të huaja, në prokurimet dhe tenderimet e qeverisë kineze, si edhe formulimi i standardeve të sektorëve të ndryshëm, duke përmirësuar më tej shërbimet për të huajt që studiojnë, punojnë dhe udhëtojnë në Kinë.
"Klima e biznesit në Kinë është ndër më të përparuarat në botë. Kjo ofron terren ideal për rritjen dhe zhvillimin e kompanive të ndryshme, duke përfshirë Canon", tha Hideki Ozawa, presidenti dhe kryeekzekutivi i degës në Kinë, të kompanisë japoneze Canon. Sipas tij, Canon-i ka paraqitur shumë sugjerime nga këndvështrimi i kompanive, të cilat u morën në konsideratë nga sektorët administrativë kinezë, duke kontribuar për optimizimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit.
Foto:VCG
Krahas zbatimit të masave të reja, si lehtësimi i përdorimit të pagesës së lëvizshme për vizitorët e huaj, zbatimi i 24 pikave për lehtësimin e investimeve të huaja, shtimi i numrit të vendeve pa viza, Kina po përmirëson vazhdimisht mjedisin e saj, duke përqafuar botën e jashtme.
“A është e vështirë të investohet në Kinë?”
Tregu supergjigant kinez, me një popullsi prej 1.4 miliard banorësh, po mirëpret ndërmarrje të huaja me më shumë masa lehtësuese, për ngritjen e nivelit të hapjes.
Qeveria kineze po shkurton vazhdimisht elementët negative për investime të huaja, duke hequr masat për kufizimin e pjesëmarrjes së investimeve të huaja në fushën e manifakturës, masat për uljen e pragut në fushat e telekomunikacionit, të mjekësisë etj. Ndërkohë, niveli i përgjithshëm i tarifave doganore të Kinës, është sa ai i vendeve të zhvilluara, anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Si reagim ndaj strategjisë kombëtare të Kinës për zhvillim cilësor, gjithnjë e më shumë kompani ndërkombëtare po shtojnë investimet në Kinë, pikërisht në sektorë që gjenden në pozicionet më të larta të zinxhirit të prodhimit.
Foto:VCG
Në ditën e parë të marsit, gjiganti i prodhimit të barnave Astra Zeneca deklaroi se do të investojë 475 milionë dollarë amerikanë në Kinë, për ndërtimin e një fabrike të prodhimit të barnave në molekula të vogla. Shangai do të bëhet qendra e pestë strategjike globale e kësaj kompanie.
Gati 200 kompani, ndër Top 500 të botës, si edhe kompani udhëheqëse në sektorë të ndryshëm, kanë rezervuar pavione, për të marrë pjesë në edicionin e shtatë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës, që do të mbahet këtë vit. Numri i dyqaneve të KFC-së në Kinë, shkoi mbi 10 mijë, duke tejkaluar filialet në SHBA. Ndërkohë, në qytetin Chengdu të Kinës Jugperëndimore filloi funksionimin projekti i parë jashtë Europës i kompanisë Airbus që mund të ofrojë shërbimet e plota të avionëve të tyre. Të gjitha këto vërtetojnë qëndrimin optimist të qarqeve të biznesit botëror për tregun kinez.
"Përkushtimi i Kinës për zhvillimin e gjelbër të vazhdueshëm, përputhet me prirjet e zhvillimit të shumë kompanive amerikane. Hapja e mëtejshme e sektorit të shërbimit të Kinës, do ti ofrojë mundësinë shumë kompanive amerikane, që të shfaqin njohuritë, teknikën dhe aftësitë e tyre profesionale në këtë drejtim" u shpreh Michael Hart - Drejtori i Këshillit të Tregtisë së SHBA-së në Kinë.
Foto:VCG
Yin Zheng - zv/president i Schneider Electric SA-të dhe presidenti i Degës në Kinë, vuri në dukje se vitin e kaluar kompania e tij ngriti në Kinë disa institucione kërkimore, si një qendër studimore për shpërndarjen e elekticitetit, një qendër për studimet e automatizimit, një laborator për risitë e Inteligjencës Artificiale. "Falë epërsisë inovative të Kinës, do të përhapim në botë më shumë mençuri kineze", tha ai.(Zhang Yan/Elona)