Jetmir Banishta, muzika rock është gjallë
2024-03-17 09:29:02

Jetmir  Banishta  Unit  Band  (Foto personale)

Jetmir  Banishta  Unit  Band  (Foto personale)

Këngëtari nga Shkodra Jetmir Banishta  u  bë i njohur për publikun në spektaklin “The Voice of Albania”, por dhe në koncerte  ‘live’ me artistë të njohur të skenës dhe muzikës, ku identifikohet rryma e muzikës  rock. Jetmiri është ekonimist, por pasioni i tij i madh është muzika. Prej 18 vjetësh  Jetmiri është pjesë e grupit ‘Unit Band’, ku luan muzikë ‘live’ në qytetin e Shkodrës dhe në qytete të ndryshme të vendit. por është angazhuar pak me festivalet. Ai ka marrë pjesë në "Shkodra Fest"  me këngën "Mret pa kurorë" me grupin Unit Band , si edhe në festivalin "Top Fest" si solist me këngën “Asgjë s’më mjafton”. Në intervistë për Radio Ejani, Jetmir Banishta tregon për karrierën prej 18 vjetësh të grupit muzikor Unit Band dhe për të rejat muzikore.

CMG: Ti je pjesë e grupit Unit Band prej 18 vitesh. Cili është sekreti i rezistimit të një grupi rroku në Shqipëri?

Jetmir Banishta: Jam pjesëtar i Unit Band që nga viti 2006, po bëhen 18-vite tashmë. Ka qenë një eksperiencë fantastike dhe shpresoj të vazhdojë për shumë gjatë. Gjatë këtyre viteve kemi kaluar disa faza të mira dhe jo të mira, largime, përballja me ndryshimet e tendencave të muzikës, sidomos këto vitet e fundit që i janë larguar pak njerëzit muzikës rock. Megjithatë ne kemi rezistuar sepse kemi besuar përherë në atë që kemi bërë dhe kemi menduar gjithmonë që kjo funksionon. Nëse ka pasur ndonjë shprehje “Rock is dead”, pra rroku ka vdekur ne nuk e kemi besuar këtë, kemi menduar “Rock is alive”, pra ne mendojmë se, rroku është gjallë. Kemi besuar në atë që kemi bërë, kemi punuar fort për ta bërë sa më mirë dhe për të përçuar energjinë e duhur tek audienca jonë.

Sigurisht që kemi një audiencë specifike, më vjen keq ta them këtë, por realiteti është ky. Vitet e fundit që tendenca e muzikës dhe preferencat muzikore kanë ndryshuar te pjesa më e madhe e atyre që dëgjojnë muzikë, por ky është fakti. Ne jemi fokusuar te audienca jonë dhe jemi munduar të kënaqim dëshirat muzikore të tyre.

Jetmir Banishta Unit Band (Foto personale)

Jetmir Banishta Unit Band (Foto personale)

CMG: Disa nga pjesëtarët  e grupit janë pjesë e famijes. A është e vështirë për të mbajtur ekuilibrin?

Jetmir Banishta: Po, është e vërtetë, unë jam në grup së bashku me kushëririn tim Edisonin, i cili është kitaristi, vëllain tim Arvitin dhe Rigelsin, një mik i yni. Të qënit pjesëtarë të familjes ka problemet e veta, nuk është njëlloj si të jesh me shoqëri, megjithatë e kemi menaxhuar këtë pjesë duke rënë dakort që në punë jemi në punë, ndërsa jashtë pune jemi pjesëtarë të familjes. Ndoshta dhe nuk kam shumë informacion, por nuk e di nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë grup që ka hasur më shumë debate të forta sesa ne. me këtë dua të them që e kemi marr punën shumë seriozisht dhe çdo lloj debati ka qenë për efekt të saj, asgjë personale. Jashtë punës apo sallës së provave ku bëjmë muzikë kemi qenë sërish familjarë. Ka gjithsesi sikletet e veta sepse tenton në çdo kohë të mos e bësh tjetrin të ndihet keq, por e mira jonë që punë nga marëdhëniet personale i kemi ndarë.

CMG: Si grup, përse keni qëndruar larg konkurrimeve të festivaleve?

Jetmir Banishta: Sigurisht që e ka një arsye për këtë. Kemi vënë re që Eurovisioni ka një impakt shumë të madh në festival, nuk flas vetëm për muzikën rrok, por për muzikën e festivalit të këngës. Tendecat e reja e kanë prishur pak traditën e festivaleve tona, duke patur devijim nga tekstet, shpresh dëgjojmë tekste pa kuptim,  muzika po ashtu, ku janë këngë që nuk kanë të bëjnë shumë me traditat tona. Sidomos tendenca e të krijuarit këngë duke e pasur fokusin tek Eurovision-i ,është një mungesë e madhe për krijimtarinë e mirë dhe unë mendoj që është më shumë, show sesa përmbajtje.

Një këngë ka tekst dhe muzikë, por mjafton të bësh si ‘pulë’ edhe e fiton Eurovision-in. Por sigurisht edhe do të marrim pjesë, do krijojmë ndonjë material të mirë ku vlerësohet apo jo, kjo nuk na hyn në punë shumë. Duhet të them që një këngë rrok në këto kohë, edhe të dale në vendin e fundit të festivalit është bukur (qesh).

Jetmir Banishta Unit Band (Foto personale

Jetmir Banishta Unit Band (Foto personale

CMG: Si është të bësh muzikë live, për një publik të caktuar?

Jetmir Banishta: Të bësh muzikë për një publik të caktuar është e jashtëzakonshme. Duke qenë se personat qe e pëlqejnë këtë muzikë janë pakësuar në numër, dëshira e tyre për këtë lloj muzike është rritur. Është shumë bukur kur ke një audiencë që i njeh këngët, është interaktive me grupin e përshtatet me show-n, e sigurt që ndihesh mirë sepse kjo tregon që po jep emocion dhe po merr një ‘feedback’.  Është ndryshe kur audienca që vjen të ndjekë koncertin direkt nuk është fans i muzikës sepse është vënë re një farë stepje. Ashtu siç ka ndodhur edhe me mua kur dëgjoj një muzikë që s’e pëlqej apo që  s’është në preferencat e mia, jam pak pasiv. Por është kënaqësi kur ke përballë publikun që i njeh këngët, e reagon dhe kur merr duartrokitje në fund  kupton  që ke bërë një punë të mirë.

CMG: Publiku i gjerë ty të mban mend në prezantimin në vitin 2013 në spektaklin "The Voice of Albania". Çfarë kujton  nga ajo kohë?

Jetmir Banishta: U bënë 11 vite tashmë  që nga “ The Voice”. Shumë eksperiencë e bukur dhe fantastike sepse ishte një konkurrencë e madhe. Unë kisha shumë miq aty që ishin konkurentë, kishte me të vërtetë komkurentë në atë vit dhe cilësi. Mbaj mend shumë histori e momente të hoteleve ku ishim të akomoduar, momentet e provave, foto me personat që kanë qenë aty, ishte me të vërtet një eksperiencë fantastike.

Unë kam mundur të bëj  këngë që kisha dëshirë për t’i bërë , Elton Deda ma dha këtë mundësi. Kënga e fundit që kam kënduar në “The Voice” ka qenë një baladë e cila më pëlqën shumë dhe pavarësisht se atë baladë që  dua dhe e dëgjoj po ashtu shumë, e kam kënduar me më shumë emocion, ajo këngë më bëri të ndërprisja konkurimin e të shkoja në shtëpi. Gjithësesi pas saj kam pasur eksperienca shumë të mira me grupin dhe mjafton që mbahem mend ose identifikohem si një person që prish mikrofonat, sepse më kishim cilësuar si zë me shumë potencë. Gjithsesi komplet si eksperiencë ishte e bukur.

CMG: Gjithashtu ka qenë ai vit që  more pjesë në "Top Fest" me këngën "Asgjë s'më mjafton".

Jetmir Banishta: Po atë vit kam marr pjesë edhe në “Top Fest”. Kënga “Asgjë s’mjafton” është një këngë shumë e mirë, e bërë me mjaft dashuri dhe pasion, që mua më pëlqen shumë. E kemi realizuar me mjaft pasion. Teksti është i mirë dhe arritëm që të nominoheshim edhe në “Best Rock”. Ishte bukur!

CMG: Si i kujton fillimet e tua drejt muzikës? Kur lindi pasioni për artin?

Jetmir Banishta: Fillimet e mia janë rreth viteve 2005-2006, kur ishim duke ndjekur një performancë ‘live’ të një grupi dhe unë këndova nja dy a tre këngë. Aty më thonë miqtë e mi se mund ta bëja këtë gjë dhe ishim të gjjthë miq që e dëgjonim muzikën rrok, kishim bagazh rreth kësaj muzike, e nuk do ta bëja nga hiçi këtë gjë. Kjo më ngacmoi pak e fillova të bëja prova e të merrja leksione në mënyrë autodidakte.  Më pas u mblodhëm, nuk kishim eksperiencë asnjëri,

Edisoni, kitaristi im kishte studiuar 2-3 vite në kitarë, por e kishte marrë seriozisht dhe kishte aftësi, Arviti ka ardhur pak më vonë e kështu si kot ja filluam duke bërë prova e muzikë për qejf. Gjatë provave menduam se e kishim marrë aq shumë seriozisht sa nuk e kishim kuptuar as vetë sesa seriozisht e kishim marrë. Krijonim këngë impenjative e prej atyre këngëve duhej të nxirrnim më të mirën, gjë kjo të cilën nuk e shihnim shumë tek të tjerët sepse janë pak ata që merren me detaje dhe e marrin kaq seriozisht muzikën. Me të vërtetë që s’ishim duke e kuptuar sa shumë seriozisht e patëm marrë dhe punët u bënë më serioze, unë fillova duke u marrë edhe me zërin për të ecur pak më përpara dhe ja ku jemi tani, 18 vite më vonë dhe  vazhdojmë të rezistojmë ende.

 

Jetmir Banishta Unit Band

Jetmir Banishta Unit Band

CMG: Sot janë fëmijët e tu që shkëlqejnë me muzikën, mendon se do ndjekin drejtimin e rrokut si babai?

Jetmir Banishta: Unë kam dy djem, i madhi Roni i cili studion për piano në klasën e pestë dhe është shumë mirë, ndërsa i vogli, Gleni në klasën e pare dhe që të dy kanë vesh muzike. I madhi ka edhe zë për të kënduar dhe gjithashtu është duke mësuar kitaren bas. E shoh që ka një pasion shumë të madh për muzikën e sidomos për atë rrok. Do isha shumë i kënaqur sikur ta vazhdonte këtë gjë me pasionin e duhur dhe dëshirën e tij, jo me influencën time. Influencën e merr sepse është gjatë gjithë kohës duke dëgjuar muzikë rrok në shtëpi, por nëse e bën me dëshirën e tij edhe pa u ndikuar nga unë, kjo do të jetë edhe më mirë sepse do zbulojë pasionin tek vetja. Shpresoj që edhe i vogli të marrë një kulturë muzikore, por është ende herët sepse është i vogël, vetëm 7 vjeç dhe është në hapat e para.

CMG: Ti je ekonomist, çfarë i lidh këto dy profesione ?

Jetmir Banishta: Po jam ekonomist, kontabilist dhe se ku lidhet kjo me muzikën unë do përmend vetëm dy koncepte ekonomike, që do t’i lidh me muzikën. E para është rendimenti dhe e dyta kursimi. Kursimi lidhet sepse mua më ka ndihmuar shumë ky koncept për të menaxhuar frymëmarrjen, por e lidh teknikisht me këndimin. Që të këndosh me sa më shumë potencë dhe sa më pak ajër, kështu menaxhon frymëmarrjen dhe rendimenti është kohëdhënia e kohës së duhur një projekti apo një prove, çfarëdo që të ketë lidhje me muzikën apo prodhimin e saj. Provat apo performancën në mënyrë që të dalë një produkt optimal. Pra të mos kursesh në kohë për të mos humbur cilësinë, këtu mund të lidhen të dyja.

 

CMG: Jep mësime si Vocal Coach, si e sheh të ardhmen e artistëve të rinj?

Jetmir Banishta: Siç e preka pak më përpara, tendencat nuk janë te rroku dhe unë jam ‘Vocal Coach’ për muzikën rrok , dhe nuk është kërkesa e madhe. Brezat e rinj nuk janë shumë të dhënë pas muzikës rrok, muzika moderne dhe ajo pop e viteve të fundit nuk kanë shumë të përbashkëta këndimi me atë rrok. Sigurisht që nuk futem në specifika të kësaj muzike sepse nuk janë shumë të interesuar. Për atë lloj repertori këngësh që duan të këndojnë nuk i hynë shumë në punë.

Do kisha dashur që shumë e shumë të rinj të donin të mësonin muzikën rrok, por kjo është situata aktuale. Pavarësisht nga rryma që kanë zgjedhur të bëjnë, unë vë re që ka shumë talent, por pak dëshirë e mendoj që kjo është pak problem pasi talentin mund ta zhvillosh, duke e punuar, përmirësuar e nxjerr më të mirën nga vetja, ndërsa dëshirën është shumë e vështirë që ta zhvillosh, sepse atë ose e ke ose nuk e ke

CMG: Cilat janë planet e tua individuale në vazhdim, por edhe me grupin Unit Band edhe nga ana krijuese?

Jetmir Banishta: Nga aspekti profesional si kontabilist kam plane të zgjeroj aktivitetin, por jam duke menduar për disa alternativa të tjera që nuk kanë të bëjnë me shërbimet që ofrojmë për momentin, por të shoh se si do të shkojnë, po punoj për këtë ide. Përsa i përket grupit jam duke punuar disa demo që ka pak kohë që i kemi realizuar së bashku me kitaristin, Edisonin dhe besoj që janë materiale shumë të mira dhe mendoj t’i regjistrojmë dhe të nxjerrim disa produkte cilësorë.

Intervistoi: Sava Lena