Teuta Pango dhe dashuria e përjetshme për këngën
2024-03-16 09:27:17

Teuta gjate nje koncerti (Foto personale)

Teuta gjate nje koncerti (Foto personale)

Teuta Pango është këngëtare e njohur e muzikës popullore dhe asaj të lehtë. Ajo ka studiuar në liceun artistik për kanto dhe ka kryer një kurs porofesional për këngëtare të muzikës popullore të përpunuar. Teuta jeton prej vitesh me familjen në Greqi, ku merr pjesë në koncerte të organizuara nga komuniteti shqiptar. Pas një shkëputjeje të gjatë nga kënga është rikthyer vitet e fundit me krijimtari të re, si dhe angazhohet në aktivitete të ndryshme muzikore në Shqipëri. Në një intervistë për Radio Ejani Teuta Pango tregon për fillimet si këngëtare, arsyet e shkëputjes disavjeçare dhe rikthimin e saj vitet e fundit.

CMG: Si lindi pasioni për këngën tek ti?

Teuta Pango: Unë që në moshë të vogël e mbaj mend veten duke kënduar. Jam një vajzë e lindur dhe e rritur në Përmet. Dëshira ime ka qenë për të kënduar që në moshën 6 vjeçare dhe më kujtohet që në atë kishim kompozitorin Aleksandër Peçi, i cili sapo kishte mbaruar shkollën dhe bënte stazhin në Përmet. Ai ishte i pari që dëgjoi zërin tim dhe besoi tek zëri im.

Teuta Pango me grupin e perpetit (Foto personale)

Teuta Pango me grupin e perpetit (Foto personale)

CMG: Këngën e ke trashëguar nga familja?

Teuta Pango: Jemi një familje artistësh, motra  është flautiste dhe mësuese muzike në Liceun Artistik në Tiranë. Prindërit e mi kanë qenë artistë në shpirt dhe këndonin në shtëpi, dhe ne e morëm artin nga ata.

CMG: Ke interpretuar këngë të muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Cili nga këto dy zhanre muzikore përshtatet  më shumë në zërin tuaj?

Teuta Pango: Unë kam mbaruar shkollën e mesme për kanto, por nuk arrita të vazhdoja shkollën e lartë. Pasi mbarova shkollën e mesme vazhdova një vit kursin në Tiranë për këngëtare të muzikës popullore të përpunuar. Unë isha nga Përmeti, por këndoja këngët popullore të Shqipërisë së mesme, këngët e veriut dhe ato shkodrane. Mendoj se për një këngëtare që këndon këngë të muzikës së lehtë është më e thjeshtë që të shkojë drejt këngës së përpunuar popullore, sepse jugu i ka pak më folklor këngët. Këngët vlonjate mund t’i këndoj më bukur. Gjithashtu kam kënduar dhe këngë përmetare, por jam më e përpunuar si zë.

Teuta Pango me kompozitorin Gjergj Leka (Foto personale)

Teuta Pango me kompozitorin Gjergj Leka (Foto personale)

CMG: Çfarë kujton nga vitet e karrierës suaj muzikore?

Teuta Pango: Mbaj mend që kur ishim në shkollë unë do të përshëndesja në çdo koncert apo festë që organizohej atëhere. Nuk dua të mburrem, por gjithmonë më kanë thënë Vaçja. Nuk dua ta kem atë emër, sepse Vaçe Zela ka qenë gjithmonë këngëtarja jonë e madhe. Pra në çdo festë të muzikës që organizohej në shkollë isha e priviligjuar për të hapur unë koncertin dhe do këndoja këngët e mëdha, pra këngët që këndonte Vaçja. Fatkeqësisht u ndërprenë të gjitha këto mrekulli që unë kaloja, por isha vërtetë e privilegjuar sepse këndoja dhe në estradën e Gjirokastrës. Pasi mbarova shkollën e muzikës punova në estradën e Gjirokastrës me Petrit Lulon, Eftimi Llambron dhe këngëtarë të tjerë që ishin aty në atë kohë.  Më vonë mora rrugën e emigrimit në Greqi.

Teuta Pango ne nje aktivitet (Foto personale)

Teuta Pango ne nje aktivitet (Foto personale)

CMG: Ke patur mundësi të aktivizohesh me këngën në Greqi?

Teuta Pango: Unë në Greqi deri në vitin 2014 nuk kam kënduar për gati 20 vite dhe çdo gjë u mbyll në një sirtar. Nuk mësova asnjë këngë, por vetëm punonim dhe rrisnim fëmijët. Kur më dëgjonin ndonjëherë nëpër festa, të gjithë më luteshin që të këndoja, por i kishim vënë një qëllim vetes si familje dhe ëndrrat ishin mbyllur në sirtar. Në vitin 2014 rastësisht një i njohur më thotë se organizonin një festival, ku më ftoi dhe mua. Kështu që shkova në atë koncert, dhe kur fillova të këndoja të gjithë ngelën të habitur nga zëri im. Atë ditë mora dhe çmimin e parë të festivalit, sepse u habitën të gjithë nga performanca ime. Nga ai vit e deri sor nuk jam ndalur së kënduari dhe  vazhdoj të këndoj.

CMG: Je rikthyer pas disa vitesh në Shqipëri si pjesëmarrëse e festës së këngës sshqiptare, organizuar nga Gjergj Leka. Si e prite ftesën në këtë festival?

Teuta Pango: Vërtetë nuk i besova syve kur më erdhi mesazhi nga kompozitori Gjergj Leka. Gjergji njihte motrën time sepse kanë qenë kolegë, por më kishte dëgjuar dhe më ftoi të marr pjesë në festivalin e tij me një këngë të kompozitorit Agron Xhunga, e cila nuk ishte kënduar asnjëherë. Ky ishte një privilegj për mua, dhe besoj se e kam realizuar bukur këtë këngë. Është një nga këngët më të dashura për mua, një nga këngët më të bukura që titullohet “Ti do të më dashurosh patjetër”, me tekst të Fatos Arapit dhe të orkestruar nga Gjergj Leka. Nuk është vetëm kjo këngë që kam kënduar, sepse i pari që besoi te zëri im ishte kompozitori Vladimir Kotani.

Shumicën e këngëve që kam publikuar në YouTube janë këngë të kompozuara nga i madhi Vladimir Kotani, i cili vërtetë besoi tek unë. Unë e kam thënë gjithmonë se ai ka qenë një njeri që vërtetë më ka parë që kam dëshirë të këndoj, por nuk më ishte dhënë mundësia sepse ashtu ishin kohërat, dhe më ka dhënë 6-7 këngë të tij.

Teuta Pango (Foto personale)

Teuta Pango (Foto personale)

CMG: Ke realizuar duete me të tjerë këngëtarë gjatë viteve të karrierës ?

Teuta Pango: Kur isha në estradën e Gjirokastrës këndoja gjithmonë me Petrit Lulon, ndërsa me të tjerë këngëtarë nuk kam kënduar.

CMG: E ke veshur kostumin popullor tradicional kur ke kënduar këngë popullore?

Teuta Pango: Sigurisht që e kam veshur kostumin popullor. Kam qenë 25 vjeçe kur kam marrë pjesë me grupin e Laver Bariut dhe kemi shkuar në Zvicër për 15 ditë dhe kemi bërë një turne shumë të bukur në një festival atje. Ndërkohë kemi shkuar dhe në Paris me grupin e Gjirokastrës në vitet 90-91. Kur jam prezantuar me kostumin popullor jam ndjerë shumë krenare për veshjet tona popullore dhe ruaj kujtime shumë të bukura me veshjet popullore përmes fotografive.

Teuta Pango gjate nje koncerti (Foto personale)

Teuta Pango gjate nje koncerti (Foto personale)

CMG: Sa e vështirë ka qenë për ty që ta ruash të pastër në interpretim këngën popullore?

Teuta Pango: Këngët popullore i kam dashur shumë, por më duken shumë të vështira për mua si këngëtare. Unë e këndoj këngën popullore, por nuk e kam brenda meje dhe mundohem mos ta vras. Në këngët popullore vlonjate jam më melodioze dhe e saktë sesa në këngët përmetare. Këngët e Përmetit nuk i këndojnë dot të gjithë, sepse janë të vështira. Ndërsa me këngët e lehta jam munduar që të jem korrekte, ta respektoj, ta interpretoj dhe ta dashuroj.

Teuta Pango duke kenduar (Foto personale)

Teuta Pango duke kenduar (Foto personale)

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Teuta Pango: Kam shumë dëshirë që të vazhdoj. Këtu në Greqi është shumë e vështirë, por jam me fat që jam në shoqatën “Jeta”, ku bëjmë aktivitete gjithmonë dhe jam e priviligjuar që jam në krye të koncerteve. Ditën e dielë do të jem në Elbasan në një festival, ku grupi “Sazet e Përmetir” më ka ftuar si përmetare që jam. Ky është festivali i këngës popullore të përpunuar dhe unë do të këndoj një këngë të vjetër popullore për Naimin. Kam disa projekte dhe kërkesa, duke shpresuar që të vazhdoj të këndoj sadopak akoma.

Teuta Pango me kengetarin Kastriot Tusha (Foto personale)

Teuta Pango me kengetarin Kastriot Tusha (Foto personale)

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë, miqtë dhe adhuruesit tuaj.

Teuta Pango: Përshëndes dëgjuesit e Radio Ejani  dhe të falenderoj shumë që më bëre dhe mua pjesëtare të Bio Folk.

Intervistoi: Gazmend Agaj