20-vjeçari Li Cheng, student kolegji dhe i pasionuar pas inxhinierisë nga Chongqing i Kinës jugperëndimore, po bën bujë duke i kthyer ëndrrat e tij sipërmarrëse në realitet. Duke shfrytëzuar njohuritë dhe ndjeshmërinë e tij, Li ka shpikur një ekran novator për shkrimin “Braille”, të përshtatur për komunitetin me shikim të dëmtuar.
E quajtur “Argus”, grupi i parë i ekranit me pika “Braille” pritet të dalë këtë verë. Kompania e themeluar nga Li, “Chongqing Wujie -QH Tech Co”, tani vlerësohet në rreth 20 milionë juanë (2.78 milionë dollarë).
Ndërsa njerëzit përdorin ekrane si ato në iPad ose “Kindles”, për të lexuar, personat me shikim të dëmtuar mbështeten në ekranet enkas për ta me pika për të lexuar përmes prekjes.
Aktualisht, individët me aftësi të kufizuara në shikim varen kryesisht nga librat e printuar të “Braille” për të lexuar. Kina ka rreth 18 milionë persona me probleme në shikim, me 23.5 për qind nën moshën 30-vjeçare, sipas Federatës së Personave me Aftësi të Kufizuara të Kinës.
“Kërkesa e tregut është e madhe”,- tha Li.
foto: ChinaDaily
Ai theksoi se pasi të jetë prodhuar në masë, “Argus” mund të jetë një mjet novator që mund të rrisë përdorimin e tij për leximin te personat me shikim të dëmtuar, të përmirësojë efikasitetin dhe shtrirjen e leximit dhe të pasurojë jetën e tyre shpirtërore.
“Kur fuqia e shkencës dhe teknologjisë kombinohet me kujdesin humanist, ne jemi në gjendje të krijojmë një ekran që njerëzit mund ta përballojnë realisht”,- shtoi ai.
Sipas Li, tradicionalisht, operacionet kryesore teknike për pajisje të ngjashme përdorin qeramikë piezoelektrike për të kthyer sinjalet elektrike në sinjale fizike. Megjithatë, ky material është kryesisht i importuar dhe, për rrjedhojë, shumë i shtrenjtë.
Vitin e kaluar, ekipi i Li arriti të reduktonte kostot me 40 për qind pas raundeve të provave dhe dështimeve, dhe duke rindërtuar me sukses një aktivizues që përmbys qasjen e mëparshme fizike ndaj qasjes elektromagnetike.
Aparatet e para “Argus” kushtojnë nga 8000 deri në 10.000 juanë, me plane për të prezantuar një version më të përballueshëm të nivelit fillestar me funksione bazë.
Lindur në Shaoxing, në provincën Zhejiang, kur ishte i vogël Li ëndërronte të bëhej inxhinier. “Shpesh kam imagjinuar për përdorimin e mbetjeve elektronike të objekteve të mia elektronike të çmontuara për të bërë një robot humanoid”,- tha ai.
Ai ka fituar çmime të shumta inxhinierike në nivel kombëtar dhe komunal dhe ka aplikuar për shtatë patenta shpikjesh.
Në vitin 2020, ai u regjistrua në Institutin e Inxhinierisë Robotike në Universitetin Chongqing.
Talenti dhe përkushtimi i tij i dhanë njohje nën programin e Institutit Kombëtar Elitar të Inxhinierisë të Kinës, i cili u iniciua nga Ministria e Arsimit dhe Mbikëqyrja dhe Administrimi i Pasurive Shtetërore i Këshillit të Shtetit në gusht 2022.
Me mbështetjen e programit, projekti i Li u lançua zyrtarisht në tetorin e vitit të kaluar, me një ekip prej tetë vetësh që bashkëpunojnë në aspekte të ndryshme të zhvillimit të produktit; strukturën, elektronikën, montimin e përgjithshëm, dizajnin, operacionet e domenit privat dhe kërkimin e përdoruesit.
Li tha se ideja për “Argus” daton në fund të vitit të tij të parë të shkollës, më 2021-shin, kur ai po merrte pjesë në “XbotPark”, një kamp veror me temë mbi shkencën, teknologjinë dhe novacionin, i iniciuar nga Li Zexiang, i cili quhet “Babai i DJI”, njëbrirëshi lider në botë për dronë.
Një ditë, kur po lexonte një roman në telefonin e tij, i shkoi ndër mend se si mund të lexonit personat me probleme në shikim. Kurioziteti i tij bëri që të niste kërkimet mbi këtë temë, duke përfshirë mbledhjen e informacionit nga faqet e internetit dhe mediat sociale, si dhe ndërveprimin me njerëzit me shikim të dëmtuar, të cilët dhanë njohuri thelbësore për sfidat e tyre të përditshme.
“Li është një lider shumë i mirë. Atmosfera e punës është shumë e relaksuar dhe ne shkëmbejmë shpesh ide. Me pjekurinë, stabilitetin dhe qasjen sistematike, Li përcakton qartë qëllimet tona dhe ne jemi të sigurt në atë që bëjmë”,- tha studenti pasuniversitar 22-vjeçar Fu Wenke, i cili është shoku i kolegjit të Li dhe iu bashkua ekipit të tij në shtator të vitit të kaluar.
Përpjekjet e ekipit janë përforcuar nga Zhu Xiaoming, një teknik softuerësh 38-vjeçar me vite përvojë. Si një individ me dëmtim të shikimit, kontributi i Zhu ka qenë i paçmuar për të siguruar që “Argus” të përmbushë nevojat e përdoruesve të tij.
“Pavarësisht se është në fazat e hershme të zhvillimit, “Argus” ka treguar veçori unike në funksionim, ndjenjën e prekjes dhe reagimin në shfaqjen e alfabetit “Braille”. Është një mjet që mund të ndihmojë njerëzit si unë, të cilëve u mungon inputi vizual, të mësojnë më shumë në skenarë të shumtë”,- tha Zhu.
Programi ka marrë një investim prej 500.000 juanësh nga Baza Ndërkombëtare e Inovacionit të Shkencës dhe Teknologjisë në Industrinë Inteligjente të Liqenit Mingyue, e cila promovohet nga Li Zexiang dhe “Chongqing Liangjiang New Area”, zona e tretë e zhvillimit në Kinë, pas Shanghai Pudong dhe Tianjin Binhai. Po ashtu, ka siguruar 20 milionë juanë në një financim të plotë nga një firmë investimi me bazë në Shenzhen.
Li planifikon t'i kushtojë tre deri në pesë vjet përsosjes së mëtejshme të “Argus”.
Promovimi jashtë shtetit është planifikuar për vitin tjetër, me aspiratat për të integruar teknologjinë thelbësore - sensorin e prekjes me densitet të lartë - në aplikacionet e realitetit të shtuar ose realitetit virtual dhe potencialisht zhvillimin e robotëve shoqërues të shtëpisë, me qëllim të përmirësimit të jetës së njerëzve.