Kinë, “ndërrimi i të vjetrave me të reja” do të nxitë fuqimisht konsumin dhe rritjen ekonomike
2024-03-15 09:17:53

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në mbledhjen qendrore ekonomike të Kinës të zhvilluar në fund të vitit 2023 dhe në mbledhjen e 4-t të Komisionit Qendror Financiar të mbajtur në shkurt këtij viti, është shpallur zbatimi i programit “Ndërrimi masiv i pajisjeve dhe produkteve të vjetra të konsumit me të reja”. Në muajin mars, në këtë drejtim, Këshilli i Shtetit i Kinës hartoi plane të hollësishme.

 

Nga këto, mund të shohim një sinjal të qartë që Kina tani po zbaton një strategji makroekonomike me “nxitjen e rritjes nga stoku”, çka mund të stimulojë njëkohësisht nivelin e investimeve dhe konsumit. Kjo konsiderohet si një masë efikase për nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë për ekonominë e 2-të më të madhe të botës.

 

Konsumi është pika e fundit e ciklit ekonomik, si edhe pikënisja e një cikli të ri. Në kushtet kur qarkullimi i jashtëm është ndikuar nga faktorë të ndërlikuar, konsumi, veçanërisht ai i brendshëm, luan një rol më të dukshëm për mëkëmbjen ekonomike të Kinës.

 

Të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave tregojnë që në vitin 2023, vëllimi i shitjes me pakicë të mallrave në Kinë shënoi rritje me 7.2 % dhe kontributi i shpenzimeve të konsumit final për rritjen ekonomike arriti në 82.5 %.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Studiuesja e Institutit të Ekonomisë së Tregut pranë Këshillit të Shtetit Chen Lifen u shpreh që, tani, ekonomia kineze e ka kaluar fazën e zhvillimit të shpejtë dhe ka hyrë në fazën e zhvillimit me cilësi të lartë. Në një fazë të tillë, me përmirësimin e strukturës dhe ndryshimin e mënyrave të zhvillimit, nuk mund të bëhet thjesht zgjerimi i shkallës, por duhet të ngrihet cilësia dhe efektiviteti, vuri në dukje ajo.

 

Ky nuk është thjesht një procesi stimulimi, por ka si qëllim edhe lehtësimin e zhvillimit të ciklit nga prodhimi deri në konsum. Kështu, do të shtohet kërkesa e brendshme, çka mund të nxitë efektivisht konsumin dhe zhvillimin ekonomik.

 

Për përfitimet e kësaj strategjie, komisioni financiar ka theksuar në mbledhjen e 4-të që ajo do të nxitë në mënyrë masive ndërrimin e pajisjeve e të mallrave të konsumit dhe ka përfitime afatshkurtra dhe afatgjata.

 

Presidenti i grupit të pajisjeve elektronike “Changhong”, Liu Jiang, e vlerëson këtë strategji, duke theksuar që ndërrimi masiv do të nxitë jo vetëm nivelin e konsumit, por edhe do të zëvendësojë produktet e vjetra me ndotje të lartë me ato të gjelbra inteligjente. Kjo do të nxitë zhvillimin me cilësi të lartë të vendit.

 

Kina ka një treg gjigant dhe ka kërkesë kolosale për ndërrimin e pajisjeve. Kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Zheng Shanjie bëri të ditur gjatë “dy sesioneve” të sivjetshme që në vitin 2023, përmasat e investimeve për pajisjet në sektorët kryesorë, si industria dhe bujqësia, ishin afro 4.9 trilionë juanë. Me nxitjen e mëtejshme të zhvillimit cilësor, kërkesat për ndërrim pajisjesh do të rriten më tej dhe përmasa e tregut parashikohet të arrijë mbi 5 trilionë juanë.

 

Studiuesi i Institutit të 2-të pranë Korporatës së Shkencës dhe Industrisë Hapësinore të Kinës (CASIC) Wei Mingying u shpreh që pajisjet e tanishme industriale në Kinë kanë një stok të madh e harxhim të madh energjie  dhe ka nevojë për përhapjen e pajisjeve industriale me teknologji inteligjente. Me përparimin e teknologjisë, ndërmarrjet kanë kërkesë për ndërrimin me pajisje më moderne, më inteligjente, të gjelbra dhe digjitale.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Përveç sektorit industrial, ka kërkesë kolosale edhe ana e konsumit të mallrave, si frigoriferë, makina larëse dhe kondicionerë. Drejtori Zheng u shpreh që, në fund të vitit 2023, numri i automjeteve të udhëtarëve në Kinë ishte 336 milionë dhe numri i pajisjeve kryesore elektro-shtëpiake arrinte mbi 30 miliardë. Kështu, ndërrimi i këtyre produkteve mund të krijojë një konsum prej mbi një trilionë juanësh.

 

Për fondet mbështetëse, Komisioni Qendror Financiar dhe Këshilli i Shtetit kanë theksuar që “duhet të ngulet këmbë në bashkërendimin e qeverisë qendrore dhe organeve të pushtetit vendor, të mbështetet pjesëmarrja e të gjitha pjesëve të zinxhirit industrial në këtë proces dhe të krijohen më shumë përftime për më shumë konsumatorë, dhe njëkohësisht të shtohet përkrahja fiskale, tatimore dhe financiare”.

 

“Ky raund ndërrimi në fakt ka treguar epërsinë e sistemit të ekonomisë socialiste të tregut. Në  kushtet e kërkesës për nxitjen e rritjes ekonomike, duhet të shfrytëzohen si fuqia e qeverisë, edhe fuqia e tregut, të cilat mund të përplotësojnë njëra-tjetrën në mënyrë të bashkërenduar dhe me nxitje të ndërsjellë,” u shpreh presidenti i grupit “Changhong”, Liu Jiang. (Jiang Lei)