2024, viti ekonomik i Kinës?
2024-03-15 09:50:30

Ekonomia kineze në 2024 (Foto CMG)

Ekonomia kineze në 2024 (Foto CMG)

Ekonomia kineze, ekonomia e dytë më e madhe e botës, u rrit në mënyrë të dukshme gjatë vitit 2023, duke u shtuar me 5.2 përqind më shumë nga viti 2022.

Vitin e kaluar, Kina ruajti për të trembëdhjetin vit rradhazi pozicionin e saj si fuqia më e madhe industriale në botë, ndërsa për të gjashtin vit rradhazi, ekonomia kineze u rendit në vendin e parë në botë për tregtinë e mallrave.

Të gjithë analistët, si ata vendas dhe të huaj, bashkohen në konstatimin e tyre, se në Kinë gjatë vitit 2023 u shtua ndjeshëm konsumi. Edhe gjatë dy muajve të parë të këtij viti, konsumi u rrit, sidomos gjatë  Festës së Pranverës(Viti i Ri kinez), më datat 10-17 shkurt 2024, ku afro 74 milionë kinezë zgjodhën të vizitonin muzetë e shumtë të vendit të tyre, ndërsa shumë më tepër prej tyre, të udhëtonin nëpër Kinë. 

Kryeministri kinez Li Qiang gjatë prezantimit të raportit të qeverisë (Foto CMG)

Kryeministri kinez Li Qiang gjatë prezantimit të raportit të qeverisë (Foto CMG)

Gjatë vitit 2023 dhe në dy muajt e parë të këtij viti, Kina nxiti krijimin e një tregu kombëtar të unifikuar dhe optimizoi mjedisin për zhvillimin e ekonomisë private.

Në vitin e kaluar, ekonomia kineze gjeneroi 32.7 milionë subjekte të reja biznesi, me një mesatare prej 27 mijë ndërmarrjesh të reja në ditë, çka gjallëroi sipërmarrjen private dhe nxiti zhvillimin ekonomik. 

Sipas raportit të punës së qeverisë kineze, të mbajtur më 5 mars 2024 në Sesionin e dytë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, vendi parashikon të ketë një rritje ekonomike në rreth 5 përqind për këtë vit, pothuajse të pandryshuar nga viti i kaluar. Qeveria mendon ta arrijë këtë objektiv ambicioz, përmes aplikimit të politikave makro-ekonomike të intensifikuara dhe që targetojnë një rritje të qëndrueshme të vendit.

Qeveria e Kinës ka parashikuar një defiçit buxhetor në 3 përqind të prodhimit kombëtar për vitin 2024. Ajo synon një normë inflacioni vjetor të ulët, në rreth 3 përqind. Me këta tregues të qëndrueshëm, qeveria planifikon të krijojë më shumë se 12 milionë vende të reja pune në qytete këtë vit dhe të mbajë normën e papunësisë urbane të anketuar në rreth 5.5 përqind.

Qeveria kineze synon të nxisë prodhimin, përmes zbatimit të teknologjisë së lartë në të gjithë sektorët prodhues, duke gjeneruar një rritje më të qendrueshme, të mbështetur nga shërbimet ndaj konsumatorit dhe produktet e teknologjisë së lartë dhe të inteligjencës artificiale.

CMG: Në raportin e punës, i cili u paraqit më 5 mars 2024 në Sesionin e dytë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të vendit, qeveria kineze parashikon që të ketë sërisht një rritje ekonomike rreth 5 përqind për këtë vit, të pandryshuar nga viti i kaluar. Çfarë nënkupton kjo për rritjen ekonomike në botë? Po në rajonin tonë, i cili ka investime të rëndësishme kineze, a do të ndikojë?

Eksperti Eduart Gjokutaj në intervistë për CMG

Eksperti Eduart Gjokutaj në intervistë për CMG

Eduard Gjokutaj: Më së pari, e gjithë kjo lëvizje, vjen pas të gjitha lëvizjeve politike dhe ekonomike që kanë ndodhur në nivel botëror.  Kuptohet që Kina, si superfuqi ekonomike, i ka ndjerë këto lëvizje, por edhe nevojën për të përshtatur ekonominë me kushtet e reja.  

Nga ajo çfarë qeveria kineze prezantoi në programin e saj, kuptohet që ka nevojë për një produktivitet të avancuar. Ajo synon një qasje ndryshe, bazuar tek teknologjia, inovacioni dhe bazuar tek koordinimi i të gjitha këtyre burimeve, jo vetëm mbi sukseset e deritanishme, por edhe bazuar në një hop të ri.

Natyrshëm që e gjitha kjo ka ndikim në nivelet e tregtisë botërore. Një qasje e tillë, e cila përmendet shpesh në Kinë, është zhvillimi i një force prodhuese të re dhe cilësore. Kina synon që të gjithë ata faktorë prodhues që ka në dispozicion t’i riaktivizojë. Riaktivizimi i faktorëve prodhues përfshin ofrimin e qasjeve të reja industriale karshi teknologjisë.

Teknologjitë e avancuara kërkojnë lëndë të para më shumë dhe ja ku kemi një impakt në tregtinë botërore. Kjo qasje e re ndikon edhe në Evropë, edhe aty ku Kina është e përfshirë direkt ose indirekt. Në rajonin tonë, ajo ka disa investime direkte në disa vende fqinje të Shqipërisë dhe të gjitha këto ndikojne edhe tek çfarë Shqipëria ka interes të drejtpërdrejtë.

Dhe këto janë importet që ne marrim nga Kina. Këto importe janë rritur në mënyrë të ndjeshme këto vitet e fundit dhe kjo ul kostot e të bërit biznes në Shqipëri. Kjo, pasi Kina pretendon të rrisë volumin e tregtisë së saj me cilësi të lartë, por me produkte me kosto të përballueshme.               

 

OECD rritja e ekonomisë kineze (Foto CMG)

OECD rritja e ekonomisë kineze (Foto CMG)

CMG: Kina ndërkohë parashikon të konsolidoje epërsitë në industritë e ndryshme të saj, si automjetet inteligjente të lidhura me internetin dhe me energji të reja, duke përshpejtuar edhe zhvillimin e industrive si energjia e hidrogjenit, materialet e reja dhe barnat inovative. Çfarë impakti do të kenë këto masa në ekonominë botërore, dhe sidomos asaj evropiane, sipas jush?

Eduard Gjokutaj: Në tërësi, në pjesën e industrisë automotive, bazuar tek burimet e reja, përfshirë edhe ato me hidrogjen, por edhe të industrisë tjetër, madje edhe asaj tradicionale, por që orientohet për nga teknologjitë e tjera, ekonomia kineze ka nevoje për furnizime të reja. Në këtë mes, Shqipëria mund të luajë atë rol që ka luajtur ndër vite, duke eksportuar mineralet e saj, të cilat janë shumë të vlefshme, pavarësisht se si kjo do të qaset në të ardhmen, nëpërmjet tregut. Nga ana tjetër, është edhe sfida që sa Shqipëria do të jetë e aftë që të mos ngelet vetëm tek eksporti i lëndëvë të para nga malet shqiptare, por të ngrejë një industri, e cila të arrijë të përpunojë, për të rritur vlerën e shtuar në treg. Natyrshëm që kjo rrit edhe produktivitetin e ekonomisë shqiptare, në funksion të kërkesës që vjen nga ekonomi të mëdha si Kina.

Në tërësi, e gjithë qasja e Kinës natyrshëm që i shërben vendit dhe popullit të saj, por edhe popujve të tjerë, pasi ajo ruan me këtë rast edhe disa pozicione udhëheqëse në tregun botëror. Me sa duket, Kina synon t’i mbajë këto pozicione, nga qasja që ka. 

CMG: Qeveria kineze synon të hartojë edhe plane zhvillimi të industrive të së ardhmes, duke hapur fusha të reja, si teknologjia kuantike dhe shkenca e  jetës dhe duke ndërtuar një kontingjent zonash industriale në këtë drejtim. Si e shikoni ju të ardhmen e zhvillimit ekonomik botëror, bazuar në këto prognoza të ekonomisë që gjithnjë ndryshon, siç është ekonomia e dytë më të madhe të botës?

Analisti Eduart Gjokutaj

Analisti Eduart Gjokutaj

Eduard Gjokutaj: Teknologjia e bazuar mbi kuantet, pra teknologjia kuantike, është një teknologji që mund të përbëjë garën ekonomike aktuale dhe të ardhme të superfuqive të botës.  Kjo teknologji nuk zhvillohet thjesht dhe me metoda konvencionale, si ato të mëparshmet, por zhvillohet pikërisht duke investuar në ato fusha dhe duke futur elementë sa më të përparuar, me qëllim që të rrisë produktivitetin.

Teknologjia kuantike i shërben po ashtu edhe industrisë ushtarake, edhe industrisë hapësinore, me nismat që kanë ndërmend të eksplorojnë përreth Tokës dhe më tej. E gjitha kjo ndikon në ato industri të reja, të cilat në vetvete krijojnë edhe fronte të reja pune dhe e mbajnë Kinën konkurruese me të gjitha vendet e tjera.

Intervistoi Fatos Çoçoli