Teatri i Operas dhe Baletit skena e “Carmina Burana” dhe “Lulet e pranverës
2024-03-15 17:25:36

Foto nga instagrami  i  TKOB

Foto nga instagrami  i  TKOB

Pranvera çel me gjallëri në Teatrin Kombëtar të  Operas dhe Baletit ku më 15 -16 mars do vihet në skenë opera “Carmina Burana” nga Carl Orff, ndërsa më 20 mars “Lulet e pranverës”, premierë nga Ansambli Popullor. Publiku do ketë mundësinë që të përjetojë “Carmina Burana” ndryshe  si një opera- balet me koreografi e skenografi të Youri Vámos. Kjo shfaqje pritet që të bëjë bashkë  në skenë mbi 200 artistë. Solistët, Orkestra Simfonike, Trupa e Baletit, Kori i TKOB-së, Kori i Zërave të Bardhë dhe Formacioni Vokal i Forcave të Armatosura, të cilët do e sjellin më ndryshe këtë vepër, e cila vitin që shkoi i tejkaloi pritshmëritë. Me dirigjentin polak, që mban titullin asistent dirigjent në Orkestrën Kombëtare Filarmonike të Varshavës, Rafał Janiak, me baletmaestër Carlos Montalvan, Alisa Gjoni dhe Gerd Vaso dhe me sopranon Rovena Xhelili, tenorin Matias Xheli dhe Baritonin Armando Likaj, opera “Carmina Burana” pritet të jetë një eksperiencë e paharrueshme për të gjithë.  “Carmina Burana” është teksti mitik i dorëshkrimit të shekullit të 13-të, shoqëruar me muzikën e mrekullueshme të Carl Orff, me fokus të koreografisë mosdorëzimin e njeriut përballë ligjeve të natyrës. Thirrje dashurie ndaj perëndive “O fortuna” është edhe një kumbim ndaj fatit dhe mizorisë së qiellit. Një lutje për ekzistencën, por ajo që  mbijeton është vetëm dashuria e vërtetë.

Do jetë gjuha e baletit ajo që do bëjë të mundur që spektatori  të shijojë performancën e luftës mes burrit e gruas, që gjithsesi nuk janë e mira dhe e keqja, por është diçka që shkon më thellë se aq. Një dualitet dhe një luftë që thith në palcë të gjërave pa qenë asnjëherë një kundërshti banale, kjo mund të jepet në ndjesi aq të papërkthyeshme në fjalë, gjë që muzika e shpreh mjaft mirë. Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të shfaqë baletin “Carmina Burana” me trupën e Baletit të këtij teatri. Pothuajse e gjithë puna e kompozitorit dhe dramaturgut gjerman Carl Orff është disi e lidhur me teatrin, të cilit i kushtoi mbi 15 vepra. Sidoqoftë, Carl Orff është një fenomen i pazakontë, që qëndron “jashtë traditës”.

Foto nga instagrami i  TKOB

Foto nga instagrami i  TKOB

Kjo nuk është një dramë apo operë, kjo është një shfaqje muzikore sintetike universale, duke përdorur elemente të formave të ndryshme teatrale. Midis tyre, format e vjetra, “para operës” mbizotërojnë, të shoqëruara me karnavalet e rrugës, mjeshtrat mesjetarë, komedinë italiane të maskave, teatrin e kukullave, elementët e koreografisë, pantomimës dhe oratorios. Muzika luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë shfaqje, por në të njëjtën kohë vepron në kushte të barabarta me artet e tjera.

Ndërmjet viteve 1935 dhe 1936, kompozitori gjerman Carl Orff muzikën që kompozoi,  e quajti ‘Carmina Burana’, në përmbledhje të 24 poemave Carmina Burana, të përfshira në një dorëshkrim të rëndësishëm të shekullit të trembëdhjetë, Codex ose Codex Latinus Monacensis Buranus, që vjen nga manastiri i Benediktbeuern dhe tani ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Mynihut.

“Carmina Burana” konsiderohet një ndër veprat e para klasike në historinë e muzikës. Në  thirrjen “O Fortuna” ndaj perëndeshës së fatit shfaqet lutja për dashuri e fat. Rrota e fatit është simboli që përcakton uljet dhe ngritjet në jetën e njeriut, me ciklet e tensioneve që krijohen në marrëdhëniet njerëzore të burrave dhe grave, pavarësisht moshës së tyre. Kjo vepër zgjon fantazinë si asnjë vepër tjetër e shekullit të 20-të, gjatë së cilës shpaloset një himn ngazëllyes për dashurinë e sinqertë. “Carmina Bruana” është një dialog mes një burri dhe një gruaje, një kërkim dhe një tërheqje e vazhdueshme te njëri-tjetri. Në këtë rendje drejt erotikes, mes dhunës dhe gënjeshtrës, ajo çka në fund do të mbijetojë, është dashuria.  “Carmina Burana” mbetet një eksperiencë artistike që gozhdohet në memorien e çdo spektatori.

Foto nga instagrami i  TKOB

Foto nga instagrami i  TKOB

Baleti i Youri Vámos me muzikë të Carl Orff (1895–1982)  është realizuar për herë të parë në vitin 1985, në Teatrin Shtetëror të Berlinit. Këtë herë ky balet “Carmina Burana” do të vijë po me koreografinë e Youri Vamos, por në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, më 15 dhe 16 mars 2024, ora 19.00.

Ndërsa më datë 20 mars 2024, pranvera do të ngjitet në skenën e TKOB për ta ndezuar atë skenë së bashku me publikun në sallë, me recitalin “Lulet e verës”.  Artisti i mirënjohur Kastriot Tusha  dhe solisti i Ansamblit Popullor Aranit Hoxha, do të vijnë së bashku në këtë recital.

 Në një publikim në faqen zyrtare të Teatrit të Operas, artisti Tusha është shprehur në lidhje me këtë koncert. “Ju përshëndes të gjithëve, dashamirësve të muzikës popullore qytetare. Më  20 mars, në muajin më të bukur të pranverës, në TKOB në një bashkëpunim me tenorin tonë të mrekullueshëm, solistin e ansamblit të shtetit, Aranit Hoxha, me trupën e mrekullueshme të ansamblit, me orkestrën e me korin ju presim  në këtë sallë, për të festuar dhe për të gëzuar me një mbrëmje të paharrueshme, sepse do të ketë një reperton shumë të zgjedhur, me shumë shije, ku pritet të ketë një atmosferë jashtëzakonisht të madhe sepse përfshihet një hartë gjeografike në këtë program nga veriu e deri në jug.”.  

Më 20 mars në ditën e ekuinoksit të pranverës, kur zyrtarisht e lemë pas dimrin, Ansambli Popullor e fton publikun të festojë. Tenori Kastriot Tusha, së bashku me solistët, korin Grupin e Valleve dhe Grupin Koral të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore  dhe orkestrën e Ansamblit Popullor  do të ngjiten në atë skenë, për të sjellë një koncert me këngët më të bukura popullore, të cilat do të vijnë edhe nën interpretimin e solistëve të Ansamblit: Lekë Pecnikaj, Malvina Likaj, Raimond Kllogjeri, Adela Bezhani dhe Irini Nikolla.

Sava Lena