Anisa Hidri ( foto personale)
Anisa Hidri ka lindur në vitin 2002 në Tiranë, por banon në Vorë. Të gjitha ciklet e shkollimit ajo i ka kryer në Vorë, ndërsa aktualisht është studente në Fakultetin e Edukimit, Departamenti i Pedagogjisë, në Universitetin "Aleksandër Moisiu Durrës", me fokus në fushën e Arsimit Fillor. Anisa ka marrë pjesë në seminare dhe organizata të ndryshme, duke përfshirë kursin e dytë veror me udhëheqëse Jean Monnet Module. Ajo ka qenë aktive në projektin "River-cleanup" të organizuar nga UAMD. Ajo po merr pjesë në fushatën për ndërgjegjësimin në lidhje me ndërmjetësimin si një alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ëndrra e saj është që të jetë mësuese e së ardhmes.
Anisa Hidri ( foto personale)
CMG: Anisa, kur e kuptove se çfarë doje të bëheshe kur të rriteshe?
Anisa Hidri: E Kam kuptuar shumë vonë dhe kjo gjë ka ardhur si rezultat i dashurisë që kam për fëmijët. Për mua ata janë një botë, e cila duhet të mbështetet dhe të japim maksimumin tonë në mirërritjen e tyre e cila duhet të vijë prej mësuesve. Kur isha ende e vogël mendoja si do të isha unë si mësuese, ndërsa sot kuptoj se kam edhe një sens përgjegjësie, e cila buron nga rëndësia që ka kjo punë e përditshme.Mësuesia është një mision.
CMG: Çfarë të lidh me mësuesinë?
Anisa Hidri: Për mua ogur dhe shembull tepër pozitiv ka qenë mësuesja ime Vjollca Hoxha prej së cilës kam mësuar shumë dhe kam marrë shembullin e duhur të një mësueseje të dashur. Ajo nxorri në dritë breza të arsimuar dhe mbi të gjitha la tek unë shijen për t’u bërë edhe unë si ajo.
Studentë të Universitetit të Durrësit (Foto UAMD)
CMG: Çfarë këshillash të ka dhënë ajo si mësuese?
Aniaa Hidri: Ajo na ka trajtuar njësoj si të ishim fëmijët e saj dhe jo si nxënës. Është përpjekur në të gjitha format që të tregojë dashuri dhe respekt për ne.
CMG: A të kanë mbështetur prindërit në rrugëtimin tënd ?
Anisa Hidri: Prindërit e mi përherë kanë qenë suporti im dhe asnjëherë nuk jam ndjerë e pambështetur prej tyre, përkundrazi kam marrë një dashuri dhe mbështetje të madhe që unë të kisha mundësi të bëja zgjedhjet e mia. Patjetër që kanë dyshimet e tyre në lidhje me tregun e punësimit dhe mënyrës se si shihet ky profesion, por kjo nuk i ka nxitur ata të mos më mbështesin.
CMG: Anisa, nëse do të të kërkohej që këtë profesion ta ushtroje në një fshat apo diku larg, a do ta pranoje?
Anisa Hidri: Mësuesia është mision dhe kudo që të ishte si kërkesë unë do e kisha pranuar, pavarësisht që do ishte jashtë mundësive të mia apo do të më kufizonte shumë. Gjithmonë do të isha gati që të jepja maksimumin tim edhe në fshat apo vende të largëta. Synimi im është të shërbej si mësuese.
Universiteti Aleksandër Moisiu në Durrës (Foto Portali Studentor)
CMG: Ku e sheh të ardhmen tënde ?
Anisa Hidri: Të ardhmen time e shoh në Shqipëri, kjo është një nga dëshirat e mia kryesore. Unë nuk pretendoj që të bëj çdo gjë shpejt sepse çdo gjë kërkon kohën e vet, por dua që të rritem njëherë profesionalisht gjë që duhet ta bëjnë të gjithë të rinjtë dhe më pas të kenë mundësi për të menduar për të ardhmen e tyre. Gjëja kryesore që duhet të ketë qëllim çdo i ri apo e re është rritja dhe marrja e sa më shumë dijeve që më pas t’i vendosim si duhet në funksion .
CMG: Cila është fjalia më e preferuar që do doje të dëgjoje për veten si mësuese?
Anisa Hidri: Do doja që të thoshin Anisa Hidri është një mësuese shqiptare
Intervistoi:Megi Latifi