Foto nga CFP
Në supermarketin e lagjes së tij në Australi, Huang Xiqing pa nëpër rafte vazo me lakër turshi kineze. Ai ndihet sikur po bën pazar në qytetin e tij të lindjes, Shenyang, në provincën Liaoning.
“Lakra turshi shijon njësoj si e bërë në shtëpi”,- thotë i përmallur emigranti 45-vjeçar që jeton në Canberra.
Lakra turshi kineze, një turshi e bërë nga “wombok”, ose lakra kineze, është një specialitet tradicional i rajonit verilindor dhe tani shitet në të gjithë vendin, por dhe eksportohet. Në të kaluarën, vetëm disa perime të freskëta ishin në dispozicion gjatë dimrave të ftohtë verilindorë.
“Wombok” është i lirë dhe mund të ruhet për një periudhë relativisht të gjatë kohore. Ajo fitoi popullaritet në familjet e zakonshme. Në Shenyang, 70-vjeçarja Wang Shuqing ende ruan zakonin e përgatitjes së lakrës turshi kineze çdo dimër.
Pasi mbledh wombok-un nga kopshti i saj, ajo i vendos gjethet në një kavanoz të madh së bashku me ujë dhe kripë dhe dy muaj më vonë, është gati për t'u ngrënë. Megjithatë, ajo nuk është më pjata kryesore në menunë e saj për natën e Vitit të Ri Hënor, e cila tani përfshin karkaleca deti të zier, mish viçi të skuqur dhe krap të gatuar me salcë të ëmbël dhe të thartë.
“Tani që jetesa jonë është përmirësuar dhe logjistika është zhvilluar, ne mund të gjejmë çfarëdo që duam të hamë gjatë dimrit”,- thotë ajo.
Me kalimin e viteve, e moshuara ka parë ndryshimet në tryezën e saj të darkës festive. Në vitin 1988, Kina nisi “Projektin e Shportës së Perimeve” për të rritur prodhimin e ushqimeve jo bazë, për të siguruar furnizimet urbane. Në vitin 2023, Liaoning ndërtoi dhe përmirësoi rreth 100.000 mu (rreth 6666 hektarë) serra.
“Tani njerëzit kanë më shumë ushqim për të zgjedhur, ata nuk duan vetëm ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë, por edhe të hanë mirë”,- tha Zhang Sining, studiues në Akademinë provinciale të Shkencave Sociale në Liaoning.
Përpara Festës së Pranverës, tregu i ushqimit me shumicë në qytetin Panjin të Liaoning ishte një vend i ngarkuar, me më shumë se 2000 tonë perimesh që vinin nga Kina jugore çdo ditë. Atje, blerësit mund të gjenin edhe gaforre nga Rusia, salmon nga Norvegjia dhe qershi nga Kili.
Po ashtu është rritur edhe prodhimi i pjatave tradicionale, si lakra turshi kineze. Në fshatin Damintun, zona e rritjes së wombok-ut është zgjeruar në më shumë se 30.000 mu.
Janë krijuar disa kompani kineze të lakrës turshi. Midis tyre, kompania e produkteve bujqësore “Xinmin” e “Grupit Heilongjiang Cuihua” ka shitur lakër turshi kineze jo vetëm brenda vendit, por edhe në Kanada, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lakra turshi kineze është bërë një pjatë e njohur verilindore dhe restorantet atje tani shërbejnë hamburgerë me lakër turshi dhe pica me lakër turshi për të kënaqur shijet e të rinjve.
“Kjo është hera e parë që provoj lakër turshi kineze dhe ka shije të mrekullueshme”,- tha Deng Bin, një turist nga provinca Sichuan, gjatë një vizite në Shenyang.
Midis 13 dhe 28 janarit, kur njerëzit bënin blerje për Festën e Pranverës, shitjet e lakrës turshi kineze në Douyin u rritën më shumë se 10 herë në krahasim me vitin e kaluar.
Megjithatë, për Huang, lakra turshi kineze ka të bëjë kryesisht me nostalgjinë dhe një lidhje të qëndrueshme me shtëpinë. “Tani që kam provuar delikatesa nga i gjithë globi, lakra turshi kineze është ende një nga të preferuarat e mia dhe më kujton qytetin tim të lindjes”,- thotë Huang.