Dita e Verës në Elbasan (Foto nga instagrami)
Sot festohet ‘Dita e Verës’, por kur përmendim këtë ditë mendja na shkon në Elbasan. Ka rreth dy dekada që “Dita e verës” nuk festohet më vetëm në Elbasan. Me futjen e 14 marsit në kalendarin e pushimeve zyrtare, kremtimet për këtë festë pagane zhvillohen edhe në qytete të tjera të vendit. Kjo festë tashmë është një traditë mbarëkombëtare, e cila festohet nga jugu në veri, por “shtëpinë” e ka në qytetin e Elbasanit. Kjo datë simbolizon rigjenerimin e natyrës, ardhjen e pranverës, kësaj stine që sjell përtëritjen e natyrës, por edhe shpirtërore. Zanafilla e saj ishte në qytetin e Elbasanit, i cili ka ruajtur traditën dhe e feston më së shumti këtë festë, ndryshe nga krahinat e tjera.
Simbolika e “Ditës së Verës”?
Ballokumet janë simboli i ëmbëlsisë, sinonimi i Ditës së verës, një nga gatimet tipike të qytetit të Elbasanit. Tjetër simbol i kësaj dite është vendosja e verores një natë më parë. Verorja duhet të përbëhet nga fije të bardha e të kuqe. Ngjyra e bardhë simbolizon dritën, paqen, pastërtinë, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon gjakun, ngrohtësinë, dashurinë. Sipas kësaj tradite, verorja hiqet dhe vendoset në degën e një peme me ardhjen e dallëndyshes së parë, duke shprehur edhe një dëshirë. Sipas traditës së qytetarëve të kësaj zone, mëngjesin e datës 14 mars, pa lindur ende dielli, të moshuarit e Elbasanit kryejnë disa rituale si hapja e dyerve të shtëpisë që të depërtojnë rrezet e para të diellit pranveror. Sipas gojëdhënave, kjo largon të keqen dhe mirëpret të mirën, begatinë për vitin e ardhshëm. Një tjetër ritual i kësaj dite, i cili simbolizon largimin e së keqes dhe pjellorinë e tokës është edhe ndezja e zjarrit.
Në qytetin e Elbasanit këtë vit festimet për Ditën e Verës kanë filluar herët. Bashkia e Elbasanit ka publikuar kalendarin e aktiviteteve ku pjesa më e madhe janë fokusuar në kryeqendrën e saj, ku festimet kanë nisur nga 4 deri më14 mars, duke mirëpritur qindra njerëz, jo vetëm nga vendi, por edhe nga trojet shqipfolëse e më gjerë për të festuar Ditën e Verës.
Elbasani ka patur të pranishëm shumë emra të njohur të muzikës në aktivitetet e mbajtura përgjatë këtyre ditëve, ndërsa më 14 mars do të jenë të pranishëm këngëtarët Young Zerka, Alandy,Valbona Ostreni, Dj Sylverster, etj.
Dita e Verës në Liqenin Artificial të Tiranës (Foto nga instagrami)
Edhe Tirana është bërë gati të mirëpresë festimet për Ditën e Verës më 14 mars. Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh në kryeqytet me muzikë, art, lojëra dhe argëtim, ku përgjatë 24 orëve do të mbahen 34 evente, në vendodhje të ndryshme të kryeqytetit. Për të garantuar mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve dhe për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë të qetë, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, ka marrë masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve, ku është planifikuar zhvillimi i aktiviteteve.
Nisur nga ora 11:00, karnavalet e Shkodrës do të zbresin në kryeqytet, duke performuar me stilin e tyre të veçantë, duke sjellë një atmosferë mjaft të bukur deri në orën 13:00. Për të rinjtë dhe të rejat do të ketë një përvojë ndryshe, duke u dhënë mundësinë për të shprehur imagjinatën e tyre nëpërmjet pikturimit dhe më pas për të mbyllur ditën me një ceremoni të zjarrit në ora 21:00, ndërsa do të performojë artisti Elton Deda me bandën e tij muzikore.
Dita e Verës aktivitetet në Tiranë (Foto nga instagrami)
Gjatë ditës së sotme, fëmijët do të kenë mundësi të përjetojnë artin e pikturimit në fytyrë, muzikë në sfond dhe lojra të ndryshme. Në Tiranë do të ketë aktivitete në Bulevardin “Dëshmorët e kombit” nga ora 09-16.00 si panair, Street art, Sport zone, Marketi i luleve, etj.
Dita e Verës në Tiranë (Foto nga instagrami)
Në sheshin Skënderbej në po të njëjtin orar do të mbahet Panairi i Makinave retro, Vespa, i mjeteve historike të koleksionit retro e punishtes së targave suvenir. Në Parkun Rinia nga ora 09.00-16.00 do të mbahet Teatri i Kukullave, Cirku i Tiranës, Ansambli i Teatrit të Metropolit, etj.
Dita e Verës në Tiranë (Foto nga instagrami)
Ndërkohë Banda frymore e qytetit do të vendoset në Parkun Europa. Aktivitete do ketë në të njëjtën orë edhe tek instalacioni “Reja” në Tiranë ku do të jetë Klea Huta Dance “Sunride”. Në Tiranë më 14 mars në orën 10.00 do të ketë aktivitete edhe në Parkun e madh të liqenit artificial, te Amfiteatri, Sheshi i balonave, Moli i varkave, Fushat multisportive, Godina e notarëve, Pagoda kineze. Në qendët të Tiranës do të interpretojnë emra të njohur të muzikës shqiptare si Artiola Toska, Xhensila Myrtezaj, Rea Nuhu, etj.
Dita e Verës në Parkun Rinia ne Tiranë (Foto nga instagrami)
Festa e Ditës së Verës, e cila konsiderohet si festa e gjallërimit të natyrës, shpirtit, paqes, harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore, zanafillën e saj e ka në faltoren ‘Zana e Çermenikës’, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë e veçantë edhe për vetë qytetarët e Elbasanit. Kjo është një festë pagane mijëravjeçare, e cila ka për synim t’i falet natyrës, ardhjes së stinëve të ngrohta, rigjallërimit të jetës në tokë. Duke qenë se në antikitet viti niste me muajin mars (duke ju referuar kalendarit Julian), atëhere sapo hynte marsi festohej ardhja e pranverës.
Gëzuar “Ditën e Verës”!
Sava Lena
Dita e Verës në Tiranë (Foto instagrami)
Dita e Verës në Tiranë (Foto instagrami)