Një aktor i operës së Pekinit dha mësim në një shkollë fillore në qytetin Chengde të provincës Hebei të Kinës Veriore në prill 2023 / foto nga CFP
Sipas standardit të rishikuar të lëndëve në arsimin e detyrueshëm, të publikuar nga Ministria e Arsimit në vitin 2023, teatri tradicional kinez përfshihet në mësimet e artit, historisë dhe gjuhës kineze, në shkollat e ciklit fillor, të ulët dhe të mesëm. Kjo masë erdhi nga mocionet e disa ligjvënësve. Njëra prej tyre është zj. Gu Weiying, aktore e shkallës së parë kombëtare në Teatrin e Operës Kunqu të Veriut.
Aktorja e operës Kunqu Gu Weiying dha një intervistë për gazetar në kuadrin e sesionit vjetor të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës më 11 mars 2024 / foto nga CFP
Gu Weiying interpretoi rolin kryesor në pjesën e operës Kunqu "Du Liniang" / foto nga "mmzy.org.cn"
Për më shumë se 20 vjet, Gu ia ka kushtuar jetën mbrojtjes, trashëgimit dhe zhvillimit të operës Kunqu, këtij thesari në kulturën tradicionale kineze. Ajo gjithashtu nxit të rinjtë, të gjejnë forcën shpirtërore tek traditat.
Krahas interpretimit të veprave tradicionale të operës Kunqu, Gu krijoi edhe vepra të reja për të tërhequr publikun. Ajo krijoi më 2015 operan klasike "Li Qingzhao", mbi veprimtarinë e poetes shumë të famshme të dinastisë Song, edhe më 2021 operan moderne "Lin Huiyin", mbi veprimtarinë e poetes dhe arkitektes të njohur kineze të viteve '40 e '50. Këto dy personazhe, nuk kishin dalë më parë në skenën e operës Kunqu.
Gu Weiying interpretoi rolin kryesor në pjesën e operës Kunqu "Lin Huiyin" / foto nga "mmzy.org.cn"
Edhe pse modeli i interpretimit është ndyshe, parimet artistike të operës Kunqu s'mund të shkelen, theksoi Gu. “Opera Kunqu është një art rigoroz. Kostumografia, grimi, elementët skenikë, interpretimi, lëvizjet e aktorit në skenë; të gjitha janë krijuar me shumë përkushtim. Nga ngjyrat e kostumeve, format e tyre apo edhe nga stili i mbulesave të tavolinës e karrigeve, mund të kuptohet statusi i personazhit në skenë,” shpjegoi ajo, duke shprehur bindjen se këto detaje të imta në kulturën tradicionale kineze, do të vihen re nga të rinjtë.
Gu Weiying interpretoi rolin kryesor në pjesën e operës Kunqu "Pallati i Jetëgjatësisë" / foto nga CFP
Gu është e mendimit se të rinjtë kanë gjallëri e potencial të pafund. Ata do luajnë rol shumë aktiv në trashëgimin, përhapjen dhe zhvillimin e kulturës tradicionale. "Ndoshta në fillim kanë thjesht kureshtje për operën Kunqu dhe provojnë përmes një 'dritareje' të vogël, por pasi të hyjnë në derë, ata do zbulojnë panoramën e veçantë." (Wang Lei/ Elona)