Luo Jie, studiues i asociuar në Institutin e Zoologjisë në Kunming, pjesë e Akademisë Kineze të Shkencave, është i pasionuar pas zhytjeve, gjë që e lejon të rrisë koralet jo vetëm në laboratorin e tij, por edhe në ujërat reale. Luo ende kujton barrierat nënujore shumëngjyrëshe që ai vizitoi rreth nëntë vjet më parë si zhytës fillestar. Megjithatë, imazhet e bukura janë zëvendësuar prej kohësh nga pamje më të zbehta koralesh.
Në kontekstin e ngrohjes globale, për shkak të ndryshimeve të cilësisë së ujit dhe peshkimit të tepërt, një e pesta e shkëmbinjve koralorë në botë janë zbehur në ngjyra, ose janë zhdukur që nga viti 2016, dhe, sipas shkencëtarëve, sipërfaqja e përgjithshme e shkëmbinjve koralorë vazhdon të zvogëlohet.
foto: Xinhua
“Shkëmbinj nënujorë koralorë mbulojnë më pak se 1 për qind të oqeanit, por strehojnë deri në 25 për qind të jetës detare. Kur shkëmbinjtë koralorë shkatërrohen, mjedisi detar preket dhe zinxhiri i jetës detare do të humbë bashkë me të.
Disa shkencëtarë parashikojnë madje se më shumë se gati 70 për qind e koraleve do të zbehen deri në vitin 2030. Dhe nëse nuk bëhet asgjë, të gjithë shkëmbinjtë koralorë do të zhduken deri në vitin 2050”,- tha Luo.
Ruajtja e koraleve nga zbehja është bërë tema e tij kryesore. Luo ka filluar të përqëndrohet te “zooxanthellae”, që mund të ndikojnë lehtësisht në jetën dhe zhdukjen e koraleve.
Pas 5 vjet kërkimesh dhe eksperimentesh, Luo krijoi një grup sistemesh që mund të kontrollojnë automatikisht mjedisin fizik dhe kimik të ujit dhe llojin e komunitetit biologjik, gjë që i mundëson atij të kultivojë korale dhe peshk në ujin e detit të simuluar në laboratorin e tij.
Por, vetëm rritja e koraleve në laborator nuk e kënaqte shumë studiuesin 38-vjeçar. Në janar 2020, Luo u ftua të kryente disa kërkime për ruajtjen e koraleve nga një termocentral kinez në Bali, një vendpushim i njohur në Indonezi. Në Indonezi, ku ndodhet një nga habitatet më të pasura në botë me shkëmbinj koralorë, ndodhen rreth 40.000 kilometra katrorë shkëmbinj koralorë, që përbëjnë rreth 16 për qind të totalit të botës.
Sidoqoftë, në atë kohë, shkëmbinjtë koralorë lokalë në veri të Balit po zbeheshin dhe po zhdukeshin në një shkallë masive për shkak të motit të shkaktuar nga fenomeni “El Nino” dhe peshkimit të tepërt.
foto: Xinhua
Luo dhe ekipi i tij vendosën të mbillnin korale nën ujë. Më 8 qershor 2023, rreth tre vjet pas mbjelljes eksperimentale të parë të koraleve, Luo u zhyt në thellësi dhe notoi për nga zona e koraleve. Fatmirësisht, u ndesh me një hapësirë të madhe koralesh me ngjyra të ndryshme, me peshq dhe karkaleca të bollshëm që notonin aty pranë.
Pasi konfirmoi se ishin shndërruar në pemë koralesh të forta, Luo u bind tashmë se ato e kishin kaluar testin e nënës natyrë. Ai e ndau lajmin e mirë me peshkatarët vendas, të cilët i falënderuan studiuesit kinezë për përpjekjet e tyre për të rikthyer në jetë kopshtin nënujor.
Më 13 qershor 2023, peshkatarët vendas dhe disa ndërmarrje dhe institute kërkimore kineze nisën mbjelljen e rreth 100 koraleve në ujërat e përcaktuara.
“Është një garë e vërtetë me kohën dhe ka kërkesa të rrepta për dorëzim”,- tha Luo, duke shtuar se polipet e brishta të koraleve, nga të cilat janë rritur koralet, janë jashtëzakonisht kërkuese për mjedisin e jetesës, dhe kështu ata duhet të kontrollojnë me saktësi temperaturën dhe lagështinë gjatë transportit, pasi edhe një përplasje e lehtë mund të shkaktojë dëmtimin e koraleve. Ndaj, çdo veprim e hap i ndërmarrë duhet të ishte i kujdesshëm.
foto: VCG
Pavarësisht vështirësive që duhej të përballej nën ujë, për shtatë orë çdo ditë, në një temperaturë uji më pak se 30 gradë Celsius, përpjekjet e Luos u shpërblyen.
“Një peshkatar indonezian rreth të 70-ave më tha se në vitet 1970 ata kishin pak mundësi punësimi dhe mund të fitonin para vetëm duke gërmuar korale dhe duke gjuajtur peshk, që ishte brutale. Por tani të gjithë e kuptojnë se nuk ka peshq pa korale dhe vendasit e kanë mësuar këtë, duke i mbrojtur ato falë edhe instruksioneve nga studiuesit kinezë”,- tha Luo.
Luo ka rritur në laboratorin e tij më shumë se 200 lloje koralesh gjatë 15 viteve të fundit, për të ndihmuar në zgjedhjen më të mirë të varieteteve specifike gjatë restaurimit të shkëmbinjve nënujorë. Ai po ndërton gjithashtu një laborator të ri për të siguruar një pishinë germoplazme për speciet nëse ndonjë nëngrup do të zhduket një ditë. Në të ardhmen, Luo shpreson të bëjë dokumentarin e tij, duke ilustruar në detaje teknikat e rritjes dhe mbjelljes për më shumë njerëz, në mënyrë që bukuria nënujore mos të zbehet më kurrë.