Historia 4 mijë vjeçare e verës shqiptare sipas sipërmarrësit Flori Uka
2024-03-14 10:07:30

Disa nga prodhuesit  e rinj të kantinave shqiptare  kanë gjetur përveçse profesionin që duan, edhe pasionin e jetës. Gjenerata e re e prodhuesve është ajo që po rend më tepër pas varieteteve autoktone shqiptare. Prodhuesit e rinj kanë studiuar në shkollat më të mira të vreshtarisë – enologjisë në Europë. Flori Uka është një nga sipërmarrësit në këtë fushë. Në një intervistë për mediat, ai tregon se kur daton historiku i verës shqiptare. Flori përfaqëson brezin e parë në kantinën që ai vetë e ka ngritur.

“Në radhë të parë do përmbledhim një histori prej 4000 vjetësh në pak minuta. Në radhë të parë historia duhet të jetë e shkruar diku, që e jona nuk është dhe për një arsye që ne na kanë sunduar gjithmonë dhe nuk na ka mbetur shumë përvec rrënojave.  Nuk do t’i quaja rrënoja sepse janë kantina të vjetra që i kemi ne, një kantinë është 4 mijë vjeçare në Bylis, që ka qenë një projekt arkitektonik. Kati i parë për fermentim dhe i dyti për ruajtje. 4 mijë vjet që i thonë 2 mijë vite para Krishtit dhe dihet që ilirët e kanë kultivuar hardhinë 6 mijë vite më parë.”, u shpreh Flori Uka

Sipërmarrësi Flori Uka (Foto Monitor)

Sipërmarrësi Flori Uka (Foto Monitor)

Lidhur me historikun e verës shqiptare ka shumë të dhëna të hershme.

“Ka shumë evidenca, që vërtetojnë prodhimin e verës në Shqipëri, si në Butrint, në mozaikun e Linit, etj. Çfarë i ka munguar Shqipërisë? Ne themi Franca dhe Italia, sigurisht që ne ditët e sotme për verën moderne kemi mësuar nga Italia dhe Franca, përfshirë dhe mua. Unë kam bërë universitet në Itali, por po të flasim për antikitetin e verës, për lashtësinë e saj, do kthehemi në Shqipëri. Është një nga hartat më të vjetra në Ballkan për prodhimin verës dhe vërtetohet nga shumë evidenca të tjera. E them shpesh që kemi 300 ditë me diell në vit, duke qënë që e kemi dëgjuar këtë për Bordonë. Sa i përket diellit, po të shohësh pozicionin gjeografik jemi paralel me Pulian, që është një nga zonat më prodhuese të Italisë, që furnizon dhe veriun e vendit, në mungesë të lëndës së parë që është rrushi.”

Shqipëria është e favorizuar nga pozicioni gjeografik për prodhimin e verës.

“Ne jemi si Pulia, por kemi dhe një favor më të madh sepse kemi kodra dhe male, të cilat na favorizojnë. Ne kemi zona më të freskëta dhe mikroklima që mund të kultivojmë rrushin e bardhë, që kërkon më shumë freski dhe aciditet, që Pulia nuk e ka dhe këtu jemi në një shkallë më sipër. Ndërsa për sa i përket pse ne nuk kemi asnjë histori të shkruar, e them gjithmonë që kemi pasur 600 vite prohibizim alkooli. 500 vite ka qenë Perandoria Osmane dhe një nga qëllimet e sundimit të saj ka qenë heqja e prodhimit të alkoolit, duke hequr çdo hardhi dhe çdo kulturë të prodhimit të alkoolit dhe verës. Ndërkohë në  zonat malore ku nuk kanë arritur dot turqit, për shkak se ka pasur vetëm një shtëpi, e kanë ruajtur traditën edhe të rakisë edhe të verës. Pastaj kemi pasur periudhën e Mbretërisë dhe  kohën e diktaturës, kur  njerëzit dhe masa nuk kanë pirë verë, por kanë dalë fakte që  nga qendra eksperimentale e fermës Perlat Rexhepi u eksportuan hardhi në Francë, sepse ka qenë një klimë dhe tokë shumë e mirë për të prodhuar”, tha Uka

Në veriperëndim të Shqipërisë mbizotëron varieteti i verës “Kallmeti”.

Vera (Revista Monitor)

Vera (Revista Monitor)

“Vera Kallmeti ka marrë çmim të parë në Francë në vitet 70-të. Pastaj disa janë gojëdhëna, disa madje të vërtetuara, por unë gjithmonë bazohem tek klima. Edhe pse Shqipëria është një nga zonat më të pasura të rajonit, sepse kemi një vijë bregdetare të gjatë, kemi fushë, kodër dhe mal, nuk mungon asgjë dhe për këtë arsye po të shohësh si rritet kultivari i rrushit është në klimën perfekte. Pas këtyre 600 viteve është shkatërruar  dhe në vitin 91 gjëja e parë që kanë bërë shqiptarët në shtëpitë e tyre  ka qenë verë dhe raki.”

Për Tv scan  Uka thotë se klima e favorizon aq shumë rritjen e hardhive, saqë thuajse në çdo shtëpi në fshat gjen të mbjella.

“Jo se jemi më të zgjuar se italianët dhe francezët, por rrushi rritet në Shqipëri pa asnjë lloj ndërhyrjeje dhe duhet të bëjmë dicka me të. Kjo është një marëdhënie sinatrope mes shqiptarit dhe hardhisë, ose e thënë ndryshe është kafshë shtëpiake. Ne nuk e përceptojmë të kemi shtëpi private pa një hardhi të mbjellë. Sepse klima e favorizon shumë këtë kulturë në Shqipëri dhe për këtë arsye ne e mbjellim. Nëse flasim për  zhvillimin, Franca dhe Italia kanë 2 mijë vjet që prodhojnë verë, pak a shumë. Romakët kur kanë gjetur verën në Itali dhe kur na kanë sunduar u kthyen për ta bërë dhe po të lexoni libra të historikut të verës, ata e pinin verën me amfora dhe e përzienin me mjaltë. Sipas një analize të detajuar, njerëzit e përzienin me mjaltë se prodhonin uthull dhe nuk dinin të prodhonin verë. E përzienin që të bëhej   e pijshme, sepse romakët ia jepnin dhe fëmijëve, e hollonin me ujë verën. Vera është një kulturë shumë e vjetër, madje thuhet që kur kanë ikur shqiptarët në Nju Jork, ata kanë mbjellë hardhi në Bronx.”

Vreshta (Foto wikimedia)

Vreshta (Foto wikimedia)

Vreshtaria është kryesisht e përqendruar në Ultësirën Perëndimore, për shkak edhe të klimës, ku secila zonë është e njohur për varietetin e saj. Llojshmëria e varieteteve shqiptare, por edhe cilësia e tyre, janë një ndër pikat e forta të industrisë agropërpunuese të verërave, për të qenë konkurruese jo vetëm në rajon, por edhe më tej.