Të mërkurën, në Kejp-Taun të Afrikës së Jugut, u mbajt Konferenca Globale e Sipërmarrjes, ku morën pjesë më shumë se 1000 kompani fillestare dhe ndërmarrje të vogla e të mesme, mbi 150 kompani investimesh dhe politikëbërës nga 43 vende.
Tema e këtij kongresi është "Lidhja me Afrikën" dhe përfshin përkrahjen për sipërmarrësit e ardhshëm, të ardhmen e investimeve të kapitalit sipërmarrës në Afrikë, përshtatjen me ndryshimin e modelit energjetik të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ndërlidhjen e kontinentit me anë të Zonës së Tregtisë së Lirë të Afrikës etj. Në konferencë, tregu i gjerë i Kinës dhe teknologjia kineze mbi energjinë e gjelbër u bënë fokusi i pjesëmarrësve. Sipërmarrësit që sapo kanë filluar biznesin, mendojnë se hapja ndaj botës që ndjek Kina, do t'u ofrojë mundësi dhe do të sjellë energji për zhvillimin e tyre.
Foto nga CMG
Një pjesëmarrës në konferencë, N Mngadi nga Afrika e Jugut, drejton një kompani të ujit në shishe, pajisjet e prodhimit të së cilës vijnë nga provinca Guangdong e Kinës Jugore. N Mngadi beson se Kina u ka sjellë atyre mundësi të mëdha zhvillimi. Në veçanti, teknologjia kineze e prodhimit të energjisë diellore i lejon kompanisë së tij të ruajë prodhimin normal edhe në Afrikën e Jugut, e cila mund të ketë ndërprerje të energjisë në çdo kohë.
“Kina po prodhon tani panele diellore. Në Afrikën e Jugut shpesh përballemi me kufizime në përdorimin e energjisë elektrike. Prandaj, besoj se Kina mund të ndihmojë në këtë lloj biznesi, duke krijuar më shumë mundësi punësimi dhe raste biznesi për sipërmarrësit e rinj,”vuri në dukje N Mngadi.
Foto nga CMG
Lyinoluwa E Aboyeji nga Nigeria mendon se teknologjia kineze mbi energjinë e gjelbër ka hapësirë të madhe zhvillimi në Afrikë.
“Afrika sigurisht që ka nevojë për teknologji të gjelbër të vazhdueshme në përmasa të mëdha, sepse edhe ne jemi të interesuar të sigurojmë që ndikimet negative të ndryshimit të klimës nuk do të vazhdojnë. Kemi parë gjithashtu mundësi ekonomike nga teknologjia e gjelbër. Jemi të kënaqur të zhvillojmë bashkëpunim me Kinën në këtë drejtim," theksoi ai.
Habibatu Thani, prodhues nigerian veshjesh, beson se kompanitë afrikane përballen me presion të madh konkurrence kur fillojnë bizneset e tyre. Kina ka një nga tregjet më të mëdha të konsumit në botë, gjë që u ofron sipërmarrësve mundësi të mëdha biznesi.
Foto nga CMG
“Besoj se në tregun e Kinës ka më shumë raste. Lidhur me industrinë tonë, industrinë e veshjeve, ka shumë kërkesa për shitje. Puna me kinezët dhe më pas tregu i tyre do ta bëjnë më të lehtë për ne prodhimin masiv," thotë ai.
Foto nga CMG
Kgosientsho Ramokgopa, ministri i Energjisë i Afrikës së Jugut, thekson se Kina është një partnere e rëndësishme tregtare për Afrikën e Jugut dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe po rritet në mënyrë eksponenciale.
"Mendoj se Kina është një partnere e rëndësishme tregtare për Afrikën e Jugut. Vitin e kaluar në Afrikën e Jugut, unë nënshkrova një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me një kompani kineze për të na ndihmuar të arrijmë një tranzicion të vërtetë energjetik dhe të sigurojmë që të zhvillojmë burime të rinovueshme, energjinë diellore dhe energjinë e erës. Kina është një pjesëmarrëse e rëndësishme në sistemin e mbrojtjes së mjedisit. Ne presim të krijojmë marrëdhënie të fortë me Kinën, gjë që gjithashtu ka rëndësi ekonomike për vendin tonë, pasi Kina na ndihmon të zhvillojmë ekonominë tonë, të tërheqim investime, të zgjidhim problemet e papunësisë dhe të krijojmë vende pune," vuri në dukje ai.
Kina ka mbetur partnerja më e madh tregtare e Afrikës për 15 vjet rresht. Në vitin 2023, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe Afrikës arriti në 282.1 miliardë dollarë amerikanë, duke u rritur 1.5 % në krahasim me vitin 2022, gjë që tregon perspektivat e gjera të bashkëpunimit kino-afrikan. (Çang Çuo)