Vështirësitë e fermerëve në shitjen e produkteve nën kosto
2024-03-13 09:58:53

Fermeret (Foto Buletini ekonomik)

Prodhimi i trangujve  (Foto Gazeta sot)

Fermerët e Myzeqesë janë të shqetësuar për shitjen e produkteve të tyre nën kosto. Shpenzimet, kostot, lodhja që kanë në prodhimin e produkteve të ndryshme nuk përkthehet në fitime dhe në çmime të kënaqëshme.  Në një intervistë për mediat eksperti i bujqësisë Eduart Sharka komenton protestën e  fermerëve për çmimin e trangullit dhe këtë e shpjegon me faktin se në mes të muajit shkurt, çmimi është nën kosto për vetëm 30 lekë të reja kilogrami

“Ishte një javë e vështirë për fermerët e serave sidomos për ata që kishin kultivuar artikullin e trangullit, sepse çmimi ra siç në 30 lekë për kg dhe besoj që është 50% nën kosto. Të prodhosh trangull tani në dimër, në kushtet e serave diellore  pa ngrohje qendrore është e vështirë dhe kosto është e madhe. E keqja është që të ndodhë një krizë e tillë tregu, sepse krizat e tregut janë fenomen i njohur në bujqësi dhe janë të  kudondodhura. Fakti që ka ndodhur në këtë periudhë do të thotë që nuk është shkaku i zakonshëm, rritja e ofertës dhe pakësimi i kërkesës. Pasi kërkesa për artikuj të freskët në këtë stinë të dimrit është me e madhe se oferta në përgjithësi. Me këtë doja të thoja që shkaku këtu është i brendshëm” tha eksperti Sharka

Për televizionin Scan, Sharka tha se shkak për shitjen nën kosto të prodhimeve është mungesa e transparencës në çmimeve më të cilat ua blejnë tregtarët produktet.

“Ne kemi kërkuar prej kohësh që të ekzistonte një bursë në Shqipëri, në rajonin e Myzeqesë te frutat dhe perimet për të garantuar transparencën e çmimeve. Në kushtet e mungesës së kësaj burse ka terren për tregtarët abuzivë dhe për prishjen e raportit kërkesë-ofertë në mënyrë artificiale. Kështu ka ndodhur dhe këtë radhë. Ne kemi një mbikëqyrje thuajse zero të tregut nga qeveria dhe nga Ministria e Bujqësisë sepse edhe në standardet evropiane, një nga prioritetet e politikave të përbashkëta bujqësore është mbikëqyrja e tregut. Kemi një problem që ndodh në bujqësi që çmimi me të cilin shesin fermerët është i padrejtë, në kuptimin që çmimi përfundimtar që blejnë konsumatorët në treg mund të jetë 5 deri në 8 herë më i lartë se çmimi që e shesin fermerët”- tha Sharka.

Sipas Sharkës, për shkak të mos rregullimit të tregut në finale fermeri fiton shumë herë më pak se tregtari.

Eksperti Eduart Sharka (Foto Wikipedia)

“Kjo nuk është e drejtë sepse kontributi që japin fermerët për të prodhuar produktin meriton një çmim më të drejtë se hallkat e tjera që bëjnë distribuimin deri tek konsumatori. Këtë e mbikëqyr BE me politikat e veta dhe krijon ekuilibra, duke marrë taksa nga konsumatorët dhe ia çon fermerit në formë subvencioni për të rregulluar ekuilibrin dhe ata këtë e quajnë si të ardhura të drejta për fermerët. Është një nga kushtet që fermerët të operojnë në sektorin e bujqësisë që është një sektor me rëndësi jetike fondamentale dhe pikërisht për këtë bëhet mbikëqyrja e tregut. Ka dhe ndërhyrje në treg dhe para disa vitesh ka qenë politika e kuotave për të rregulluar ofertën dhe për të patur një çmim të drejtë për fermerët.  Tek ne për shkak të gafës e quaj unë ligjin për TVSH ku 90% e transaksioneve të brendshme të produktit të prodhuar nga operatorët me nipt fermeri qarkullon në rrugë informale në Shqipëri. Them gati 90% sepse tregtarët duhet ta blejnë me 0 TVSH nga fermeri pavarësisht se fermeri ka paguar TVSH për energjinë elektrike, për inputet bujqësore, 20% për plasmasin etj, dhe tregtarit nuk i njihet kjo TVSH dhe duhet ta shesë me 20%. Është një taksë e padrejtë tatimi mbi xhiron, i bie në bazë të formulës që aplikon Ministria e Financës dhe kjo nxit treg informal.”

Kjo sipas Sharkës nxit informalitetin.

“Duke qenë informal pasoja është që fermerët e shesin 30 lekë trangullin në Lushnjë dhe ju në tezgat e Tiranës e blini 200 lekë. Kjo është diferencë e jashtëzakonshme. Shteti nuk mbledh tatimin nga hallkat e distribuimit që janë informale dhe nuk i jep fermerit që të bëjë një lloj ekuilibri që të ketë një çmim të drejtë për ta. Fermerët u mblodhën, protestuan, bllokuan vjeljet, sepse ishte e vetmja masë që kishin në dorë për të frenuar fenomenin. Ka filluar një lloj reagimi, ka filluar një rritje çmimi. Kjo ishte zgjidhje provizore e fermerëve.”

Vitin e kaluar u hap një portal për fermerët për t’u ardhur në ndihmë, por sipas ekspertëve duhet bërë më shumë.

“ Është funksional, por ka dhënë ndikim të vogël. Duhet të jetë më serioze duhet të jetë në një nga tv kombëtare, mundësisht dhe të ketë afishim të çmimeve të rajonit atje ku ne eksportojmë dhe çmimet e tregut që të ketë një transparencë të çmimeve për fermerët. Sepse ka me dhjetëra sekserë që qarkullojnë në rrugë informale, që blejnë tek fermerët dhe çojnë tek grumbulluesit. Sipas bisedave me fermerët këta kanë shkaktuar dhe këtë krizë që sapo kaluan fermerët për artikullin e trangullit. Pra nuk mjafton ai formalitet, duhet të jetë zyrë nga Ministria e Bujqësisë. Thashë një minibursë që të bëjë transparencën e çmimeve, që fermerët të dinë që sa është çmimi që eksportohet, sa është çmimi që përfitojnë hallkat e distribuimit dhe sa duhet t’u ngelet atyre se pastaj do jenë më të vetëdijshëm për çmimin që japin dhe do ketë një çmim më të drejtë për ta.”-shprehet Sharka.

Kjo nuk është hera e parë që fermerët protestojnë për shkak të shitjes nën kosto të prodhimeve bujqësore.