Italianët dhe kinezët janë mbledhur së bashku për të kujtuar Marco Polo-n dhe udhëtimin e tij gjurmëlënës përgjatë Rrugës së lashtë të Mëndafshit mbi shtatë shekuj më parë, përmes një sërë ngjarjesh kulturore. Që nga fillimi i këtij viti në disa qytete italiane janë organizuar aktivitete përkujtimore për të shënuar 700-vjetorin e vdekjes së udhëtarit të famshëm.
Një ekspozitë arti me temë “Marco Polo: Art dhe Zbulim” u hap të premten në muzeun MIIT në qytetin verior italian të Torinos, për të ekspozuar vepra arti nga 35 artistë dhe grupe arti kinezë dhe italianë. Ekspozita, e cila paraqet pikturë, printim, skulpturë, video dhe fotografi, do të zgjasë deri më 21 mars.
Kuratori i saj Fei Xinyao tha se veprat e artit portretizojnë historitë e Kinës përmes teknikave artistike perëndimore, ashtu siç bëri Marco Polo, duke dokumentuar Kinën e lashtë përmes syve italianë. “Përmes ekspozitës, ne gjithashtu shpresojmë t'i tregojmë botës sharmin e artit bashkëkohor kinez”,- theksoi Fei.
Guido Folco, drejtor i Muzeut të MIIT, tha se shkëmbimet kulturore midis dy vendeve kanë përfitime reciproke. Muzeu do të organizojë ekspozita të ngjashme në të ardhmen, tha ai, pasi italianët janë shumë të interesuar për artin bashkëkohor kinez. Muajin e kaluar, një shfaqje me temë “Toka të panjohura: Udhëtimi fantastik i Marco Polo-s” u organizua në qytetin e famshëm italian të Venecias.
foto: ChinaDaily
Organizuar nga Bashkia e Venecias dhe komiteti kombëtar për 700-vjetorin e vdekjes së Marco Polos, shfaqja tregoi historinë e rrugëtimit 24-vjeçar të Marco Polos në Lindje me shatërvanë, drita, projeksione dhe interpretime aktorësh.
Si një nga ngjarjet kryesore të karnavaleve të Venecias 2024, spektakli 30-minutësh i dritave në ujë mbahej dy herë në ditë gjatë 12 ditëve, me një audiencë mesatare prej 1500 personash për çdo shfaqje, duke tërhequr një numër të madh banorësh lokalë të Venecias si dhe turistë.
Karnavalet e Venecias, me temë “Në Lindje. Udhëtimi i jashtëzakonshëm i Marco Polo-s”, u zhvillua nga 28 janar deri më 13 shkurt. Në ditën e fundit të ngjarjes vjetore, një paraqitje e Hanfu, veshje tradicionale e kinezëve Han me shumicë etnike, u ekspozua në finalen e paradës shumëngjyrëshe.
Një grup prej 22 vullnetarësh italianë dhe kinezë të veshur me Hanfu morën pjesë në një paradë në sheshin “San Marco” në qendër të qytetit. Veshjet, të transportuara drejtpërdrejt nga qyteti lindor i Kinës, Suzhou, ishin bazuar në motivet e dinastive Han, Tang dhe Song dhe shfaqnin kulturën tradicionale të mëndafshit dhe ndryshimet mijëvjeçare të kostumeve tradicionale kineze.
Suzhou, i cilësuar si “Venecia e Lindjes” nga Marco Polo në shekullin e 13-të, u bë një qytet simotër i Venecias në vitin 1980. Shfaqja me veshjet Hanfu është gjithashtu një homazh për Marco Polo-n.
“Sot, ne festojmë një miqësi që ka zgjatur për 700 vjet,” tha këshilltarja e qytetit të Venecias, Paola Mar, duke shtuar se parada e veshjeve Hanfu forcon lidhjet midis qytetit italian dhe Kinës.
Laura Fincato, një politikane veterane italiane dhe qytetare nderi e Suzhou, shprehu besimin se të dy vendet mund të ruajnë mirëkuptimin dhe respektin e tyre të ndërsjellë.