Elvi Berisha është futbollist i njohur, që luan me ekipin e Bylisit. Ai futbollin e ka pasur pasion që në moshë të vogël, duke u aktivizuar me disa ekipe shqiptare, por dhe të huaja. Elvi është një djalë i komunikueshëm dhe mjaft energjik, duke krijuar gjithmonë marrëdhënie të mira me shokët e ekipit. Ai nuk dëshiron kurrë të largohet nga futbolli dhe shpreson që në të ardhmen të hapë një akademi futbolli ose të jetë trajner. Në një intervistë për Radio Ejani futbollisti Elvi Berisha tregon për fillimet e tij si futbollist, ecurinë ndër vite me skuadrat shqiptare dhe të huaja, si dhe synimet për të ardhmen.
Elvi Berisha (Foto personale)
CMG: Si lindi pasioni për sportin dhe në veçanti për futbolin?
Elvi Berisha: Futbollin e kam nisur në moshë të vogël, rreth nëntë vjeç. Fillova të ndjek pasionin tim edhe kundër dëshirës së prindërve. Kam shkuar të luaj futboll pa dëshirën e tyre, sepse ata dëshironin që të vazhdoja shkollën, por pasioni është mbi të gjitha.
CMG: Cili ka qenë ekipi i parë ku je aktivizuar në fushë?
Elvi Berisha: Ekipi i parë që jam aktivizuar ka qenë ekipi i Tiranës, duke nisur nga moshat, me U-17 dhe deri te ekipi i parë ku kam debutur nga 17 vjeç deri 19 vjeç.
CMG: Si ka qenë si eksperiencë për ty, që të luash futboll në një moshë të vogël me një ekip me emër të madh si Tirana?
Elvi Berisha: Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, që më ka rritur shumë profesionalisht sepse kam qenë me një ekip shumë të madh me lojtarë me emër dhe unë kam mësuar shumë prej tyre.
CMG: Cili ka qenë momenti më i bukur dhe më i vështirë gjatë ndeshjeve?
Elvi Berisha duke festuar pas nje goli (Foto personale)
Elvi Berisha: Momente të bukura ka shumë, por do të veçoja debutimin tim në ekipin e parë profesionist, ku isha një adoleshtent 17 vjeçar. Kjo ka qenë si një ëndërr dhe gjej rastin të falenderoj trajnerin Ze Maria sepse pati besim që të fuste një 17 vjeçar në formacion me një ndeshje të Europa Ligë kundër Macabi të Tel Avivit. Ndërsa momente të vështira kam patur disa, ku dy-tre momente të vështira në fusha kanë qenë kur kam marrë kartona të kuq, duke i përjetuar shumë me ekipin tim.
CMG: Si e vlerëson ecurinë e futbollit në Shqipëri vitet e fundit dhe a ka një rritje të futbollisëve cilësorë dhe interes nga sportdashësit për të ndjekur ndeshjet në stadium?
Elvi Berisha: Futbolli në Shqipëri është rritur shumë, sidomos këto vitet e fundit ka filluar të nxjerrë shumë elementë cilësorë dhe kjo gjë duket sepse mjaft futbollistë po largohen jashtë vendit. Gjithashtu dhe ekipi i kombëtares po rritet dita-ditës, por dhe tifozët po e duan më shumë sportin sepse po bëhet më profesionist dhe po rritet më shumë niveli.
CMG: Kush ju ka mbështetur më shumë në rrugën tuaj sportive?
Elvi Berisha gjate nje aksioni (Foto personale)
Elvi Berisha: Normalisht që familja ka qenë mbështetja kryesore e imja në rrugën sportive, por do të veçoja babain tim që ka qenë me mua që ditën e parë e deri tani, si në momente të mira ashtu dhe të këqija.
CMG: Si i bëre prindërit për vete që dhe pse nuk donin të bëheshe futbollist, prapë të mbështetën?
Elvi Berisha: Në fakt nuk i bëra unë për vete, por ka qenë trajneri im kur unë isha shumë i vogël, që më pa dhe mori babain tim në telefon, duke i thënë se unë isha i talentuar. Në ato momente babai ndryshoi komplet mendim dhe vazhdoi të më ndiqte hap pas hapi.
CMG: Babai vazhdon të të ndjekë në çdo ndeshje?
Elvi Berisha: Ai ka vite që më ndjek dhe në çdo ndeshje timen është pranë meje.
CMG: Si ka qenë ky sezon për ty te ekipi i Bylisit?
Elvi Berisha gjate nje aksioni ne fushe (Foto personale)
Elvi Berisha: Ky sezon ka qenë shumë i mirë. Unë kam pasur një dëmtim para disa muajsh, por tani po e marr veten. Kur erdha te ekipi i Bylisit gjeta një staf shumë të ngrohtë, më afruan direkt dhe shokët e ekipit që ishin shumë të dashur. Jam ndjerë vërtetë mirë te ky ekip dhe çdo gjë po ecën shumë mirë.
CMG: Përveç futbollit a ke pasione të tjera?
Elvi Berisha: Kam pasion psikologjinë dhe dua të vazhdoj studimet për psikologji. Gjithashtu më pëlqen të gatuaj dhe mendoj se jam një kuzhinier shumë i mirë. Unë kam gatuar vetë gjithmonë, sepse që në moshën 15-16 vjeçare kam qenë larg familjes.
CMG: Je i kënaqur me arritjet e deritanishme në sport?
Elvi Berisha: Normalisht nuk jam i kënaqur sepse fillimet e mia kanë qenë shumë premtuese dhe në nivleve shumë të larta, pavarësisht se futbolli ka uljet dhe ngritjet e veta. Mendoj se me punë do të arrij shumë shpejt aty ku kam qëllimin.
CMG: Ke tentuar të largohesh jashtë për të luajtur me ndonjë ekip të huaj?
Elvi Berisha: Unë kam luajtur një vit në Itali dhe dy vite në Spanjë me ekipin e Leganës në La Liga dhe e di pak a shumë sesi është futbolli jashtë, që duhet të jesh shumë profesionist. Besoj se brenda një ose dy vitesh do të iki jashtë përsëri.
Elvi gjate nje ndeshje (Foto personale)
CMG: Si e kalon kohën e lirë kur nuk ke ndeshje apo stërvitje?
Elvi Berisha: Ne sportistët nuk kemi shumë kohë të lire, sepse kemi stërvitje dhe palestër, por kur kam kohë të lirë dëgjoj muzikë dhe bëhem gati për stërvitjen e radhës.
CMG: Si janë marëdhëniet tuaja me shokët e ekipit jashtë fushe?
Elvi Berisha: Kam marrëdhënie shumë të mira me shokët e ekipit, sepse kaloj më shumë kohë me to sesa me familjen. Përveçse jemi shokë, por krijojmë dhe njëlloj vëllazërie me njëri-tjetrin, jemi çdo ditë bashkë. Kam pasur marrëdhënie shumë të mirë dhe me shokët kur kam luajtur me ekipet e tjera, por dhe tani që më kanë pritur shumë mirë te ekipi i Bylisit.
CMG: Cilat janë synimet tuaja në lidhje me futbollin në të ardhmen?
Elvi Berisha: Unë shpresoj që të luaj sa më shumë vite futboll, të kap nivele shumë të mira të sportit. Mendoj se pas disa vitesh mund të hap ndonjë akademi apo të jem trajner. Besoj se futbolli do jetë pjesë e jetës time gjithmonë.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Elvi Berisha: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë e mi, dhe i ftoj të dëgjojnë sa më shumë Radio Ejani që është më e mira në Shqipëri dhe mbi të gjitha ju uroj të gjithëve shëndet.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Futbollisti Elvi Berisha (Foto personale)