Qytetarë Nderi të Krujes - foto Balkanweb
5 artistë u nderuan me tituj për veprat kryesore në Muzeun e Krujës. Ky vlerësim erdhi si nderim për artistët Janaq Paço (pas vdekjes), Naxhi Bakalli, Gazmend Leka, Genc Hajdari dhe Bashkim Ahmeti, të cilët kanë punuar disa nga veprat kryesore të muzeut kombëtar të Krujës.
Aktiviteteti u organizuar para disa ditësh, në kuadër të 580-vjetorit të “Besëlidhjes së Lezhës”.
Piktori Naxhi Bakalli u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi i Krujës”. Ai ka merita të veçanta për realizimiet e tij të papërsëritshme në Muzeun Historik të Krujës, prandaj edhe bashkia e këtij qyteti e ka nderuar me një çmim të veçantë.
Vlerësimi ndaj tij lidhet me muralen “Përballimi”, vepër që gjendet në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, dhe që lë mbresa të veçanta dhe të paharruara tek turistët e shumtë që e vizitojnë këtë muze. Pjesa më kulminante e kësaj vepre ka të bëjë me triumfin mbi të keqen. Muralja madhështore ka të gjitha garancitë për të mbetur në histori. Piktori Naxhi Nallbani thotë se muralja është e ndërtuar me kujdes dhe se tek ajo nuk mund të ndikojnë agjendët atmosferikë. Ajo është një murale që do të mbijetojë gjatë mbi mure, pasi teknika e përdorur për realizimin e saj dhe sidomos përmbajtja e dramaturgjisë së veprës, ku pjesa më kulminante është triumfi mbi të keqen, ku e keqja është lufta që e kanos qytetërimin dhe njeriun, përbëjnë një realizim mjaft të arrirë.
Muralja Përballimi - foto ATSH
Vepra ka detaje të shumta të cilat e fuqizojnë atë me anën e mbijetesës. Në murale është pikturuar pjesa më humane që është qytetaria që duhet të vazhdojë dhe të jetojë në shekuj, për të dëshmuar se asgjë nuk bëhet lehtë, po me shumë sakrifica dhe ndonjëherë edhe me humbje.
Krahas piktorit Naxhi Bakalli, me titullin “Qytetar Nderi të Krujës” u nderuan nga Bashkia Krujë edhe katër artistë të mirënjohur të cilët kanë punuar për disa nga veprat kryesore në ndodhen në këtë muze: Janaq Paço, Genc Hajdari, Bashkim Ahmeti dhe Gazmend Leka.
Janaq Paço, “Skulptor i Popullit” (pas vdekjes) është nderuar për realizimin e veprave,”Skënderbeu mbi kalë” në qendër të qytetit të Krujës, si dhe për realizimin si bashkautor të grupit skulpturor “Skënderbeu dhe populli” në hyrjen e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Monumneti “Skënderbeu mbi kalë” ndodhet në qendër të qytetit të Krujës dhe është I punuar në brox. Kjo vepër e punuar nga mjeshtri i skulpturës shqiptare, artistit Janaq Paço, u përurua më më 28 Nëntor 1959. Ky monument do bëhej gradualisht simboli popullor i imazhit të heroit dhe do të çelte serinë e monumenteve ekuestër (brox) kushtuar kësaj figure madhështore,unikale për nga rëndësia dhe ndikimi që pati dhe vazhdon të ketë edhe sot tek shqiptarët kudo që ata jetojnë.
Vepra skluplurale - Foto ATSH
Ndërkohë si bashkëautor të veprës “Skënderbeur dhe populli”, që gjendet në hyrje të Muzeut Historik Gjergj Kastrioti në Krujë, si dhe disa veprave të tjera në këtë muze, u vlerësua edhe skulptori Genc Hajdari.
Realizimi i kësaj skulpture ka zgjatur tre vjet. Ishte menduar fillimisht nga arkitektët projektues që në hollin hyrës të muzeut të vendosej vetëm shtatorja e Heroit Kombëtar në këmbë. Për këtë arsye nga mjeshtri 65-vjeçar Paço (autor dhe i monumentit ekuestër të Skënderbeut të vendosur në qytetin e Krujës,1959) u realizuan disa variante të ndryshme, por komisioni artistik-shtetëror i kohës, sugjeroi që Skënderbeu të shoqërohej nga luftëtarët e tij dhe populli.
Në këtë variant, figura e Skënderbeut u plotësua anash dhe prapa nga figura të tjera luftëtarësh në skulpturë,që vazhdojnë në altoreliev dhe reliev deri lart,në hapësirën në formë harku të sfondit në hollin e katit të dytë të muzeut.
Mjeshtri Paço dhe Genc Hajdari kanë realizuar një grup skulpturor të veçantë,realist që harmonizohet bukur me arkitekturën e muzeut. Vepra të krijon një situatë impresionuese me fuqinë artistike dhe madhështinë e figurave monumentale. Skënderbeu është figura kryesore që evidentohet në grupin skulpturor. Ajo është realizuar me forma të plota monunumentale dhe një plastikë të ngrohtë.
Muralja në Mizeu Historik të Krujës - foto ATSH
Ndërkohë, “Mjeshtri i madh”, Gazmend Leka u nderua nga Bashkia Krujë për realizimin e disa punimeve në muze dhe bashkudhëheqës i projektimit të interierit të Muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”në Krujë.
Po ashtu, Bashkim Ahmeti, “Mjeshtër i madh” u vlerësua për realizimin e pikturës murale “Kuvendi i Lezhës”. Në pikturë zhvillohen tre ngjarje të ndryshme. Afresku fillon me kthimin e Skënderbeut në Krujë dhe takimin romantik të dy figurave, Skënderbeut dhe nënës së tij, Vojsavës.
Në vazhdim në qendër të afreskut jepet moment kryesor i mbledhjes së princërve arbëror nga Skënderbeu që u mbajt në qytetin e Lezhës (Kuvendi i Lezhës, 2 Mars 1444).
Afresku mbyllet përsëri me imazhin e dy figurave, të kalorësit që po merr në mënyrë simbolike një mesazh-pergamenë të mbledhur rul,në momentin e nisjes për të përhapur lajmin e krijimit të koalicionit princëror arbëror.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. Vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982. Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle Mesjetare Shqiptare me nje fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skëndërbeut, heroit kombëtar të vendit. Muzeu ka mahnitur shumë vizitorë nga vende të ndryshme përgjatë viteve. Artistë dhe arkitektë të talentuar Shqiptarë kanë punuar për ta kthyer këtë muze në një pikë turistike fantastike.
Neritana Kraja