Foto nga people.cn
Samiti i Biznesit i "Revistës Financiare Australiane" është një nga samitet ekonomike me ndikim më të madh në Australi. Të hënën nisi në Sidnei edicioni i vitit 2024 i këtij samiti, ku morën pjesë përfaqësuesit e qarqeve politike e të biznesit, ambasadori i Kinës në Australi Xiao Qian e të ftuar të tjerë.
Në fjalimin e tij, Arkëtari i Australisë Jim Chalmers foli lidhur me ngadalësimin ekonomik dhe inflacionin që po përjeton Australia. Ndërsa ambasadori Xiao vuri në dukje se bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta është zgjedhja e duhur për Australinë dhe Kinën për t'iu përgjigjur sfidave globale.
Chalmers u shpreh hapur në fjalimin e tij se tani Australia po kalon vështirësi për sa i përket ngadalësimit të rritjes ekonomike e inflacionit.
“Tani Australia nuk është e imunizuar ndaj ngadalësimit të rritjes ekonomike, paqëndrueshmërisë së zinxhirit të furnizmit dhe pasigurisë nga konflikti në Lindjen e Mesme. Nga llogaritë financiare kombëtare mund të themi se ekonomia po ngadalësohet. Australianët po i pakësojnë shpenzimet e tyre, ndërsa ndikimi i normave më të larta të interesit dhe inflacionit të vazhdueshëm po intensifikohet. Tregjet dhe ekonomistët presin që rritja e Australisë të mbetet e dobët në gjysmën e parë të këtij viti. Përballë kësaj situate, edhe përgjigjja jonë do të ndryshojë në përputhje me rrethanat. Inflacioni është ende tema kryesore, por s'mund të anashkalojmë ngadalësimin e ekonomisë," u shpreh ai.
Ambasadori kinez në Australi Xiao Qian tha në fjalimin e tij në këtë samit se Kina dhe Australia janë vende të rëndësishme të rajonit të Azi-Paqësorit dhe struktura ekonomike e të dy vendeve është përplotësuese. Për të realizuar bashkëpunimin konkret me leverdi të ndërsjellë e përfitime të përbashkëta, nevojitet njohja e drejtë e njëri-tjetrit, thellimi i bashkëpunimit konkret dhe trajtimi në mënyrën e duhur i dallimeve.
Në sfondin e ngadalësimit të rritjes ekonomike globale, Kina mbetet ende një ekonomi e rëndësishme që ruan një nivel të ulët inflacioni. Objektivi i rritjes ekonomike të Kinës u përcaktua afër 5 %. Xiao Qian tha gjithashtu se vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave ndërmjet Kinës e Australisë shënoi rekordin historik prej 300 miliardë dollarësh australianë, duke shtuar që bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta ndërmjet Kinës e Australisë është zgjedhja e drejtë përballë sfidave globale.
Xiao Qian u shpreh se bashkëpunimi konkret ndërmjet Kinës e Australisë është shumë i rëndësishëm për të dy vendet. Të dyja palët duhet të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në sektorin energjetik, minerar, bujqësor, arsimor, turistik etj. dhe do të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat e reja, si ndryshimet klimatike, automjetet elektrike, inteligjenca artificiale, industria shëndetësore, ekonomia e gjelbër, ekonomia digjitale, inovacioni teknologjik. Këto do t'i ndihmojnë Kinën e Australinë të konsolidojnë bashkëpunimin e tanishëm në fusha të ndryshme, duke filluar fazën e re të bashkëpunimit me më shumë leverdi të ndërsjellë.
“Kina do të vijojë zgjerimin e hapjes me nivel të lartë ndaj botës, ndërlidhjen aktive me rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe forcimin e tërheqjes së investimeve të huaja, do të shkurtojë më tej listën negative të hyrjes së investimeve të huaja dhe do të heqë tërësisht kufizimet për këto investime në sektorin e prodhimit, do të lehtësojë hyrjen në treg për industritë e shërbimeve, si telekomunikacioni e mjekësia, dhe do ta bëjë më të përshtatshme ardhjen e të huajve në Kinë për të punuar, studiuar dhe udhëtuar,”tha ambasadori Xiao Qian.
Samiti i Biznesit i "Revistës Financiare Australiane" për vitin 2024 mbyllet të martën. Pjesëmarrësit në të po analizojnë situatën ndërkombëtare, duke u fokusuar në zhvillimin e ardhshëm të Australisë dhe duke zhvilluar diskutime të thella mbi masat e bashkëpunimit përballë sfidave. (Çang Çuo)