Hekurudha Vorë-Hani i Hotit si zgjatim i rrjetit Evropian TEN-T
2024-03-12 10:13:58

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit (Foto Revista Monitor)

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit (Foto Revista Monitor)

Në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor në Londër, të mbajtur më 26 shkurt 2024, ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nënshkroi me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, marrëveshjen e huasë së butë për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë- Hani i Hotit.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, 140 km e gjatë në territorin e Shqipërisë, është një projekt madhor, shumë i rëndësishëm. Ajo do të rrisë komunikimin jo vetëm mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, por edhe në tërësi në të gjithë rajonin, duke nxitur e lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

Faza e parë e tenderit për përgatitjen e projektit, rishikimin e dizajnit, mbështetjen e prokurimit dhe monitorimin për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit, u çel që në dhjetor 2023 në faqen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Kjo procedurë, e cila kërkon konsulencë, është parashikuar të ketë dy faza, ku së pari vjen shprehja e interesit. “Hekurudhat Shqiptare”, autoriteti kontraktor i qeverise se Shqiperise, kanë njoftuar se afati për shprehje interesi do të jetë deri më 31 janar 2024.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit është një nga linjat e konektivitetit, për të cilën ka pasur vëmendje të shtuar, jo vetëm nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe nga Bashkimi Evropian, sidomos pas punës së nisur për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe pjesës së re të saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.

Nënshkrimi i marrëveshjes (Foto ATSH)

Nënshkrimi i marrëveshjes (Foto ATSH)

Po në muajin dhjetor 2023, qeveria shqiptare nënshkroi edhe kontratën për studimin e fizibilitetit të lidhjes me Kosovën, dhe pikërisht Hekurudhës Durrës-Prishtinë.

ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi se “Në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor në Londër, Shqipëria firmosi një nga marrëveshjet më të rëndësishme, atë të huasë së butë për ndërtimin e Hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.

Në Samit sot ishte një ditë e shënuar edhe për sektorin energjitik të Shqipërisë, ku, në një panel me të gjithë të ftuarit që vinin nga ky sektor, me ministrat e energjisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, u diskutua për praktikat më të mira që janë ndjekur ndër vite.

Sigurisht që Shqipëria është një nga ato vende, e cila merret si shembulli i ekselencës, përsa i përket të gjitha ankandeve të energjisë që ne kemi organizuar. Tre prej këtyre ankandeve tashmë kanë marrë jetë.

Ndërkohë që ndamë me të gjithë investitorët, përfaqësuesit e sistemit bankar dhe sigurisht të gjithë partnerët e tjerë, të cilët na kanë mbështetur në rrugëtimin tonë, se kush janë planet për të ardhmen.

Gjatë takimit me Presidenten e BERZH-it, folëm, gjithashtu, për të gjitha planet në të ardhmen.

Ata janë të interesuar që të mbështesin edhe zhvillimet dhe investimet në sektorin e ujit dhe të kanalizimeve, por sigurisht edhe në transportin e gjelbërt, si një nga alternativat më të rëndësishme, sidomos për Shqipërinë pasi të gjitha emetimet e dioksidit të karbonit në vendin tonë vijnë vetëm nga transporti rrugor.

Kështu, duke folur me një nga partnerët tanë më të rëndësishëm, me BERZH-in, për planet e së ardhmes mund të themi, që sot përveç firmosjes së kësaj huaje kaq të rëndësishme për linjën e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, ne kemi vënë edhe disa gurë themeli për projektet që kemi në të ardhmen”.

Vlera totale e projektit të Hekurudhës Vorë-Hani i Hotit është 356 milionë euro. Ky investim përfaqëson një nga projektet më madhore të ekonomisë së Shqipërisë.

Investimi do të jetë nje bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, tek të cilat vendi ynë ka kërkuar hua. 160 milionë euro janë grant nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor, një strukturë financuese e Bashkimit Evropian.

Samiti në Londër (Foto Lajmi.net)

Samiti në Londër (Foto Lajmi.net)

Ndërkohë, 100 milionë euro jepen hua e butë nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve.

Hekurudha Vorë-Han i Hotit synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore. Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane, përmes Korridorit X pan-Europian.

Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.

Ajo kalon kufirin shtetëror Shqipëri-Mal i Zi në Hanin e Hotit, në kilometrin e 140-të. Sipas ndarjes administrative, hekurudha përshkon territoret e shtatë bashkive (Vorë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Vau Dejës, Shkodër dhe Malësi e Madhe) në Shqipëri.

Ajo do të jetë e standardeve më moderne hekurudhore dhe do të lidhë qendrën e Shqipërisë me Veriun e vendit, në kufirin me Malin e Zi, duke nxitur fort zhvillimin ekonomik të zonave ku kalon dhe në tërësi, të të gjithë Shqipërisë.  

Në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor në Londër, krahas nënshkrimit të marrëveshjes për financimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, ZvKryeministrja Balluku diskutoi në një panel të gjerë edhe mbi disa sektorë të tjerë të rëndësishëm, si energjia, ku prezantoi para ekspertëve praktikat e ndjekura nga qeveria e Shqipërisë, sa i takon zhvillimit të ankandeve, por edhe të gjitha zhvillimet e tjera në sektor.

Harta e hekurudhës (Foto Revista Monitor)

Harta e hekurudhës (Foto Revista Monitor)

Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) shfaqi interes për të mbështetur Shqipërinë edhe në investimet që po bëhen në sektorin e ujit dhe të kanalizimeve, por edhe në transportin e gjelbërt.

Qeveria shqiptare do të vijojë të punojë ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet ndërkombëtare financuese, për t’ju dhënë jetë të tjera projekteve të infrastrukturës, të cilat nxisin zhvillimin e vendit dhe përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve.

 

Fatos Çoçoli