Rruga e Isa Krasniqit nga tradita shqiptare në turizmin botëror
2024-03-12 10:48:20

Isa Krasniqi ka udhëhequr grupe turistike në Ballkan, pasuar nga një eksperiencë drejt Gjirit Persik. Udhetimi i tij i parë familjar në vitin 2008 në Turqi shënoi një kthesë në jetën e tij, duke e bërë udhëtimin një pjesë të pandarë të identitetit të tij. Studimet e tij në fakultetin e ekonomisë, me fokus në turizëm dhe një fakultet tjetër në gjuhë arabe në Sudan, pasqyrojnë pasionin dhe synimet e tij për të kuptuar thellësinë dhe potencialin e industrisë së turizmit. Isai, i lindur në Kukës ka kaluar vite të vështira, por sot jep kontribut në botën e turizmit dhe biznesit në Shqipëri, si dhe  në zhvillimin e vendit, duke promovuar pasurinë kulturore dhe historike të tij.

Isa Krasniqi ( foto personale) (2)

Isa Krasniqi ( foto personale) (2)

CMG: Kur ka zënë fill pasioni juaj për turizmin dhe eksplorimin e vendeve të ndryshme?

Isa Krasniqi: Pasioni për turizmin dhe dëshira për të eksploruar vende të reja nisi që në vitin 2014, kur isha pjesë e forcareve detare dhe ajrore turke. Kjo periudhë e fillimit më dha mundësinë të udhëhiqja grupet me guida në Ballkan, duke ndarë pasionin tim për historinë dhe kulturën e kësaj zone. Pas një eksperience të pasur në këtë drejtim, rrugëtimi vazhdoi drejt Gjirit Persik për të njohur thellësisht zakonet dhe bukuritë e atij rajoni.

Këto udhëtime dhe eksperienca kanë formuar thelbin e pasionit tim për turizmin dhe eksplorimin e vendeve të ndryshme  dhe më kanë ndihmuar të kuptoj se çdo destinacion është një histori e veçantë dhe një aventurë unike që pres për të zbuluar.

Isa Krasniqi ( foto personale) (3)

Isa Krasniqi ( foto personale) (3)

CMG: Cili ka qenë udhëtimi juaj i parë familjar?

Isa Krasniqi: Udhetimi im i parë familjar ka ndodhur në vitin 2008, kur zgjodha Turqinë si destinacion. Ky udhëtim shënoi fillimin e një epoke të re në jetën time, ku pasioni për të udhëtuar u bë një pjesë e pandarë e identitetit tim. Udhëtimet për mua janë si një dritare që hapet për të zbuluar kulturën dhe historinë e vendeve të ndryshme, me përjashtim të atyre që përballen me fobinë e avionit.  Për mua, udhëtimet janë më shumë se thjesht një mënyrë e shkëmbimit fizik të vendeve. Ato janë si një dritare magjike që hapet, duke më lejuar të zhytem në thellësinë e kulturës dhe historisë së çdo destinacioni që zgjedh të eksploroj. Në këtë udhëtim të veçantë në Turqi, çdo kënd i vendit ka shpalosur historinë dhe trashëgiminë e tij në mënyrë të veçantë, duke lënë gjurmat e një eksperience të paharrueshme në zemrën time.

CMG: Ju keni studiuar për turizëm?

Isa Krasniqi: Po, kam zgjedhur të studioj në  Fakultetin e Ekonomisë me një fokus në turizëm. Në këtë rrugëtim të arsimit, vazhdova edhe për të fituar një perspektivë më të thellë, duke përfunduar një fakultet tjetër në gjuhë arabe në Sudan të Afrikës. Kjo zgjedhje reflektoi pasionin tim për të kuptuar thellësisht dinamikat dhe potencialet e industrisë së turizmit.  Kjo eksperiencë në fushën e gjuhës arabe shtoi një kolorit të veçantë në perspektivën time të arsimit.  Kombinimi i njohurive të fituara në fushën e ekonomisë dhe turizmit me dijet e gjuhës arabe krijoi një sinergji të fuqishme në mënyrën time të menduarit dhe veprimit.

Ky rrugëtim i përbashkët i studimeve në këto dy fusha më ka përgatitur për të kuptuar dhe shërbyer në një gamë të gjerë të sfidave dhe mundësive, duke shtuar një dimension të pasur dhe të diversifikuar në njohuritë dhe aftësitë e mia.

CMG: Si ka qenë eksperienca e një shqiptari në Afrikë?

Isa Krasniqi ( foto personale) (4)

Isa Krasniqi ( foto personale) (4)

Isa Krasniqi: Edhe pse ishim një grup i vogël shqiptarësh u integruam  mirë në kulturën dhe shoqërinë afrikane. Studimet në Afrikë ofruan një përvojë të pasur, si nga njohja me realitetin e tyre, ashtu edhe nga ndërveprimi në rrjetin e tyre akademik dhe profesional. Në kthimin nga Afrika në Shqipëri, përfitova shumë nga kjo përvojë, duke ndihmuar në kontributin tim për të bërë Shqipërinë një destinacion më të njohur dhe tërheqës.

CMG: Pse vendosët të ktheheshit nga Afrika në Shqipëri?

Isa Krasniqi: Kthimi im nga Afrika në Shqipëri ishte një rrugë e vendosur pas përfundimit të studimeve. Pas mbylljes së fakultetit, e vlerësova se ishte momenti të rikthehesha në vendin tim, duke iu përkushtuar dhe kontribuar në zhvillimin e kësaj toke. Synova të ndikoj në krijimin e një imazhi pozitiv për Shqipërinë dhe të shpërndaj njohuritë dhe përvojat e mia për të kontribuar në sfidat dhe potencialet e vendit tim.

CMG: Ju jeni me origjinë nga Kukësi, si kanë qenë vitet tuaja në atë zonë të bukur të Shqipërisë?

Isa Krasniqi: Unë kam lindur në një qytet të bukur si Kukësi dhe kemi kaluar momente shumë të vështira e megjithatë kujtimet janë të bukura. Sot Kukësi është kthyer në një atraksion turistik, që preferohet thuajse nga të gjithë.

CMG: A mund të kuptojmë prej udhëtarëve se cili është qyteti i preferuar i turistëve?

Isa Krasniqi: Qyteti që preferojnë më tepër është Tirana. Ky qytet i ofron të gjitha dhe normalisht që është kthyer në një epiqendër turistike. Së fundmi Tirana ka marrë formën e saj me një natyrë dhe infrastrukturë të mirë .

CMG: Çfarë i kuriozon të huajt për Shqipërinë?

Isa Krasniqi ( foto personale)

Isa Krasniqi ( foto personale)

Isa Krasniqi: Elementi siguri është shumë i rëndësishëm, sepse shpesh kanë thënë informacion të gabuar sa i përket sigurisë në vendin tonë më pas kur vijnë këtu e kuptojnë që Shqipëria është një vend shumë i dashur dhe miqësor. Ata vijnë dhe duan të rikthehen në Shqipëri. Mbi të gjitha Shqiperia i do të huajt dhe i mirëpret.

CMG: Si e shohin të huajt kuzhinën shqiptare, i dëshirojnë gatimet tona ?

Isa Krasniqi: Shqipëria është një vend që i ka të gjitha gatimet dhe vitet e fundit janë hapur edhe restorante shumë luksoze të të gjitha kulturave, por patjetër që vëmendja me e madhe është tek gatimet tona tradicionale.

Intervistoi : Megi Latifi