Shkrimtraja Rita Metro - foto Albas
Rita Petro me romanin “Lindur së prapthi” është propozimi i Shqipërisë për Çmimin Evropian të Letërsisë. Një komision i ngritur nga Qendra Kombëtare e librit e ka përzgjedhur Petron bazuar në disa kritere që kanë të bëjnë edhe me numrin e veprave në gjuhë të huaj deri tani.
Lidhur me përzgjedhjen e librit tregon drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit, Alda Bardhyl thotë se Rita Petro u zgjodh nga një komision i ngritur nga Qendra e Librit. Komisioni u orientua nga 13 kritere. Motivacioni i përzgjedhjes është si një zë ndryshe në letërsinë femërore dhe një libër që sjell këndvështrimin e botës me syrin e një vajze të vogël dhe me pas të një gruaje.
Edhe këtë vit 13 shtete kanë propozuar secili nga një shkrimtar që do të jetë në garë për Çmimin evropian të Letërsisë. Vlerësimin e bën një juri ndërkombëtare dhe fituesi do të shpallet në Panairin e librit në Bruksel më 4 prill.
“Shqipëria mundet vetëm të nominojë, më pas janë emra të njohur të letërsisë evropiane që do të lexojnë pjesët e përkthyera në anglisht nga 13 autorët për të përzgjedhur njërin prej tyre si fitues të Çmimit Evropian. Ka qenë propozimi i Europës Krijuese që QKLL të jetë partner për këtë proces”, konfirmon Bardhyli.
Romani LIndur se prapthi i autores Rita Petro - foto Librat qe dua FB
Shkrimtarja Rita Petro është prezantuar në vitin 2022 me romanin e saj “Lindur së prapthi”. Libri, i shkruar në prozë, kur të gjithë e njohin Petron kryesisht si poete, ishte një sfidë që i erdhi natyrshëm, të cilën ajo e përmbush me romanin, që ia besoi për botim Shtëpisë Botuese Onufri.
Me romanin “Lindur së prapti”, autorja Rita Petro rrëfen për të vërteta që fshihen brenda shoqërisë dhe individit. Vetë titulli i romanit është një metaforë.
Në subjektin e tij, libri përmban një vajzë të vogël e cila ka lindur mbrapsht, ecën mbrapsht, me duar në vend të këmbëve dhe kur fillon të ecën mbarë, fillon të bëjë mbrapshtira për shoqërinë.
Ky është motivi, nga i cili nis libri e prej ku rrjedhin më pas të gjithë mendimet dhe ndjesitë e naivitetit të fëimjës. Rrëfyesja me këtë libër arrin të depërtojë në botën e brëndshme psikologjike të personazheve.
Pavarësisht se libri është shkruar nga prespektiva e një fëmije, e një vajze të vogël, që pastaj kalon adoleshencën dhe rritet duke përjetuar eksperienca unike në Shqipërinë e varfër. Që kur ka dalë në librari, romani ka patur shumë lexues, të të gjitha moshave, duke ngjallur mjaft kureshti. Shumë prej tyre kanë gjetur veten, përmes librit e shumë lexues të një moshe më të re, kanë zbuluar jetën e një vajze të një vendi lindor, rrëfyer mjeshtërisht nga dora e Rita Petros.
Proza, për shkrimtaren e guximshme Rita Petro shfaqet si një sprovë e re, për të cilën qëllimi kryesor është të shkojë tek lexuesi përmes përjetimeve dhe ndjesive personale, nga periudha e sistemit të kaluar deri në ditët e sotme.
Rita Petro në ditën e promovimit të librit duke nënshkruar autografe - foto Albas
Interesant është fakti se romani nuk ka një subjekt të mirëfilltë, nuk ka as data as vende të përcaktuara. Por janë të gjitha mbresa, ndjesitë dhe fustrimet që individi ka ndjerë brenda familjes, në shkollë dhe kudo tjetër. Megjithatë në libër janë prezente disa koodinata që lexuesin mund ta orientojnë drejt për vendit ku ndodhin ngjarjet.
Këto koordinata, si Shtëpia Ortodokse e kthyer në palestër, Kisha Katolike, xhamia që kthehet në ndërmarrjen e dekorit të qytetit dhe Rruga e Ambasadave përballë janë disa kooordinata nëpër të cilat ka kaluar jeta shkrimtares, e rrëfyer në libër.
Botëkuptimi i natyrës së pastër të fëmijës e më tej të individit që rritet e dëshiron të jetojë lirinë e tij, me imagjinatë pa konvencione, e rregulla loje, janë figurat që Petro zgjedh t’i sjellë si personazhe rebelë që thyejnë hapësirat e kohës.
Në botën e kujtimeve të personazheve të Rita Petros takojmë dhe figura deri në përmasat më të idealizuara si nëna, babai, motrat, kushërinjtë e komshinjtë. Me syrin provokativ të rrëfyesit dhe naivitetin e personazhit fëminor, tashmë Rita Petro do t’i drejtohet publikut evropian, për t’u dëshmuar Shqipërinë që ato nuk njihnin, të rrëfyer nga autorja përmes kujtimeve dhe nostalgjisë së saj.
Neritana Kraja