Eugjen Gargjola, violinisti shqiptar me famë ndërkombëtare
2024-03-11 10:45:00

Eugjen Gargjola duke luajtur ne violine. (Foto personale)

Eugjen Gargjola duke luajtur ne violine. (Foto personale)

Eugjen Gargjola është violinist i njohur shkodran, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Mantova të Italisë. Ai emigroi në Itali në moshën 15 vjeçare, ku vijoi studimet për violinë në Konservatorin e Mantovës. Eugjeni ka shëtitur për të luajtur në violinë në 28 shtete të botës, duke fituar eksperienca të reja por dhe emocione nga publiku i huaj. Gjithashtu ai ka bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës në botë, si kompozitorin e famshëm Enio Moricone dhe Luçiano Pavaroti. Eugjeni ka luajtur drejtpërtdrejt si solist në emisionin “Pinocchio” të televizionit RAI 2. Aktualisht punon si profesor i muzikës në liceun muzikor të Mantovës. Në një intervistë për Radio Ejani Eugjen Gargjola tregon për fillimet e tij në muzikë, emigrimin dhe studimet në Itali si dhe koncertet ku ka luajtur si violinist.

CMG: Përshëndetje Eugjen dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Eugjen Gargjola: Faleminderit për ftesën dhe gëzohem që jap këtë intervistë në Radio Ejani, është nder për mua.

Eugjeni i vogel duke luajtur ne violine (Foto personale)

Eugjeni i vogel duke luajtur ne violine (Foto personale)

Eugjen Gargjola ne moshe te vogel (Foto personale)

Eugjen Gargjola ne moshe te vogel (Foto personale)

CMG: Si ka lindur pasioni tek ti për violinën dhe muzikën në përgjithësi?

Eugjen Gargjola: Unë vij nga një familje muzikantësh, të cilët më kanë adresuar te kjo rrugë. Gjyshi im Ndoc Shllaku ka qenë violinist i mirënjohur dhe profesor i shkollës së muzikës në Shkodër, spala e orkestrës së Teatrit Migjeni. Kur ishte opera e parë “Mrika” e Prenk Jakovës, aty fillova leksionet e para në moshën katër vjeçare.  Siç duket kanë dalluar te unë një talent dhe u dashurova me muzikën në përgjithësi, kryesisht me violinën sepse gjyshi më transmetoi dhe dashurinë për këtë rrymë kaq të bukur, që e gëzon jetën personale të muzikantit por dhe të tjerëve.

CMG: Kur emigrove në Itali dhe si u integrove me jetën personale dhe atë artistike në një vend të huaj?

Eugjen Gargjola: Unë kam ardhë në Itali në moshën 15 vjeçare, ekzaktësisht në vitin 1992. Në atë kohë ishte shumë e vështirë për t’u marrë vizat për në Itali, por pata fatin nëpërmjet një mikut tim muzikant Nino Saraçi, i cili në ambasadën italiane kur mori vizën për vete për të ardhur në Itali, i kërkova të më merrte dhe mua me vete që të kisha mundësinë të studioja në Itali. Unë kam ardhur me vizë të rregullt, një ndër të paktët në atë kohë. Erdha në një familje italiane, por dhe familje të tjera më kanë ndihmuar të integrohem. Nuk i mohoj vështirësitë fillestare, sepse ndarja nga familja, shoqëria, ambjenti dhe nga jeta e mëparshme te një botë tjetër  dhe pse ishte më e mire, por për një djalë 15 vjeçar ishte shumë e vështirë. Pikërisht në ato vite kam kuptuar që kam ardhur për një arsye shumë të madhe, e cila është muzika, arti dhe çdo sakrificë për të do t’ja vlente. Me këtë bindje kam vazhduar gjithmonë.

Eugjen Gargjola (Foto personale)

Eugjen Gargjola (Foto personale)

CMG: Si vijuan studimet për violinë në Itali?

Eugjen Gargjola: Unë u regjistrova në konservatorin e Mantovës, ku jetoj akoma sot. Studimet e mia në Shkodër përsa i përket nivelit ishin sinqerisht të larta, sepse shkolla e muzikës ishte shumë serioze në ato vite. Kontakti me profesorët këtu ishte shumë pozitiv dhe unë vazhdova studimet me nota shumë të mira deri në arritjen e diplomës të konservatorit në vitin 1998. Kam marrë notën 10 me lavdërime  dhe ishte hera e parë që kjo notë jepej  me shumë emocion. Kjo nuk do të thotë se unë atë ditë arrita maksimumin, por përkundrazi ajo ishte fillimi i karrierës, sepse në vitet në vazhdim jam impenjuar edhe më shumë.

CMG: Ke marrë pjesë në mjaft koncerte në shumë vende të botës. Flasim për këto koncerte, eksperiencat dhe emocionet që ke përjetuar?

Eugjen Gargjola: Kam luajtur me orkestrën e Mantovës që në vitin 1997, para se të mbaroja studimet, dhe turnetë nëpër botë i kam filluar pikërisht me këtë orkestër. Kam qenë në 4-5 shtete të jugut të Amerikës, gjithë Europën dhe në vendet aziatike. Janë 28 shtete ku kam bërë koncerte me këtë orkestër. Aty mësohet shumë, por janë dhe duartrokitjet nga spektatorë të shumë shteteve të ndryshme, dhe kjo të pasuron shpirtërisht.

Eugjen Gargjola me kompozitorin e famshem Enio Moricone (Foto personale)

Eugjen Gargjola me kompozitorin e famshem Enio Moricone (Foto personale)

CMG: Gjithashtu gjatë karrierës tuaj muzikore ke patur bashkëpunime me emra të njohur të muzikës botërore. Si kanë ardhë këto bashkëpunime dhe si je ndjerë në mesin e tyre?

Eugjen Gargjola: Para 20 viteve kam bërë një audicion me orkestën e kompozitorit të mirënjohur të muzikës së filmave Ennio Moricone. Fitova konkursin dhe punova me të disa muaj në disa koncerte. Ka qenë një eksperiencë shumë pozitive për mua. Gjithashtu kam luajtur me Luciano Pavarotin në koncertin e tij të madh në Mantova, ku u njohëm dhe kam punuar me të dhe tre vite të tjera në vazhdim nëpër turne të ndryshme. Këta janë muzikantët që njihen më shumë në botë. Kam luajtur dhe muzikë të lehtë te “Pavaroti and friends”, ku pjesëmarrës ishte i famshmi Xhorxh Majkëll dhe grupi “Deep Purple”. Eksperienca ime muzikore në këto vite nuk është përqëndruar vetëm te muzika klasike, sepse kam përqafuar dhe rryma të tjera siç është muzika xhaz, gjithnjë të niveleve të mirëfillta.

Eugjen Gargjola duke luajtur ne violine (Foto personale)

Eugjen Gargjola duke luajtur ne violine (Foto personale)

CMG: E viziton shpesh Shqipërinë dhe për çfarë të merr malli më shumë për vendlindjen?

Eugjen Gargjola: Kur kam ikur në vitet e para kisha një mall shumë të madh, gati ekstrem për vendin tim, ku mendoja se një ditë do të kthehem për të dhënë kontributin tim ose të bashkëjetoj me shokët e dikurshëm. Unë praktikisht kam organizuar para disa viteve festivalin e muzikës moderne në Shkodër, kam patur kontakte me qytetin e Shkodrës. Një ditë realizova ëndrrën time, që ishte të kthehem. Fitova konkursin për të punuar si profesor në konservatorin e Shkodrës kur u hap para disa viteve, por ai konservator u mbyll pas një viti  dhe unë mbeta pa këtë rol në Shkodër. Pastaj kam punuar në Bashkinë e Shkodrës si drejtor i kulturës, ku  organizova koncerte të ndryshme. Ndërkohë që në një moment me ndryshimin e kryetarit të bashkisë u mbyllën shumë rrugë, dhe vendosa të rikthehem në Itali. Aktualisht punoj si profesor në liceun muzikor të Mantovës.

CMG: Sa të ka mbështetur familja në rrugën e muzikës?

Eugjen Gargjola: Mbështetja ka qenë nga gjyshi dhe prindërit, por dhe çdo familjar tjetër apo dhe kushërinjtë i kam patur gjithmonë mbështetje dhe kanë besuar te unë. Kur një prind beson te fëmija dhe fëmija beson te vetja. Kështu që është kryesor ky aspekt, ku të njëjtën gjë bëj dhe unë me nxënësit e mi në shkollë. Ju jap shumë besim dhe ata krijojnë një karakter të fortë për të ecur përpara.

Eugjen Gargjola gjate nje aktiviteti (Foto personale).jpg

Eugjen Gargjola gjate nje aktiviteti (Foto personale)

CMG: Përveç muzikës a ke pasione të tjera ?

Eugjen Gargjola: Kur isha i vogël gjyshi më thoshte se nëse unë merrja 10 në saxho të violinës, do më blente një top futbolli professional  dhe e ka mbajtur gjithmonë fjalën.  Pasionin për futbollin e kam mbajtur gjithë jetën dhe sot luaj me një skuadër amatore. Gjithashtu më pëlqen shumë fotografia, kam ekspozuar disa fotografi në një ekspozitë ndërkombëtare këtu në Mantova. Kam realizuar dhe disa piktura, por jo me ndonjë vlerë të madhe.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Eugjen Gargjola: Nuk e di nëse Ennio Moricone më ka influencuar, por unë vazhdoj të kompozoj. Kam filluar para rreth 10 viteve kompozimet e para, kam publikuar dy disqe me kompozimet e mia dhe akoma sot vazhdoj të shkruaj muzikë. Projekti i ardhshëm është një CD për violinë solo  dhe tjetri me disa këngë pop që kam shkruar, të orkestruara për orkestër të madhe.

Intervistoi: Gazmend Agaj