Presidenti kinez Xi Jinping-u mori pjesë në shqyrtimet e ligjvënësve kombëtarë dhe në diskutimet e këshilltarëve politikë kombëtarë gjatë "dy sesioneve", duke bërë një sërë komentesh lidhur me çështje që përfshijnë forcat e reja prodhuese cilësore, mbrojtjen mjedisore, reformën e gjithanshme dhe zhvillimin e bashkërenduar rajonal. Mesazhet e rëndësishme të kreut të shtetit të Kinës në të dy sesionet kanë krijuar edhe mundësinë për të kuptuar trajektoren që do të ndjekë në të ardhmen ekonomia e dytë më e madhe e botës.
Presidenti kinez Xi Jinping merr pjesë në diskutimet e deputetëve nga provinca Jiangsu(Foto:Xinhua)
Xi ka theksuar zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore në kushtet e përpjekjeve të përshpejtuara të vendit për të nxitur forcat e reja të rritjes dhe zhvillimin me cilësi të lartë. Ky koncept, i paraqitur për herë të parë nga Xi në vitin 2023, u theksua në një mbledhje të rëndësishme mbi punën ekonomike dhjetorin e kaluar. Me inovacionin që do të luajë rolin kryesor, forca të reja prodhuese cilësore do të thotë produktivitet i përparuar, i çliruar nga mënyrat tradicionale të rritjes ekonomike dhe rrugët tradicionale të zhvillimit të produktivitetit, që mbështetet në teknologjinë, rendimentin dhe cilësinë e lartë dhe është në përputhje me filozofinë e re të zhvillimit. Gjatë pjesëmarrjes me kolegët e vet deputetë nga delegacioni i Jiangsu-së në një diskutim më 5 mars, Xi theksoi rëndësinë e zhvillimit të forcave të reja prodhuese cilësore bazuar në kushtet vendore.
Ai vuri në dukje nevojën që të forcohet kërkimi bazë në shkencat e aplikuara, të arrihen përparime në teknologjitë thelbësore në fushat kryesore dhe të nxiten forcat e reja shtytëse të zhvillimit të forcave të reja prodhuese cilësore, gjatë pjesëmarrjes në një mbledhje të përbashkët grupore të këshilltarëve politikë kombëtarë më 6 mars.
Foto:VCG
Në shqyrtimin më 5 mars, Xi theksoi nevojën e planifikimit të masave madhore për të thelluar më tej reformën në të gjitha frontet, në mënyrë që të vazhdojë nxitja e fuqishme e përpjekjeve për të çuar përpara zhvillimin me cilësi të lartë dhe modernizimin kinez. "Për të formuar një ekonomi tregu socialiste të nivelit të lartë, është e domosdoshme të përshpejtohet përmirësimi i sistemeve bazë të ekonomisë të tregut, të tilla si ato për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, të hyrjes në treg, të konkurrencës së ndershme dhe të besueshmërisë shoqërore," u shpreh ai.
Presidenti kinez vuri në dukje gjithashtu se është me rëndësi thelbësore që të krijohet një mjedis biznesi i nivelit botëror i orientuar nga tregu, i bazuar në ligj dhe i ndërkombëtarizuar, për të nxitur forcat e reja për një ekonomi të hapur në një nivel më të lartë.
Foto:VCG
Xi theksoi para këshilltarëve politikë kombëtarë më 6 mars nevojën për të vendosur "vija të kuqe" në zhvillimin dhe mbrojtjen e hapësirës territoriale, si dhe për të përmirësuar sistemin e menaxhimit mjedisor të posaçëm për rajonin, në mënyrë që të konsolidohen më tej themelet ekologjike të zhvillimit me cilësi të lartë.
Sipas raportit të punës së qeverisë, Kina ka vendosur një objektiv për uljen e konsumit të energjisë për njësi të PBB-së me rreth 2.5 për qind këtë vit. Xi tha se duhen bërë përpjekje për të kryer kontrollin me objektiv të mirëpërcaktuar, të bazuar në shkencë e të ligjshëm të ndotjes, për të nxitur tranzicionin e gjelbër e me lëshim të ulët karboni në zhvillimin ekonomik e shoqëror, për të forcuar ruajtjen, përdorimin e efektshëm dhe riciklimin e burimeve, duke eksploruar më shumë mënyra për të realizuar vlerën e tregut të prodhimeve ekologjike dhe duke bërë përpjekje që të arrihet asnjanësimi i karbonit.(Artan)