Autoshkolla (Foto nga Atsh)
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën të ditur se vetëm 127 persona nga 958 riregjistrime në autoshkollë, për shkak të heqjeve të pikëve të patentës, e kanë rifituar lejen e drejtimit gjatë periudhës qershor 2022-shkurt 2024, shkruan “ATSH”.
Të gjithë ata që konsiderohen kontigjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata vetë dhe të tjerët në rrugë, pas heqjes së pikëve të patentës, me aktet e reja në fuqi prej mbi një viti tashmë, për të rifituar të drejtën e drejtimit të mjetit, duhet të regjistrohen nga e para në autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë.
Në seancën e fundit të zhvilluar, sipas DPSHTRR-së, nga 36 riregjistrime, u paraqitën 18 kandidatë ku vetëm 3 prej tyre rezultuan fitues.
“958 riregjistrime në autoshkolla dhe vetëm 13.3% prej tyre kthehen në rrugë si drejtues mjeti, kësaj here akoma më të përgjegjshëm”, informoi DPSHTRR. (Irma)