Këngëtarja Ariela Krasniqi, rikthimi në muzikë pas 18 vitesh
2024-03-10 15:12:00

Pas një shkëputjeje 18 vjeçare këngëtarja Ariela Krasniqi  rikthehet në muzikë me edicionin e parë të Festivalit të këngës në Radio Televizionin e Kosovës, ku interpretoi këngën "Emri grua". Dy muaj më parë Ariela prezantoi këngën me videoklip "Ne". Ajo  ka marrë pjesë në festivalet e fëmijëve që në moshën 10 vjeçare dhe ka kryer  studimet për flaut në Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë. Kulmi i suksesit të Arielës ishte në vitin 2003,  kur publikoi dy albume muzikore  "Përse"  dhe "Me sy nga ty". Gjithashtu ajo ka marrë pjesë në disa kompeticione muzikore, në "Këngët e Stinës" në Rtsh me këngën "One be one",  në "Top Fest" me këngën "Loti që kërkonte jetë", etj. Në intervistë për Radio Ejani Ariela Krasniqi  rrëfen për rikthimin e saj në muzikë dhe planet për vitin 2024.

Ariela  Krasniqi  (Foto nga instagrami)

Ariela  Krasniqi  (Foto nga instagrami)

CMG: Është kënaqësi që të ritakohemi pas 18 vitesh mungesë, kur  ke qenë në kulmin e suksesit tënd. Pse kjo pritje kaq e gjatë për t’u rikthyer në muzikë?

Ariela Krasniqi: E gjitha kjo ndodhi sepse unë kisha nevojë për kohën time, doja të merrja një vendim të sigurtë, nëse do vazhdoja apo jo në fushën e muzikës, por njëkohësisht u bëra dhe mama dhe kohën time ja kushtova familjes dhe vajzës sime. Më pas, duke pasur dëshirën e madhe për t’u rikthyer në dashurinë time që është kënga, mendova dhe vendosa se tani ishte koha e duhur për t’u rikthyer.

CMG: Rikthimi yt në muzikë nuk ishte në Tiranë, por në Festivalin e parë të këngës që u mbajt në fund të vitit 2023 në RTK ( Radio Televizionin e Kosovës), ku konkurrove me këngën “Emri grua”. Si lindi dëshira për të marë pjesë në këtë festival dhe si erdhi kjo këngë? 

Ariela Krasniqi: Kënga është krijuar nga bashkëpunëtori im i vjetër Gjergj Jorgaqi. Ideja lindi gjatë bisedimeve për të punuar për një këngë, më pas dëgjuam se po organizohej festivali i parë në Kosovë, mendova pse jo. Duke qenë se unë kam marr pjesë në  edicionet e para të disa festivaleve, si “ Top Festi-in” e parë dhe pata shumë sukses,  mendova ta provoj të rikthehem dhe të marr pjesë në një festival që mbahet për herë të parë. Mora pjesë në këtë festival me një  këngë shumë të bukur, që trajton një temë sociale  dhe mendoj se shkoi mirë.

CMG: Cilat kanë qenë komentet nga artistët dhe kolegët në festival,  trajtimi i një teme sociale?

Ariela Krasniqi: Të them të drejtën mu duk sikur nuk u përqafua shumë kjo temë dedikuar gruas. Ishte një temë shumë aktuale, për gjithçka  po dëgjojmë e po kalojmë, pikërisht për dhunën ndaj grave nga ku unë mora iniciativën për ta sjellë këtë këngë. Mes artistëve pata përshtypje të mira për materialin që kisha zgjedhur. 

CMG: Materialet muzikore që kanë në tematikat e tyre tema sociale ndoshta nuk përqafohen shumë nga masa, por i rezistojnë gjithmonë kohës. Pas publikimit të kësaj kënge në tetor, vetëm dy muaj më pas ti solle një tjetër  këngë të shoqëruar me videoklip me titull “Ne”,  që  përmban në tekstin e saj sërish një temë sociale. Na trego për fabulën e saj, bashkëpunëtorët 

Ariela Krasniqi: Duke qenë se ishte një rikthim nuk doja ta lija vetëm me pjesëmarrjen në festival, mendova të realizoja edhe një tjetër këngë, por këtë herë me videoklip. Kënga është e realizuar nga kompozitori Aleks Gjonpalaj dhe tekst të Stivi Ushes. Është një këngë ku mund ta gjejnë veten shumë persona apo një çift i dashuruar, pra është një këngë që i prek të gjitha fushat dhe shpresoj të pëlqehet.

Ariela Krasniqi (Foto nga  instagrami)

Ariela Krasniqi (Foto nga  instagrami)

CMG: Dua të kthehem pak pas në kohë e të ndalem në vitin 2003. Ti në atë vit more pjesë në “Këngët e Stinës” (edicioni i fundit i tij i mbajtur në Rtsh), me këngën “One by one”. Si i kujton ato kohë? 

Ariela Krasniqi: Ishte një këngë që i përshtatej moshës sime ato kohë. Ka qenë periudha më e bukur e imja. Shumë nostalgji për atë festival, gjithashtu edhe për atë kohë ku unë sapo kisha nisur hapat e mia të parë në fushën e këngës në moshë madhore dhe më profesionale, sepse më herët kam qenë pjesëmarrëse në festivalet për fëmijë.

CMG: Duke qenë se ajo këngë u përqafua mjaft mirë nga publiku, e kërkoje vendin e parë atë vit? 

Ariela Krasniqi: Po është e vërtet që  “One by one” u dëgjua mjaft si këngë, por unë në fakt nuk jam natyrë që pres të marr vendet e para, apo të synoj me patjetër futjen në finale. Jam natyrë që e shijoj momentin dhe të paturit një eksperiencë, pastaj nëse do të vinë të tjerat patjetër që i mirëpres, por nuk e vendos qëllim në vetvete që duhet patjetër të fitoj çmimin e parë.

Ariela Krasniqi në Festivalin e këngës në Kosovë (Foto Instagram)

Ariela Krasniqi në Festivalin e këngës në Kosovë (Foto Instagram)

CMG: Në kulmin e suksesit artistik, ke sjellë shumë hite ndër të cilat “Loti që kërkonte jetë”, një këngë e cila edhe pse është kënduar rreth dy dekada më parë është përsëri po aq e freskët, aktuale dhe duket sikur s’do dalë nga moda asnjëherë. Si ndihesh kur dëgjon këto fjalë pikërisht sot? 

Ariela Krasniqi: Më vjen mirë kur kënga dëgjohet ende sot. Ajo këngë është punuar me shumë dashuri, ndihem shumë mirë që edhe pas kaq vitesh vazhdon të pëlqehet dhe i ka rezistuar kohës.

CMG: Ke menduar ta  rikthesh sërish me ndonjë ripërpurim? 

Ariela Krasniqi: Është një ide e bukur, të cilën e kam menduar dhe është në planet e mia për ta bërë një gjë të tillë.

Ariela Krasniqi: Në vitet 2003 dhe 2006 ke sjellë dy albume muzikore. Ke patur  një vrull kaq të madh në këto vite, sa ke nxjerrë në treg dy albume brenda një tre vjeçari.

Ariela Krasniqi: Në atë kohë kur dola në skenë, publiku kishte filluar të orientohej pak keq në lidhje me shijen muzikore. Kur unë dola me këngën “S’të lejoj” , filloi ndryshimi dhe po ashtu edhe kjo u përqafua shumë nga publiku si për stilin ashtu edhe tekstin e saj. Për këtë këngë kam marr edhe shumë mesazhe nga vajzat, sepse kanë gjetur forcën në atë këngë për një lidhje toksike që mund te kenë pasur  dhe aty filloi të ndryshonte pak edhe shija për publikun. Unë isha në kohën e duhur dhe me njerëzit e duhur, prandaj erdhi gjithë ai vrull i madh në atë kohë. 

Ariela Krasniqi në intervistë për Radio Ejani

Ariela Krasniqi në intervistë për Radio Ejani

CMG: Nesë do të ktheheshe pas në kohë, çfarë do të bëje ndryshe? 

Ariela Krasniqi: Ndryshe nuk do të bëja asgjë, do bëja sërish po të njëjtat gjëra që kam bërë, sepse gjithçka e kam bërë me shumë pasion, dashuri dhe i kam shijuar shumë.

CMG: Do ta bëjë përsëri këtë pauzë 18 vjeçare në muzikë?

Ariela Krasniqi: Ndoshta pauzën nuk do e kisha bërë. U mendova shumë për të marrë këtë vendim, një mendje më thonte të mos kthehesha më fare, sepse në një kohë kaq të gjatë harrohesh,  e kisha humbur pak fillin e tregut muzikor, por nuk të lë dashuria e madhe për muzikën dhe ja ku jam. 

CMG: Ti ke studiuar për flaut në Liceun Artistik. Si janë raportet e tua me këtë instrument muzikor? 

Ariela Krasniqi: Raportet e mia me flautin mbetën deri në Liceun Artistik, nuk i vazhdova më. Ishte një vegël muzikore me të cilën nuk u dashurova shumë, e praktikova vetëm për hir të viteve të shkollës, pasi pasioni im më i madh ishte dhe mbetet kënga. Nuk e kam ushtruar si instrument që në gjimnaz.  

CMG: Nuk e ke as në shtëpi instrumentin e flautit? 

Ariela Krasniqi:  Nuk e kam instrumentin, e kam dhuruar për ta përdorur dikush që po studion për flaut.

CMG: Siç duket dashuria për këngë triumfoi mbi flautin. 

Ariela Krasniqi: Po  është e vërtetë. Kam investuar te kënga kur  isha e vogël dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe.

CMG: U riktheve më në fund në muzikë, ku solle në fund të vitit 2023 dy materiale muzikore. Cilat janë planet e tua artistike për vitin 2024?

Ariela Krasniqi: Planet e mia janë të sjell sërish një videoklip dhe një këngë të re, ndoshta edhe një bashkëpunim, të cilin po e mendoj ta sjell në periudhën e verës, ku mendohet të jetë një këngë ritmike. Rikthimin tim e doja me një baladë, dhe ashtu veprova, pasi aty më fle shpirti dhe vokali, por duhen edhe këngët ritmike për të qëndruar më gjatë në tregun muzikor.

CMG: Do vazhdosh të bashkëpunosh me të njëjtët bashkëpunorë?

Ariela Krasniqi: Mendoj që po, pasi me Gjergj Jorgaqin kemi shumë vite që punojmë bashkë, ai e njeh natyrën time dhe më përshtatet në kompozim, por kam gjetur veten dhe te Aleks Gjonpalaj bashkë me Stivi Ushen, të cilët janë djem shumë të talentuar, jam me fat që i njoha. 

CMG: Si e kanë pritur kolegët e tu apo bashkëudhëtarët e liceut rikthimin tënd sot?

Ariela Krasniqi: Mikesha ime  që nga liceu Anxhela Peristeri ka qenë një mbështetje shumë e madhe për mua dhe e falenderoj. Por edhe njerëzit e mi të ngushtë e kanë mirëpritur këtë rikthim timin në muzikë.

CMG: Ti ke një vajzë, për të cilën dua të të pyes se si e priti kur pa mamin në skenë?

Ariela Krasniqi: Vajza ime është katër vjeçe dhe i pëlqen shumë që unë këndoj. Ajo dëgjon çdo ditë këngët e mi, të cilat i ka mësuar të gjitha përmendësh.

Foto e albumit muzikor të A. Kraniqit (Foto Tekste Shqip)

Foto e albumit muzikor të A. Kraniqit (Foto Tekste Shqip)

CMG: Bëni duete bashkë? 

Ariela Krasniqi: Po, shpeshherë këndojmë bashkë.

CMG: Cilën këngë ka të preferuar vajza jote? 

Ariela Krasniqi: Të dyja këngët e mia të reja i ka shumë të preferuara, i di tekstet shumë mire.

CMG: A ka ajo vesh muzikor? 

Ariela Krasniqi: Shoh që ka dëshirë për të kënduar dhe kërcyer, por është një sjellje që e kanë të gjithë fëmijët e asaj moshe dhe nuk mund ta përcaktoj dot nëse ka apo jo vesh muzikor ende. Do t’ja le kohës. Nëse do ta ketë pasion, pse jo. 

CMG: Unë të falenderoj për këtë intervistë, ishte vërtet kënaqësi dhe më vjen vërtet mirë që “Emri grua” dhe kënga “Ne” të risollën në skenën e muzikës. Suksese në vazhdimësi! 

Ariela Krasniqi: Shumë faleminderit ishte shumë kënaqësi edhe për mua kjo intervistë.

Intervistoi: Sava Lena