Afërdita Jonuzi dhe Parime Shahinaj, zërat burimorë të folklorit të Skraparit
2024-03-09 10:21:07

Afërdita Jonuzi dhe Parime Shahinaj janë dy këngëtare të muzikës popullore dhe asaj folklorike të Skraparit. Në moshë të vogël ato kanë kënduar këngë popullore tradicionale të kësaj treve, duke e trashëguar këtë traditë nga prindërit e tyre. Afërdita bashkë me Parimen kanë realizuar disa këngë në duet, duke përcjellë vlerat më të mira artistike dhe muzikore të trevës nga vijnë. Gjithashtu ato kanë marrë pjesë në mjaft aktivitete muzikore brenda dhe jashtë vendit. Në intervistë për Radio Ejani ato tregojnë për rrugën e tyre me këngën popullore si dhe aktivitetet muzikore ku kanë marrë pjesë.

Aferdita Jonuzi dhe Parime Shahinaj gjate nje aktiviteti (Foto personale) - Kopjo

Aferdita Jonuzi dhe Parime Shahinaj gjate nje aktiviteti (Foto personale) 

CMG: Si nisi rruga e muzikës popullore për ju Znj.Jonuzi?

Afërdita Jonuzi: Unë jam rritur me këngët folklorike tradicionale të Skraparit që kur ishim të vegjël dhe mblidheshim darkave për të festuar, duke kënduar të gjithë bashkë me familjen. Unë i kam ruajtur këto këngë dhe i këndoj akoma, sepse jam shumë e apasionuar pas tyre. Ndjehem shumë e vlerësuar për këtë intervistë që po realizojmë për Radio Ejani.

CMG: Besoj se e keni trashëguar këngën popullore nga prindërit tuaj?

Afërdita Jonuzi: Unë këngën e kam trashëguar nga prindërit, gjyshërit dhe vëllezërit sepse ne këndonim të gjithë si familje. Prindërit e mi këndonin në çdo festë familjare në atë kohë. Mamaja ime dhe daja kanë marrë pjesë edhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe për këtë jam shumë krenare që kam përcjellë në njëfarë mënyre dhe zërin e prindërve të mi.

Aferdita Jonuzi (Foto personale)

Aferdita Jonuzi (Foto personale)

CMG: Po për ju  Znj.Shahinaj si ka nisur rrugëtimi me këngën popullore?

Parime Shahinaj: Unë kam kënduar që e vogël  dhe prindërit e mi kanë kënduar të dy, por edhe vëllezërit bashkë me motrat kanë kënduar gjithashtu. Unë ruaj akoma kasetat e babait tim kur mblidheshim familjarisht, duke kënduar. Kam nisur të këndoj që në shkollë, kur bënim koncerte të ndryshme nëpër fshatra. Unë isha e vogël, por prapë këndoja me grupet atistike të kooperativës, ku më merrnin gjithmonë me vete motrat dhe vëllezërit e mi më të mëdhenj. Kështu vijoi më pas rrugëtimi im me këngën  dhe pasi u martova fillova të këndoja me grupin folklorik  të qytetit të  Çorovodës, ku kemi marrë pjesë në mjaft koncerte në raste festash në qytet dhe jashtë tij. Në vitin 2004 dhe 2009 kam qenë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Gjithashtu kam qenë dhe në festivalin e fundit folklorik të vitit 2023 me këngën “Thëllëzë e bukur në shkëmb”.

CMG: Si ishte ky festival folklorik në krahasim me festivalet e mëparshme ku keni qenë pjesëmarrëse?

Parime Shahinaj: Festivali i fundit folklorik në krahasim me festivalet e mëprashme që kam marë pjesë ishte madhështor dhe më i bukur, sepse vinte pas tetë viteve shkëputje. Ne si grup mezi e pritëm atë festiva dhe pse me pak siklet ngaqë mezi u mblodhëm, por e realizuam pjesëmarrjen. Për mua ishte një ëndërr që të shkoja edhe njëherë në atë festival, që të ngjisja shkallët për herë të tretë në festivalin folklorik ishte kënaqësia më e madhe.

Parime Shahinaj ne skene (Foto personale)

Parime Shahinaj ne skene (Foto personale)

CMG: Afërdita çfarë kujtimesh ruani me këngën gjatë moshës së fëmijërisë?

Afërdita Jonuzi: Kutjimi më i bukur që nuk e harroj dot është që në klasën e parë fillore, më nxirrnin para shkollës për të kënduar këngët tona tradicionale. Këngën e kam patur që e vogël pasion dhe kam patur mbështetjen e familjes. Mirëpo unë u martova në moshën 17 vjeçare dhe atë vit kam fituar çmimin e parë në krahinën time. Unë isha pretendente për të shkuar në Festivalin e Gjirokastrës, por për arsye të mentalitetit të kohës bashkëshorti më ndaloi që unë të isha pjesë e atij festivali. Këtu për mua mbaroi gjithçka, sepse zgjodha familjen, duke hequr dorë nga pjesëmarrja në Festivalin Folklorik dhe aktivitete të tjera. Jam kthyer prapë te kënga dhe jam shumë e lumtur që pasi rrita katër fëmijët e mi, u aktivizova prapë me këngën folklorike dhe dëshiroj që të plotësoj mungesën disavjeçare. Mendoj se ja kam arritur në njëfarë mënyre, sepse ëndrra dhe pasioni nuk mbaron kurrë. Unë do të këndoj derisa të kem frymë.

Aferdita Jonuzi dhe Parime Shahinaj me veshje popullore (Foto personale)

Aferdita Jonuzi dhe Parime Shahinaj me veshje popullore (Foto personale)

CMG: Si erdhi bashkëpunimi që të realizonit duete këngësh popullore me njëra-tjetrën?

Parime Shahinaj: Kur këndoja me Grupin Folklorik të Çorovodës kemi shkuar në shumë aktivitete dhe njohja ime me Afërditën ka qenë gjatë një aktiviteti me shoqatën e Qyprillinjve të Beratit. Pasi u njohëm shkuam për herë të parë bashkë në një koncert në qytetin e Beratit dhe që aty nuk jemi ndarë. Kemi realizuar mjaft këngë bashkë, por kemi shkuar dhe në koncerte benda dhe jashtë vendit.

Afërdita Jonuzi: Parimen e kam njohur shumë vonë, sepse unë origjinën e kam nga Tomorrica e Skraparit dhe deri në vitin 1964 zona ime ishte e Skraparit, ndërsa në vitin që u formuan kooperativat bujqësore kjo zonë kaloi me rrethin e Gramshit. Kjo ishte dhe arsyeja që nuk mora pjesë me Parimen në Festivalin e Gjirokastrës. Është një kënaqësi dhe fat i madh që kam gjetur një njeri si Parimja, për karakterin që ka, por që na puqen dhe zërat bashkë.

Unë jam pak më egoiste, ndërsa Parimja është më tolerante, por jemi gjendur bashkë në çdo vend dhe jemi të plotësuara në njëfarë mënyre. Fatkeqësisht në mjaft aktivitete ku kemi marrë pjesë, shoqatat në më të shumtën e rasteve na thërrasin pa pagesë dhe kjo është një padrejtësi. Ne kemi kontribuar për folklorin sepse e kemi pasion këngën dhe nuk do të ndalojmë kurrë së kënduari.

CMG: Parime, besoj se  nuk jeni shkëputur asnjëherë nga kënga

Parime Shahinaj: Jam shkëputur vetëm dy-tre vite sepse kishim një fatkeqësi në familje. Dëshiroj të falenderoj për mbështetjen që në fillimet e mia shoqet që kanë dhënë një kontribut në folklorin e Skraparit. Ata më dëgjua mua duke kënduar dhe më ftuan të bashkohesha me ta, dhe dua të përshëndes Natasha Çeçon, Ruhije Hyskon, që kanë kontribuar, por dhe përgjegjësit artistikë Syrja Begolli dhe Gëzim Zylfo, që në atë kohë ishin në pallatin e kulturës. Ata më dëgjuan dhe më pranuan në grup dhe që atëhere unë nuk jam shkëputur nga kënga.

Aferdita Jonuzi dhe Parime Shahinaj ne interviste per CMG

Aferdita Jonuzi dhe Parime Shahinaj ne interviste per CMG

CMG: Fëmijët tuaj Afërdita e kanë trashëguar këngën nga ju?

Afërdita Jonuzi: Unë e kam trashëguar nga prindërit e mi dhe ata janë krenarë kur më dëgjojnë mua. Fatkeqësisht fëmijët e mi nuk e kanë trashëguar këtë traditë, dhe pse e pëlqejnë shumë këngën popullore dhe kënaqen kur më dëgjojnë mua, por kohët kanë ndryshuar dhe  nuk mblidhemi më si më përpara që të këndoj unë dhe ata të dëgjojnë. Kam katër vajza dhe asnjëra nuk e ka trashëguar këngën nga unë.

CMG: Parime, keni një djalë Enin,  që është bërë i njohur në disa spektakle televizive. Ka dëshirë ai të këndojë këngë popullore sikur ti?

Parime Shahinaj: Eni i pëlqen shumë këngët popullore  dhe kur mblidhemi shpesh bashkë  këndojmë. Ai i ka shumë qejf këngët, por këngët popullore nuk e ka marrë mundimin t’i këndojë. Eni kënaqet kur unë këndoj, më përkrah në çdo vend që shkoj dhe më thotë që të shkoj në çdo aktivitet. Kur më shikon ndonjëherë të mërzitur më thotë, duket se nuk ke kënduar këto ditë. Ai dëshiron që unë të eci në rrugën e këngës.

Aferdita Jonuzi me kostum popullor (Foto personale)

Aferdita Jonuzi me kostum popullor (Foto personale)

CMG: Një vlerë e shtuar e këngës popullore dhe asaj folklorike është dhe kostumi tradicional. Si jeni ndjerë të veshura me kostumin popullor të trevës suaj?

Afërdita Jonuzi: Ne kemi shkuar në shumë aktivitete si brenda ashtu dhe jashtë vendit, dhe e them me shumë bindje se kostumet tona popullore janë të veçanta dhe shumë të bukura. Unë dhe Parimja e kemi blerë kostumin popullor vetë, i cili të jep ndjesinë e të qenurit 100 për qind bio folk. Unë kostumin popullor e vesh me shumë kënaqësi dhe ndjehem shumë e lumtur. Kur arrita që të blej kostumin tim popullor dhe dal të këndoj në skenë bëhem me krahë. Faleminderit Zotit që më ka dhënë kurajën, por dhe fëmijëve të mi që gëzohen kur kënaqem unë. Gjithashtu dua të falenderoj dhe mamanë time, që kur më dëgjon unë bëhem me krahë të fluturoj.

Parime Shahinaj me grupin (Foto personale)

Parime Shahinaj me grupin (Foto personale)

CMG: Këngët që keni publikuar në kanalin YouTube janë të bazuara në këngët e vjetra popullore apo keni sjellë dhe krijimtari të re?

Parime Shahinaj: Të gjitha këngët që kemi kënduar janë këngë të vjetra popullore. Ndërkohë  që kur isha me grupin e Tomorricës unë kam kënduar këngën “Lava sytë dhe lava duart”, dhe këtë këngë e kam nga mamaja ime e cila ma ka mësuar që e vogël. Këtë këngë e kam kënduar në çdo aktivitet dhe e kam realizuar në videoklip. Kemi pak këngë që janë krijimtari e re me tekste të reja, por në përgjithësi të gjitha tekstet e këngëve tona janë të popullit. Një pjesë të mirë të këngëve që këndojmë i  kam marrë nga mamaja ime.

Parime Shahinaj me grupin ne festivalin e Gjirokastres (Foto personale)

Parime Shahinaj me grupin ne festivalin e Gjirokastres (Foto personale)

CMG: Si ndjeheni që e keni ruajtur dhe përcjellë bukur këngën tradicionale të trevës së Skraparit?

Afërdita Jonuzi: Ndjehem shumë e lumtur dhe krenare, dhe do shpresoja shumë që edhe ky brez që po vjen ta trashëgonte këtë vlerë folklorike sepse këngët tona janë shumë të bukura dhe të larmishme. Ne jemi rritur me këto këngë, dhe do dëshiroja shumë që t’i përcjellin dhe brezat e ardhshëm këto këngë. Fatkeqësisht ne këndojmë shumë, por nuk vlerësohemi ashtu siç duhet. Megjithatë ai që e ka pasion këngën do të këndojë dhe do vazhdojë deri në fund.

Parime Shahinaj me grupin. (Foto personale)

Parime Shahinaj me grupin. (Foto personale)

Parime Shahinaj: Unë ndjehem shumë krenare që vazhdoj të këndoj këngën e traditës së Skraparit. Do të këndoj derisa të kem frymë.

Intervistoi: Gazmend Agaj