Foto nga instagrami
Me rastin e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas në Shqipëri janë zhvilluar disa aktivitete kulturore, por dhe veprimtari që e venë theksin në dhunën ndaj gruas. Disa prej tyre kanë filluar të mbahen disa ditë përpara 8 marsit. Më 7 dhe 8 mars, zona e Pazarit të Ri iu dedikua festimeve për Ditën e Mësuesit, si dhe Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Në Ditën e Mësuesit, aktivitetet nisën që në mëngjes për të përfunduar në mbrëmje, me shumë mundësi për argëtim për fëmijët dhe gjithë familjen. Panairi i artizanëve dhe dyqaneve të luleve solli një gamë të pasur me produkte të veçanta, duke promovuar talentin vendas dhe kulturën lokale.
Së bashku me këtë, kishte dhe sesione mësimore për mbjelljen e luleve dhe face painting për fëmijët, si dhe motive lulesh me ngjyra të ndryshme. Muzika shqiptare është ajo që i shton atmosferën festimeve. Pas 7 marsit, në vazhdim të kësaj feste, vjen dhe 8 Marsi, ku pritet të ketë aktivitete të veçanta për të nderuar dhe festuar rolin e shumëfishtë të grave në shoqëri.
Aktivitetet nisën në mëngjes në qendër të Tiranës, pikërisht në zonën e Pazarit të Ri, duke ofruar një gamë të pasur të ngjarjeve, si paneli i sensibilizimit për gratë deri te kori vullnetar i grave, që sjell frymë solidariteti dhe mbështetje për të drejtat e grave. Për të bërë këtë ditë më të bukur janë ofruar kafe falas për të gjitha gratë nga disa kompani kafeje, duke bashkëpunuar me disa bare të zonës. Po ashtu, për të shtuar ndjesinë e bukurisë, make-up falas ishte në dispozicion për vajzat dhe gratë që u bënë pjesë e festës.
Aktivitete të tjera në kuadër të kësaj dite të veçantë kanë nisur 5 netë më parë, që më 4 mars, duke vijuar deri më 8 mars. 10 shfaqje, janë vënë në skenë me rastin e Festivalit “Femfest” që nisi udhën disa ditore pasditen e 4 marsit në sallën e madhe të Arturbinës me edicioni e tretë të këtij Festivali. “Femfest” ashtu sikundër edhe vitin e kaluar, është ndërtuar me një platformë shfaqjesh, e diskutimesh, me në fokus gruan.
Pjesë e këtij festivalit kanë qenë artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane dhe këngëtare, të cilat nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit u kanë dhënë zë edhe problemeve që nuk fliten, apo atyre që nuk dëgjohen. Të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për 4 bursa studimi për katër studente të Universitetit të Arteve. “FemFEST” është një festival feminist arti dhe kulture i krijuar nga BASH ART që nisi në Tiranë, në vitin 2022. I planifikuar të vazhdojë çdo vit, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, festivali synon të ringjallë qëllimin fillestar të 8 Marsit: të shënojë arritjet kulturore, politike dhe socio-ekonomike të grave, duke bërë thirrje për arritjen e plotë të të drejtave të grave. Në këtë edicion të tretë janë shfaqur gjatë 5 netëve, 10 shfaqje, por nuk kanë munguar rubrikat “FemTalk” përpara çdo shfaqeje, panelet e përditshme, të cilat janë moderuar nga figura të njohura femërore në vend.
Për mediat është prononcuar Iris Luarasi Aktiviste për të Drejtat e Njeriut: “Dhuna nuk ka lidhje vetëm me atë që ne shohim brenda mureve të shtëpisë, apo me dhunën psikologjike,seksuale, që dikush dhunon një grua apo një vajzë, por ka shkuar edhe më tepër, në një tjetër dimension tek dhunimi online”.
Ndërsa Albana Koçiu Ministre e Shëndetësisë tha për median: “E gjithë shoqëria duhet të jetë bashkë, kur vjen puna tek një fenomen i tillë. Nuk mjaftojnë vetëm fushata në disa momente të caktuara ”.
Foto nga Portali Shkollor
Taulant Balla, Ministër i Brendshëm theksoi në panelin e diskutimit se; “Sa herë që i hedh sytë shifrave që më raportojnë policia e shtetit, më duket e pa pranueshme që shoqëria jonë, në vetëm dy muajt e parë të këtij viti kemi 890 raste dhune të raportuara për vajza dhe gra”.
“FEMFEST” tashmë në edicionin e tretë, nisi si fillim si një dëshirë për një kontribut qytetar, por sot është shndërruar në një dritare të rëndësishme komunikimi për diskutime me fokus barazinë në luftën kundër dhunës me bazë gjinore. Përgjatë këtyre 5 ditëve, personalitete të jetës publike në vend , kanë shkëmbyer përvoja dhe mendime mbi përmirësimin e kësaj drame sociale, të cilën përgjatë këtyre ditëve u mbush plot panele diskutimi dhe me mesazhe të rëndësishme.
Veprimtaritë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas
Më 4 mars u hap veprimtaria 4 mars “Fem FEST” me shfaqjen teatrore "10 vjet martesë” me regji nga Andia Xhunga, në Teatrin Kombëtar, Arturbina. Më 5 mars u zhvillua paneli me temë “Bashkëpunimi i shoqërisë civile dhe qeverisë në raport me dhunën ndaj grave” dhe në të njejtën ditë në mbrëmje në Teatrin Kombëtar Eksperimental, Arturbina u shfaq komedia "Shi në plazh" me regji nga Eni Jani. Po kështu në Teatrin Kombëtar, Arturbina u vu në skenë shfaqja "7 Minuta" me regji nga Driada Dervishi.
Më 6 mars u zhvillua diskutimi me temë “ S’ka Ora” kushtuar dhunës dhe ngacmimeve në vendin e punës. Mbrëmjen e kësaj dite publiku ndoqi shfaqjen teatrore "Burrnesha" me regji nga Erson Zymberi në Teatrin Kombëtar Eksperimental, Arturbina. Nuk mungoi dhe drama "Shtëpiaket e dëshpëruara" me regji nga Artan Imami shfaqur në mbrëmje në Teatrin Kombëtar, Arturbina
7 marsi nisi me promovimin e librit "Gra që hapin shtigje", pasuar pasdite me ekspozitën "Celebrating ourselves - Himn për veten" me autore Iris Canaj. Xhemazie Rizvani, Alba Loxha në Teatrin Kombëtar, Arturbina. Mbrëmja solli në Teatrin Kombëtar Eksperimental, Arturbina dramën "Nasty Beauty" me regji nga Agnes Noksthiqi, por dhe "Gjysmë - jeta e Marie Kuri-së" me regji nga Armela Demaj në Teatrin Metropol. "Zbulimi" ishte një tjetër pjesë teatrore me regji nga komediani Salsano Rrapi në Teatrin Kombëtar, Arturbina
Më 8 mars paradite në sheshin Skënderbej u shfaq një performance artistike nga Grupi ‘HAVEIT’, që pasoi në mbrëmje me ndarjen e bursave për studentet e reja në Universitetin e Arteve. Po në mbrëmje në Teatrin Kombëtar, Arturbina u shfaq "Martesa me kushte" me regji nga Altin Basha
Sava Lena