Perspektiva e qartë e shtimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Shqipëri-Kinë
2024-03-08 11:41:02

Inovacioni teknologjik në Kinë (Foto CMG)

Inovacioni teknologjik në Kinë (Foto CMG)

Sipas raportit të punës së qeverisë kineze, të mbajtur më 5 mars 2024 në Sesionin e dytë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, objektivat kryesorë të zhvillimit ekonomik për vitin 2023 janë përmbushur.

Kina synon të ketë një rritje ekonomike në rreth 5 pë qind për këtë vit, të pandryshuar nga viti i kaluar, pasi ekonomia e dytë më e madhe në botë do të përdorë politika makro-ekonomike të intensifikuara dhe që targetojnë një rritje të qëndrueshme.

Qeveria kineze u angazhua të ndjekë një politikë fiskale proaktive, e cila do të intensifikohet, sipas nevojës, me cilësi dhe efiçiencë të përmirësuar, duke ushtruar një politikë monetare të kujdesshme, të moderuar dhe efektive.

Qeveria e Kinës ka parashikuar një defiçit buxhetor në 3 përqind të prodhimit kombëtar për vitin 2024. Ajo synon një normë inflacioni vjetor të ulët, në rreth 3 përqind. Me këta tregues të qëndrueshëm, qeveria planifikon të krijojë më shumë se 12 milionë vende të reja pune në qytete këtë vit dhe të mbajë normën e papunësisë urbane të anketuar në rreth 5.5 përqind.

Qeveria kineze është e angazhuar të zbatojë masa mbështetëse për nxitjen e zhvillimit të sektorit privat, duke intensifikuar përpjekjet për tërheqjen e më shumë investimeve të huaja, si dhe rritjen e vëllimit dhe të cilësisë në tregtinë e jashtme.

Të gjitha këto angazhime dhe perspektiva në rritje të ekonomisë kineze, shtojnë premisat për një rritje të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Kinës. Presidenti i Euroasia Group, Ilirjan Koxhioni në intervistë për CMG, ndalet në objektivat ekonomikë të Kinës për vitin 2024 dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës

 

Ilirjan Koxhioni president i Euroasia Group në intervistë për CMG

Ilirjan Koxhioni president i Euroasia Group në intervistë për CMG

CMG: Z. Koxhioni, ju e ndiqni nga afër ekonominë kineze. Megjithë vështirësitë dhe pasiguritë në ekonominë globale dhe në tregjet ndërkombëtare, kjo ekonomi shënoi për vitin 2023 një rritje të qëndrueshme prej mbi 5 përqind, të konfirmuar edhe gjatë dy muajve të parë të këtij viti. Në gjykimin tuaj, cilat janë arësyet kryesore të një rritjeje të fortë të ekonomisë së dytë më të madhe në botë, asaj kineze?

Ilirjan Koxhioni: Qëndrueshmëria e rritjes ekonomike të Kinës mbetet para së gjithash rezultat i një planifikimi ekonomik strategjik shumë të integruar dhe me një këndvështrim nga e ardhmja.

Kjo qasje ka qenë vazhdimisht e zbatuar dhe përditësuar në mënyrë pragmatike për shumë dekada.  Në vetvete, definicioni i qëndrueshmërisë tregon një proces afatgjatë dhe populli kinez është i famshëm për durimin dhe të menduarit afatgjatë, duke ruajtur ndjenjën e pragmatizmit.

Kjo karakteristikë kombëtare është integrale në qasjen e tyre ndaj planifikimit ekonomik, me pragmatizmin e tyre, duke u reflektuar në planet e tyre ekonomike pesëvjeçare në vazhdim.

Arsyet kryesore në rritjen ekonomike të Kinës mendoj se duhen parë në dy këndvështrime të cilat janë:

a)    Prioritetet e zhvillimit ekonomik në tregun e brendshëm kinez (tregti plus investime)

b)    Prioritetet e zhvillimit ekonomik në tregun e jashtëm ndërkombëtar (tregti plus investime)

Këto janë dy anët e së njëjtës medalje dhe janë të lidhura në mënyrë të qëndrueshme dhe organike.

Në lidhje me prioritetet e zhvillimit ekonomik në tregun e brendshëm, për më shumë se një dekadë, politikat ekonomike kanë qenë të fokusuara kryesisht në forcimin e një tregu të brendshëm kombëtar të unifikuar dhe cilësor. Pra, me fjalë të tjera, në një ekonomi të konsumit të mallrave dhe shërbimeve cilësore, të mbështetura fuqimisht nga teknologjitë më të avancuara të kohës.

Natyrisht, në planet ekonomike afatgjata, ne duhet të përmendim edhe faktorë të tjerë që kanë shërbyer si nxitës kryesorë të rritjes ekonomike, të tillë si: reformat e tregut, zhvillimi i infrastrukturës, investimet ne kapitalin njerëzor, rritja e orientuar e eksportit, R&D(kërkimi shkencor dhe zhvillimi), si dhe stabiliteti politik.

Në lidhje me prioritetet e zhvillimit ekonomik në tregun e jashtëm ndërkombëtar Kina, është e vendosur për të avancuar drejt globalizmit ekonomik, për të rritur dhe forcuar dinamizmin e zhvillimit ekonomik të vendeve të tjera dhe të afrojë të gjitha vendeve të botës një akses më të madh dhe të barabartë ndaj fryteve të zhvillimit.

Qeveria dhe populli kinez ngelen plotësisht të angazhuar për tregtinë dhe investimet në tregun ndërkombëtar, për zgjerimin e kordinimit të politikave ndërkombëtare makroekonomike, me qëllim që së bashku të zhvillojnë rrugë të reja për rritjen ekonomike globale.

CMG: Pse, sipas jush, Kina ruajti për të trembëdhjetin vit rradhazi pozicionin e saj si fuqia më e madhe industriale në botë, me prodhimin industrial të rritur akoma dhe më shumë se rritja mesatare ekonomike e saj prej 5.2 përqind?

Ilirjan Koxhioni: Siç e përmenda në përgjigjen e mëparshme, ky është rezultat i zhvillimit të teknologjisë së lartë dhe sektorit të shërbimeve.

Kjo forcë në industritë e teknologjisë së lartë është rezultat i një plani strategjik kombëtar dhe e politikave të zhvillimit industrial, që gjetën zbatim në 5 iniciativat strategjike në vitin 2015.

Këto ishin ndërtimi i qendrave të kërkimit dhe zhvillimit në të gjithë Kinën, zhvillimi i projekteve të nivelit të lartë në industritë kryesore, prodhimi i qëndrueshëm dhe praktikat kryesore të prodhimit të gjelbër në mbarë botën, prodhimi robotik dhe materiale të reja prodhimi.

Presidenti i Euroasia Group Ilirjan Koxhioni në intervistë për CMG

Presidenti i Euroasia Group Ilirjan Koxhioni në intervistë për CMG

Sektorët kryesorë që do të jenë shtytësit e rinj të rritjes ekonomike kineze në vazhdim janë si vijon:

·       Teknologjia e Informacionit (me fokus në AI, IoT dhe pajisjet inteligjente)

·       Robotika (me fokus në AI dhe mësimin e makinerive)

·       Energjia e pastër dhe EV

·       Pajisjet e hapësirës ajrore

·       Inxhinieri oqeanike dhe anije të teknologjisë së lartë

·       Pajisjet hekurudhore  

·       Mjekësi dhe pajisje mjekësore

·       Makineri bujqësore

CMG: Ndërkohë, për të gjashtin vit rradhazi, ekonomia kineze zë vendin e parë në botë, në nivel të tregtisë së mallrave. Cilat janë arësyet?

Ilirjan Koxhioni: Në një nivel individual të tregtisë së mallrave, Kina është ende partneri tregtar numër një për shumicën e vendeve në botë. Kjo tregohet qartë edhe në termat e vendit të parë që ajo zë në botë. Arsyeja për këtë është e dyfishtë:

Së pari, Kina ka një avantazh të madh krahasues në prodhim, pasi ajo është në gjendje të prodhojë mallra të cilësisë më të lartë me çmime më të favorshme se sa shumë vende konkurruese.

Cilësia e mallrave kineze në ditët e sotme është e pakrahasueshme dhe kjo është njohur nga konsumatorët globalë.

Në fakt, Kina ka një portofol shumë të larmishëm mallrash dhe shërbimesh dhe po shkon drejt mallrave me vlerë më të lartë të shtuar.

Ky progres përfshin eksportin e produkteve elektronike, makineri dhe produkte të teknologjisë së lartë, të cilat e rrisin më tej konkurrueshmërinë e saj globale.

Së dyti, Kina ka mbajtur prej kohësh vendin kryesor, përsa i përket angazhimit të saj dhe rëndësisë që ajo ka në zinxhirin global të furnizimit. Kina ka një pozicion thelbësor në prodhimin e mallrave për shumë korporata shumëkombëshe dhe kjo veçori mbetet e pandryshuar.

Euroasia Group (Foto Linkedin)

Euroasia Group (Foto Linkedin)

CMG: Sa ndihmon rritja e fortë ekonomike e Kinës në shtimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare Shqipëri-Kinë?

Ilirjan Koxhioni: Rritja e fortë ekonomike e Kinës ka efektin e ortekut të dëborës për partnerët e saj tregtarë.

Rritja ekonomike e Kinës nuk është vetëm për grupime globale, por edhe për vende në nivele të veçanta, si, p.sh., në rastin e Shqipërisë.

Vërehet shpesh që rritja ekonomike e Kinës çon në qarqe  tregtare ashtu sikurse dhe në mundësitë tregtare me partnerë tregtar të rinj. Menjëherë sapo marrëdhëniet tregtare janë vendosur, fillon rritja e vrullshme e tregtisë midis vendeve.  

CMG: Cili është potenciali i këtyre marrëdhënieve, në momentin që po flasim?

Ilirjan Koxhioni: Potenciali i marrëdhënieve Shqipëri - Kinë është jashtëzakonisht premtues.

Kina është burimi i tretë më i madh i importeve të Shqipërisë, pas Italisë dhe Turqisë.

Disa nga sektorët kyç të Shqipërisë që do të nxisin rritjen ekonomike të saj në të ardhmen mbivendosen dukshëm me Kinën, për shembull energjia e rinovueshme dhe turizmi.

Prandaj, mundësitë për tregti me kapacitete të mëdha dhe projekte të lidhura me tregtinë, si qendra te prodhimit të teknologjisë së gjelbër dhe inovacionit, janë të larta.

Për më tepër, unë mendoj se Shqipëria duhet të prezantohet si një qendër tregtare rajonale, në bashkëpunim me Kinën, për linjat e montimit ose të prodhimit të produkteve dhe teknologjive me vlerë të lartë.

Nga ana tjetër, efekti pozitiv transformues i turizmit kinez në ekonomitë e vendeve te ndryshme është tashmë i dokumentuar.

CMG: Në rajon, investimet kineze janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, sidomos me financimin nga ana e nismës “Një Brez, një Rrugë” të linjës hekurrudhore të shpejtë Beograd-Budapest. Cili është potenciali i investimeve kineze në ekonominë e Shqipërisë?

Ilirjan Koxhioni: Lidhjet ekonomike tretare dhe investuese midis vendeve të ndryshme janë gjithmonë të bazuara në parimin universal të zhvillimit dhe përparimit reciprok, nëpërmjet bashkëpunimit të sinqertë, transparent dhe gjithëpërfshirës.

Në këtë këndvështrim, edhe nisma e Kinës "Një brez, një rrugë", ka për qëllim bashkëpunimin e ngushtë ekonomik me vendet e ndryshme të rajonit.

Për më tepër, Shqipëria ka një vlerë simbolike për Kinën, duke pasur parasysh lidhjet historike midis dy vendeve dhe përafrimi i saj me politikën e njohjes së "Një Kine".

Kina shihet me të drejtë si një burim i besueshëm financimi për zhvillimin ekonomik, nga shumë qeveri në Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë, potenciali është i madh.

Për t’u përmendur jane sektorët në të cilët Kina ka investuar tashmë në rajon, si ai i energjisë dhe infrastrukturës fizike.

Importet e Shqipërisë nga Kina (Foto Scan TV)

Importet e Shqipërisë nga Kina (Foto Scan TV)

CMG: Cilët janë sektorët më përparësorë për këto investime?

Ilirjan Koxhioni: Infrastruktura fizike, si rrugë, ambiente të përmirësuara portuale, aeroporte dhe zonat ekonomike.

Infrastruktura dixhitale është edhe ajo një tjetër fushë, ku Shqipëria duhet të kërkojë të ndërtojë një avantazh rajonal. Infrastruktura energjetike është në përputhje me planet kryesore ekonomike të Shqipërisë, ndërkohë që ka potencial edhe për zhvillimin urban, si nisma për qytetet inteligjente.

Me fjalë të tjera, infrastrukturat që duhet të synojë Shqipëria, që t’i përdorë në të ardhmen, janë ato të energjisë së pastër, turizmit dhe teknologjisë inteligjente.

CMG: Si po ecën futja në tregun shqiptar dhe në tërësi në atë të rajonit tonë, e automjeteve elektrike kineze, me teknologji shumë të avancuar dhe çmime të përballueshme?

Ilirjan Koxhioni: Niveli i interesit për përdorimin e makinave elektrike po rritet me shpejtësi të madhe, si në Shqipëri ashtu dhe në rajon.

Euroasia Group vetëm kohët e fundit ka filluar të importojë modele të zgjedhura kineze, që i përshtaten fuqisë blerëse të tregut shqiptar dhe atij rajonal.

Kemi filluar gjithashtu të krijojmë një rrjet të pavarur të karikimit të makinave elektrike në të gjithë Shqipërinë.

Së shpejti do të ndërtojmë të njëjtin rrjet dhe në rajon. Më duhet të theksoj se ne po shesim jo vetëm me çmimet tona shumë konkurruese, por karakteristikat e avancuara të automjeteve elektrike kineze kanë tërhequr një vëmendje të veçantë në treg.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli