Foto nga VCG
Nga një këndvështrim global, shkalla aktuale e investimeve është përgjithësisht e ngadaltë. Sipas të dhënave nga Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin, nëse përjashtohet faktori i rritjes së shpejtë në zonat kalimtare të investimeve, investimet e huaja të drejtpërdrejta në shkallë globale kanë rënë me 18% në vitin 2023. Për këtë qëllim, të gjitha vendet po shtojnë përpjekjet e tyre për të tërhequr investime. Si i tërheq dhe i shfrytëzon Kina investimet e huaja? Si mund të zgjerohet më tej hapja? Raporti i punës së qeverisë kineze i këtij viti përdor një sërë "veprimesh" të mbledhjes dhe zbritjes për të dhënë përgjigjen e vet.
Le të shohim së pari "mbledhjen". Nga zgjerimi i katalogut të industrive që inkurajojnë investimet e huaja, te forcimi i garancive të shërbimeve të investimeve të huaja, te shtimi i lehtësive për të huajt që vijnë në Kinë për të punuar, studiuar dhe udhëtuar, një sërë masash shërbimi kanë lehtësuar shkëmbimet e biznesmenëve të huaj dhe ka ofruar garancinë që ata të investojnë dhe të fillojnë biznese. Analistët besojnë se lëvizshmëria e personelit është kritike për tërheqjen e investimeve të huaja dhe kërkon bashkëpunimin e të gjitha departamenteve qeveritare për të optimizuar procesin.
Përveç "mbledhjes", ka edhe "zbritje". Raporti i punës qeveritare gjithashtu propozon vazhdimin e pakësimit të listës negative për hyrjen e investimeve të huaja, anulimin e plotë të kufizimeve për hyrjen e investimeve të huaja në sektorin e prodhimit dhe lehtësimin e hyrjes në treg për industritë e shërbimeve si telekomunikacioni dhe mjekësia.
Ka gjithashtu një "shenjë barazimi" në masat e Kinës për tërheqjen e investimeve të huaja, domethënë zbatimi i trajtimit kombëtar për ndërmarrjet me investim të huaj dhe sigurimi i pjesëmarrjes së barabartë në prokurimin qeveritar, tenderimin dhe vendosjen e standardeve në përputhje me ligjin.
Sipas statistikave zyrtare kineze, vitet e fundit, shkalla e kthimit të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Kinë ka qenë rreth 9%, që është në një nivel relativisht të lartë ndërkombëtarisht. Nuk është e vështirë të shihet se investimet e huaja kanë marrë mjaft përfitime duke zgjedhur Kinën, gjë që ka tërhequr më shumë investime të huaja.
Grupi britanik HSBC tha se, si një nga institucionet financiare ndërkombëtare me investimet më të mëdha në Kinë, ka vazhduar të shtojë investimet e tij në Kinë ndër vite. Wang Yunfeng, president i degës në Kinë të Bankës HSBC mendon se, në skenën e ndërlikuar të ekonomisë aktuale globale, epërsitë e Kinës si rimëkëmbja e vazhdueshme ekonomike, tregu i madh dhe zinxhiri i furnizimit vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e kompanive globale. "Unë besoj se ndërsa zhvillimi ekonomik me cilësi të lartë të Kinës vazhdon të përparojë, më shumë kompani globale do të përfitojnë prej tij."
Zhou Xiaolan, presidentja e Rajonit të Kinës së Madhe të Grupit "Bayer" të Gjermanisë, tha se promovimi prej Kinës i hapjes së nivelit të lartë ndaj botës ka krijuar kushte të favorshme për "Bayer" dhe kompani të tjera të huaja për të inovuar, investuar, funksionuar e për t'u zhvilluar në Kinë dhe ato janë bërë gjithashtu një forcë e rëndësishme në ekonominë kineze. Vitin e kaluar u përurua në Pekin qendra e parë e inovacionit të "Bayer"-it në Kinë. Këtë vit do të nisë funksionimi i qendrës së re të furnizimit në Hangzhou, me investim nga kjo kompani, duke sjellë një shtysë të re për zhvillimin e thellë të Kinës. (Çang Çuo)