Engjëllushe Zenelaj, ka lindur në Mallakastër dhe pas diplomimit në Gjeografi në Universitetin e Tiranës ka arritur gradën Doktor Shkencash në vitin 2017. Ajo është pedagoge dhe ka një rol si përgjegjëse e projekteve dhe kërkimit shkencor pranë Universitetit Reald, i cili ofron programe studimore në gjuhën italiane, ku dhe studiojnë të rinj nga Italia. Me trajnimin e saj të thellë dhe angazhimin në fushën e edukatës dhe shkencës, Zenelaj ka kontribuar në zhvillimin e njohurive dhe projektimit shkencor.
CMG: Fillimisht ju keni studiuar për gjeografi e më pas për drejtësi?
Engjëllushe Zenelaj: Është një degë që mua më ka përmbushur shumë dhe fillimisht kur e zgjodha u ndjeva disi në mëdyshje, por më pas kuptova që varieteti që marrim prej kësaj dege është shumë i madh gati si një botë që të përfshin të zbulosh çdo ditë dhe patjetër që ndihem shumë rehat me atë degë të parë të ndjekur. Më pas lidhja që vjen me juridikun ndoshta takohen së bashku në një pike, sepse nëse gjeografia është studimi i natyrës dhe njeriut dhe juridiku të nxit të marrësh vendimet në mënyrën e duhur për të menaxhuar asetet natyrore dhe njerëzore, për të krijuar kushte dhe standarde më të mira për qytetarët. Nuk i rri dot larg as natyrës dhe as njeriut në të njëjtën kohë.
CMG: Cili ka qenë detaji i jetës që të ka dhënë mësim qëkurse keni qenë fëmijë?
Engjëllushe Zenelaj: Fëmijëria është një kohë e pa kohë dhe ne shpesh edhe tani që jemi tepër të rritur duam të rikthehemi tek gjyshërit tanë dhe t'i rikthehemi dashurisë që kemi marrë në atë kohë. Unë e kam kaluar fëmijërinë në Ballsh dhe ishte një emocion i madh. Ruaj kujtime shumë të bukura dhe çdo herë që shkoj ndjej një emocion shumë të madh.
Unë ruaj shumë kujtime të bukura. Nëse do të prekja pjesën e studimeve kujtoj vitet 1997, ku në Shqipëri kishte shumë trazira, por kjo nuk ndaloi mësuesen tonë Eleonora Zhuka që të na jepte mësim dhe të na ofronte dije në gjuhë dhe matematikë. Ajo i shihte këto dy degë si tepër të rëndësishme e më pas të tjerat mundeshim t’i mësonim gjatë jetës. E admirueshme në llojin e saj dhe me një dashuri të madhe për nxënësit, ajo lyente derën e shtëpisë së saj me bojë për të shkruar mbi të dhe për të dhënë mësim. Janë këto elementë të jetës që na kanë rritur dhe na kanë mësuar më pas e dhënë mesazhet e duhura. Atë mësuese unë e kam pasur përherë në kujtesën time.
CMG: Në gjykimin tuaj si juriste, çfarë e bën një njeri të quhet i mirë?
Engjëllushe Zenelaj: Flas shpesh për këtë temë.Mesazhet që ju jap shpesh prindërve është që fëmijët e tyre t’i edukojnë në atë lloj forme që të jenë të ndërgjegjshëm e përgjegjshëm. Pak rëndësi ka nëse është një nxënës ekselent e meson me shumë se të tjerët apo mëson e merr nota më të ulta. Në jetë e rëndësishme është të jesh njeri me vlera. Sjellja sociale është e rëndësishme të jetë pozitive për ne nder breza. Patjetër që ka gabime, por në vend të këtyre debateve pa produktivitet duhet të ushqejmë një standarddhe sistem më të mirë.
CMG: Ku e gjen qetësinë në gjithë rutinën e përditshme?
Engjëllushe Zenelaj: Ma bëjnë shpesh këtë pyetje. Të qenit pedagoge, juriste, aktiviste dhe njëherësh edhe vajzë e dy prindërve që kanë nevojë për kujdesje është një sfidë e pandalshme, por unë besoj fort që kur gjërat i do mirësia të kthehet në kohë dhe oportunitet. Ndaj, unë kam kuptuar që nëse gjërat i bën me dashuri edhe nëse ato janë shumë do të të kthehen në qetësi dhe burim frymëzimi.
CMG: Çfarë mesazhi do iu jepje të rinjve ?
Engjëllushe Zenelaj: Mos e shihni jetën si destinacion, por merreni si një rrugëtim. Në këtë rrugëtim secili prej nesh mëson diçka dhe jep nga vetja. Vështirësitë janë pjesë e rrugëtimit dhe ato të rrisin si individ. Sa më e madhe është sfida që ne jetojmë, aq më e madhe është kënaqësia e suksesit .
CMG: Keni qenë ndonjëherë në një moment të vështirë të jetës suaj ?
Engjëllushe Zenelaj: Të gjithë kalojnë vështirësi në jetë dhe problemet e dikujt ne nuk i shohim. Të gjithë pa përjashtim ndeshim probleme familjare dhe profesionale, por megjithatë është vullneti ai që të dërgon përpara. Vetëm vullneti dhe dëshira t'i dërgojnë ëndrrat përpara .
CMG: Si ka qenë mardhënia që ke pasur me prindërit ?
Engjëllushe Zenelaj: Nje marrëdhënie shumë e ngushtë sepse mbi të gjitha në jetë është familja. Pas mbylljes së punës, por edhe në nisje të ditës ne fokusin e kemi tek familja. Asgjë nuk të ngroh zemrën me shume se familja. Mësimet e para dhe kulturën e merr vetëm nga familja.
CMG: A mëson njeriu gjatë gjithë jetës ?
Engjëllushe Zenelaj: Unë jetën e shoh si proces dhe mendoj që ne mësojmë gjatë gjithë jetës. Periudha që ne jetojmë tani na kërkon të rritemi profesionalisht me ide dhe gjëra të reja, sidomos në teknogji dhe kjo na rrit ne si individë.
CMG: Ju si pedagoge, a e shihni si kërcënim inteligjencën artificiale?
Engjëllushe Zenelaj: Jo asnjëherë! Inteligjenca artificiale nuk do ketë kurrë kapacitetin që ka një njeri dhe mbi të gjitha ndjenjat e një njeriu.
Intervistoi: Megi Latifi