Një nga tryezët me paraqitjen e 10 pjatave të kuzhinës Hakka / foto nga "China Daily"
Secili ekip prezantoi 10 pjata që ofronin një paraqitje të shkurtër të trashëgimisë së pasur dhe të larmishme të kuzhinës së popullit Hakka.
Shefi i kuzhinës Huang Chonghui nga Longyan prezantoi ushqime Hakka nga Fujian, me përbërës si gjethet kineze të mugwort-it dhe gështenja, duke theksuar rëndësinë historike të kuzhinës.
“Kuzhina Hakka ka një përdorim të bollshëm të vajit dhe kripës, të cilat ishin thelbësore gjatë emigrimit, duke u dhënë gatimeve Hakka një shije të pasur, të kripur dhe aromatike”,- deklaroi Huang.
Chen Zehuan, i cili përfaqësoi Meizhou, vuri në dukje shkathtësinë dhe përshtatshmërinë e traditës, e cila përfshin një shumëllojshmëri të gjerë përbërësish dhe teknikash gatimi të transmetuara ndër breza.
“Pula dhe mishi zakonisht përpunoheshin dhe ruheshin në kripë, duke i bërë ato më të lehta për t'u ruajtur dhe transportuar”,- tha Chen, duke reflektuar mbi sfidat historike me të cilat u përballën populli Hakka gjatë emigrimit të tyre nga Kina qendrore në jug.
Një nga specialitetet e Chen, pula e pjekur në kripë, mishëron metodat tradicionale të gatimit dhe njihet për shijen e pasur, mishin e butë e të shijshëm dhe ngjyrën e artë.
Chen thotë se përfshirja në garën treditore përforcoi angazhimin e tij për të promovuar kuzhinën Hakka si një traditë e shkëlqyer kulinarie dhe do ta inkurajojë atë të zhvillojë më shumë pjata të njohura.
Chen Zhehuan / foto nga "China Daily"
Longyan, i njohur si një nga tokat stërgjyshore Hakka dhe një djep i kuzhinës së tij, ka bërë përpjekje të konsiderueshme vitet e fundit për të zhvilluar dhe promovuar gatimet Hakka. Pula e pjekur në kripë është një pjatë e veçantë, ashtu sikurse janë edhe tofu i mbushur, mishi i derrit me perime të konservuara dhe “Poon Choi”, një lloj gatimi ku mishi, ushqimet e detit dhe perimet gatuhen bashkë në një tenxhere.
“Ne synojmë ta bëjmë kulturën ushqimore Hakka kuzhinën e nëntë të madhe kineze dhe ta pozicionojmë Longyan si një qytet të njohur për kuzhinën Hakka”,- deklaroi Shen Dexing, zëvendësdrejtor i Zyrës së Kulturës dhe Turizmit të qytetit.
Duke u përqëndruar në këto dy qëllime, Longyan po punon për të krijuar një identitet të markës, në publicitetin dhe promovimin e kuzhinës Hakka dhe në zhvillimin e pjatave të përshtatshme të gatshme për gatim.
Qyteti ka pritur disa gara që nga viti 2022. Ngjarja e këtij viti u organizua nga Departamenti provincial i Kulturës dhe Turizmit në Fujian dhe qeveria e Longyan, me mbështetjen e Departamenteve të Turizmit nga Meizhou, Ganzhou dhe Sanming.
Gjatë takimit të parë të shkëmbimit akademik të kulturës ushqimore të trashëgimisë jomateriale Hakka, më 16 janar, në Longyan, ekspertët diskutuan mundësinë që gatimet Hakka të njihen si kuzhina e nëntë kryesore kineze së bashku me kuzhinat Anhui, Kantoneze, Fujian, Hunan, Jiangsu, Shandong, Sichuan dhe Zhejiang.
Pjata me figurën e "Loongut" e kuzhinës Hakka në event / foto nga CFP
Chen Xuanzhang, kreu i Institutit të Kërkimeve Fujian-Tajvan Hakka, Universiteti Longyan, theksoi natyrën unike të traditës, duke vënë në dukje se ajo ruan teknikat dhe shijet tradicionale të gatimit, duke integruar përbërësit nga zonat migruese Hakka dhe duke përfshirë teoritë inovative të kuzhinës.
“Kuzhina Hakka zakonisht konsiderohet si një degë e traditave ekzistuese dhe jo si një entitet i pavarur”,- deklaroi Chen Xuanzhang, i cili theksoi se gatimet Hakka bëhen në shumë provinca, si Fujian, Guangdong, Jiangxi dhe Zhejiang, si dhe në Hong Kong, Makao dhe Tajvan, dhe në vende ku ka emigruar populli Hakka.
“Në përgjithësi, kuzhina Hakka kërkon të ruajë shijen origjinale, me teknika unike për të ruajtur ushqimin dhe shijen origjinale të ushqimit që theksojnë freskinë, autenticitetin dhe pasurinë”,- thotë ai.
Chen Wen, kryetar i Shoqatës së Kulturës dhe Promovimit të Industrisë së Kuzhinës Hakka, në Fujian, thekson rëndësinë e sqarimit të përkufizimeve dhe përshkrimeve për të mbështetur përhapjen e kuzhinës Hakka, të tilla si: Çfarë është kuzhina Hakka? Cilat janë karakteristikat e saj themelore? Si ndryshon ajo në rajone të ndryshme?
“Gatimet Hakka kanë karakteristika të ndryshme në rajone të ndryshme, por kultura pas tyre është e njëjtë. Ne mund të theksojmë unitetin kulturor dhe të lejojmë që bota të dashurohet me shijen Hakka”,- tha Chen.