Andi Bamllari fut Shqipërinë në hartën globale të kompanive më të mira të dronëve
2024-03-07 09:45:02

Dron (Foto personale )

Dron (Foto personale )

Pasioni i madh për teknologjinë e ka bërë Arbi Bamllarin të projektojë dronin e parë shqiptar me kompaninë e tij SKAITECH. Kjo bëri që ai të rendisë  vendin tonë në hartën globale të kompanive më të mira të dronëve në botë dhe sot numëron mbi 40 partnerë nga i gjithë globi. Në një intervistë për Radio Ejani, sipërmarrësi Bamllari tregon për fillimet e tij, përkushtimin dhe risitë për të ndihmuar bizneset që të kenë akoma më shumë sukses dhe të avancojnë paralelisht më zhvillimet më të fundit teknologjike.

“SKAITECH nisi vepritmarinë në vitin 2020. Në biznes ka plot parashikime optimiste apo pesimiste përsa i përket pritshmërive, të ardhurave, arritjeve, sukseseve dhe objektivave. Duke qenë se kemi pritshmëri të larta mendoj se është në rrugën e duhur dhe ka arritur disa suksese, ku një nga kryesoret është krijimi i një skuadrë shumë të mirë. Arritje të tjera janë fitimi i disa çmimeve apo konkurseve kombëtare e mbarëkombëtare, si dhe krijimi i produkteve SKAITECH Cloud apo SKAITECH SQ-1, dronit të parë shqiptar. “- thotë Arbi

Droni që po prodhohet do të ketë disa funksione të rëndësishme.

“ Droni që SKAITECH po prodhon do përdoret për qëllime të survejancës, sigurisë publike dhe misione kërkim-shpëtimi. SQ-1 është i pajisur me dy kamera një 4K dhe një termike, sensorë shmangiesh pengesash nga të gjitha drejtimet, autonomi, inteligjencë artificiale, komunikim 4G përveç wifi, enkriptim të dhënash, si dhe ka një kohë fluturimi mbi 40 minuta dhe distancë fluturimi mbi 15 km. Është i palosshëm dhe me materiale të forta, por të lehta si najlon dhe fibra karboni dhe do të peshojë nga 1.5 – 2 kg”-shpjegon sipërmarrësi Bamllari.

Menjëherë droni shqiptar ka tërhequr vemendjen e kompanive botërore.

“SKAITECH është kompania e parë dhe e vetme shqiptare që ka arritur ta fusë veten dhe Shqipërinë në hartën globale të kompanive më të mira të dronëve në botë, sipas Drone Industry Insights. Jo vetëm kaq, por ne kemi mbi 40 partnerë nga e gjithë bota nga Kina në Amerikë, Europë e Lindjen e Mesme. Po ashtu kemi dhe klientë të huaj jo vetëm në tregun tonë.”-thotë Bamllari.

Sa ndryshime ka sjellë tek bizneset, institucionet, konsumatorët ky revolucion teknologjik?

“Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë zgjidhje inovative dhe me ndikim për bizneset në një gamë të gjerë industrish, duke përfshirë infrastrukturën, energjinë, bujqësinë, sigurinë dhe mbrojtjen. SKAITECH ndihmon bizneset të kursejnë kohë, kosto, dhe të krijojnë eficensë në vendimarrje operacionale, ndërkohë që ofron të dhëna të cilat sigurojnë edhe suksesin tregtar.”

Kompania Skaitech (Foto Personale)

Kompania Skaitech (Foto Personale)

Arbi tregon se çfarë ka të veçantë teknologjia (robotika, inxhineria , inteligjenca artificiale) ndryshe nga fushat e tjera .

“Këto teknologji: robotika, AI, IoT, XR dhe 3D Printing, janë teknologjitë kryesore që ne përdorim të SKAITECH dhe 3DSKAI. Ato kanë natyrë ndërdisiplinore pasi kanë aplikime dhe integrime në fusha të ndryshme duke përdorur informacione dhe kërkojnë njohuri nga disiplina të ndryshme si shkenca kompjuterike, matematika, fizika, inxhinieria, psikologjia, neuroshkenca dhe madje edhe filozofia. Ato janë komplekse dhe përfshijnë pjesën softuerike dhe harduerike, shpesh kanë ndërveprim ose emulojnë apo automatizojnë procese njerëzore. Mbi të gjitha ato kanë ritmin më të shpejtë në avancimin e teknologjive pasi janë krijuar për t’u përshtatur dhe mësuar nga të dhënat apo përvojat”, thotë Arbi

Sa i takon të ardhmes, i riu Bamllari parashikon se teknologjia dhe industria gjithnjë do ecin më shpejt se institucionet rregullatore.

“Aplikimi i tyre ka filluar prej kohësh në pjesën e mbrojtjes dhe tashmë dhe në industri të ndryshme ku ka nevojë për automatizime, ndaj dhe ne morëm shkas t’i sjellim në vendin tonë që Shqipëria të ecë paralelisht me botën. Do të ketë edhe mjaft polemika me të drejtë, lidhur me sfidat rregullatore dhe impaktin në shoqëri lidhur me sigurinë apo privatësinë. Kjo për shkak se teknologjia dhe industria gjithnjë do ecin më shpejt se institucionet rregullatore. Sigurisht kjo nuk do ndodhë për pak kohë, por gradualisht, edhe pse avancimi i saj është me ritme të shpejta. Fjala kyçe është edukim i të gjithë brezave lidhur me teknologjinë, risqet dhe përdorimin e saj”-shpjegon më tej sipërmarrësi Bamllari.

 

Në të njëjtën kohë i riu menaxhon edhe kompaninë e parë të printimeve 3D në Shqipëri.

 

Sipërmarrësi Arbi Bamllari (Foto personale)

Sipërmarrësi Arbi Bamllari (Foto personale)

“Po, 3DSKAI është kompania e parë e printerave 3D në Shqipëri. Ajo ofron shërbime dhe zgjidhje me anë të printimeve 3D, skanimeve 3D, modelimit 3D, sëshpejti dhe teknologjisë lazer për prerje/gdhendje. Kompania lindi nga projekti i dronit të parë shqiptar, kur ne blemë printerin e parë 3D, nga Raise3D, për shkak të nevojës së printimit të pjesëve të personalizuara të prototipit të dronit. Printimi 3D është e vetmja teknologji prodhimi, e njohur si additive manufacturing, që të lejon të prodhosh pjesë plastike, apo kompozite, tashmë është mundësia të printohet edhe me fibra karboni, metal, argjile, në mënyrë të përsëritur, kur kryhen ndryshime të shpejta apo përmirësime në një objekt apo projekt, me kostot më të ulëta. Më pas, u blenë dhe disa printera të tjerë 3D, të teknologjive të ndryshme, dhe ideja për ta sjellë si teknologji ka lindur që me SKAITECH, por momenti i duhur ishte para 2 vitesh, kur krijuam dhe skuadrën, dhe tashmë kemi një fermë të vogël printimi 3D, të parën në Shqipëri, që ofron teknologji si FDM, SLA, SLS dhe përmasa të ndryshme printimi.”

 

Arbi sëbashku me një grup të rinjsh, dita ditës po mendojnë për produkte të tjera që i vijnë në ndihmë kompanive.

“Ne jemi një skuadër inxhinierësh, shkencëtarësh, zhvilluesish, inovatorësh dhe endërruesish, por mbi të gjitha ne po definojmë çfare do të thotë “Prodhuar në Shqipëri”.Ndaj gjithnje jemi duke menduar për produkte të reja teknologjike, pasi qëllimi ynë nuk është të ofrojmë vetëm shërbime dhe zgjidhje me atë të dronëve, AI dhe printimit 3D, por të krijojmë produkte. e SKAITECH deri tani kemi ndërtuar:SKAITECH Cloud, një platformë online fotogrametrie për të dhënat e dronëve, hartat 2D/3D dhe matjet online, dronin e parë shqiptar, SQ-1, autopilotin SKAITECH për dronë. Inteligjencën tonë artificiale për detektim objektesh në kohë reale apo post procesim për dronë apo satelitë.Po punohet për dronë të tjerë për qëllime të tjera, si dhe për përmirësimin e inteligjencës tonë artificiale”, u shpreh për Radio Ejani sipërmarrësi i ri Arbi Bamllari